De Biasi: Shorti? Skuadra që i njohim. Shqipëria miqësore me Turqinë

Në ditën e lajmeve të mëdha të shortit edhe një lajm tjetër i dhënë personalisht nga Gianni De Biasi në intervistën ekskluzive për Supersport menjëherë pas shortit.

Një miqësore me Turqinë në Mars. Trajneri i kuqezinjve deklaroi se ka folur me Fatih Terim, që është treguar i gatshëm. Ende nuk është vendosur ndërkohë se ku do të akomodohet Shqipëria në Francë pasi këto ditë trajneri dhe stafi i FSHF do të vizitojnë resortet për të marrë më pas vendimin përfundimtar. Tema kryesore gjithsesi mbetet shorti dhe opinioni i De Biasit nis me një krahasim nga grupi i kualifikueseve ku kishim formacione si Portugalia.

“Mendoj se pak a shumë është njëlloj. Kemi Francën skuadrën e shtëpisë që vlen sa Portugalia madje nëse heqim Ronaldon, Franca ka më shumë kualitet. Zvicrën e takuam në eliminatoret e Botërorit dhe na mundi të dyja herët, por ata janë pak a shumë në të njëjtin nivel ndërsa ne jemi rritur, kemi ndryshuar grup dhe gjithçka tjetër ndaj mund ta luajmë ndeshjen me ta me më shumë shanse. Rumania është në rritje në vitetet e fundit, humbëm 1-0 ndaj tyre në miqësoren e verës së kaluar, por për një gabim tonin. Mendoj se është një grup i ekuilibruar”.

Por si do të paraqitert Shqipëria në Europian, si “Hirushja e kualifikueseve”, apo si një skuadër që mund t’ia dalë të bëjë më tepër.

“Ne vimë këtu si një skuadër debutuese që duhet të ruajë karakteristikat e saj, dhe të vijë dhe të luajë me zemër dhe vendosmëri dhe pa menduar se jemi më të mirë tani që u kualifikuam”.

Padyshim që ajo me Zvicrën do të jetë një ndeshje e veçantë, për vetë koloninë shqiptare në radhët e “Helvetëve”. Nëse dikush i kujton derbin mes vëllezërve Xhaka dhe lotët e Granititi kur Shqipëria shënonte ndaj Armenisë dhe kualifikohej, De Biasi pëlqen ta nisë me një batutë.

“Nëse qante për ne kur u kualifikuam, le të bëjë djalin e mirë dhe të na bëjë të kalojmë edhe turin. Jo, seriozisht e besoj se është një ndeshje e cuditshme në këtë këndvështrim pasi një ndeshje mes vëllezërve nuk është gjëja më e bukur në botë, aq më tepër kur në lojë është kualifikimi, por ja që kjo na ndodhi dhe ne do ta përballojmë duke u treguar të përqëndruar dhe me dëshirë pasi kjo skuadër është e re dhe ka shumë marzh përmirësimi”.

De Biasi është i palëkundur në bindjen se Zvicra mbetet një ekip më i fortë se Shqipëria por me mjaft elokuencë kujton se në futboll jo gjithmonë fitojnë më të mirët.

“Zvicra është ende më e fortë, ata kanë më para në klasifikim, një skuadër që luajti në Botëror. Kanë eksperiencën e nevojshme me lojtarë që luajnë në klubet më të mëdha europiane, këto janë gjëra që kanë rëndësi dhe besoj se Zvicra është më e mirë se ne. Edhe franca është më e mirë se ne, por barazuam një herë dhe në tjetrën fituam ndaj tyre. Ne duhet të tregojmë se jemi të zotë dhe më të uritur se ata”. 

Video Player

00:00
02:18