De Biasi reagon për kontratën: Nuk po pasurohem në dëm të Federatës

Gianni De Biasi është ngacmuar nga lajmet e dhëna në media të ndryshme se me kontratën e re të nënshkruar me FSHF, ai do të marrë 60 % të pagës më shumë. Ai nuk e ka mirëpritur faktin që nga FSHF ka dalë ky sekret. “Kjo është diçka që e konsideroj jo korrekte. Personat që realisht njohin faktet janë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, që natyrisht nuk mund të bëjnë publike asgjë, pasi janë të detyruar të respektojnë kushtin e sekretit të nenit 11 të kontratës mes palëve”, thotë De Biasi në në komunikatë për shtyp. Atij nuk i ka pëlqyer as fakti që gjithçka po thuhet, vërtitet rreth shumës që ai do të përfitojë, ndonëse ishte shuma ajo mbi të cilët palët kishin mosmarrëveshje deri tani. Megjithatë, De Biasi ka një mesazh të drejpërdrëjtë: Nuk po pasurohem në dëm të federatës!

Deklarata e plotë e De Biasit për mediat:

“Lexoj me keqardhje të madhe në mediat shqiptare lajme që lidhen me rinovimin e kontratës nga ana ime. Sot, dua të them edhe unë versionin tim të fakteve, për ta sqaruar një herë e mirë marrëdhënien time me Federatën, duke mos pranuar heshturazi, tam-tamin mediatik, që do të më prezantojë si dikush që do të pasurohet në dëm të Federatës.

Besoj se së bashku me stafin tim, me kontributin e madh dhe vendimtar të lojtarëve, të Presidentit që më ka dhënë liri në drejtimin dhe administrimin e Kombëtares, duke më asistuar në mënyrë shumë të mençur, kemi arritur një objektiv që dukej i pamundur në fillim të garave kualifikuese. Në dyvjetëshin e parë në drejtim të Kombëtares Kuq e Zi, vlera e kontratës sime ishte e barabartë me 4.2% të buxhetit vjetor të Federatës, duke u rritur në dyvjeçarin e dytë me 4.5% të buxhetit.

Sot, si ju thashë, nuk kam firmosur materialisht një kontratë të re, por presidenti Duka, duke dashur të më vlerësojë, vendosi të më japë ekuivalentin e 4.4% të buxhetit të Federatës. Besoj se, në terma ekonomikë, pesha e kontratës sime në buxhetin e Federatës është me të vërtetë diçka sigurisht jo e rëndësishme. Përkundrazi, kjo peshë nuk ndryshon me kontratën e re.

Gjithashtu, besoj se puna e zhvilluar deri më tani na ka dhënë shumë kënaqësi dhe ka qenë shumë e rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e gjithë lëvizjes së futbollit shqiptar, që ka përfituar shumë prej këtij bashkëpunimi. Shifrat që kam lexuar në gazeta kanë fare pak të bëjnë me realitetin objektiv, por sigurisht bëjnë sensacion tek opinioni publik dhe te tifozët kuqezinj dhe kjo më trishton shumë.

Kjo është diçka që e konsideroj jo korrekte. Personat që realisht njohin faktet janë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, që natyrisht nuk mund të bëjnë publike asgjë, pasi janë të detyruar të respektojnë “kushtin e sekretit” të nenit 11 të kontratës mes palëve.

E vlerësoj faktin që presidenti Duka është larg gjithë kësaj. Të gjithë atyre që kanë gabuar në shpërndarjen e këtyre gjërave jo korrekte u them me ndershmëri dhe ndjenjën e besnikërisë te flamuri ynë: Kemi arritur një objektiv shumë të lartë dhe duhet të sillemi me pjekuri, në lartësinë e pozicionit profesional dhe të imazhit kombëtar në të cilën gjendemi.

Për mirëqenien e grupit, për kompaktësinë e gjithë atyre që na mbështesin individualisht dhe institucionalisht, apo gjithë atyre që e bëjnë këtë me shpirt dhe sakrifica, nuk ka nevojë për thashetheme që nuk vlejnë as katër aspra. Unë ndihem një Kuq e Zi dhe do të mbetem i tillë, besoj se të gjithë do të bëjnë ndershmërisht detyrën e tyre! Faleminderit