De Biasi i mbyll dyert Tarashajt: Zvicra, e veçantë për ‘tradhtarët’

Trajneri i kombëtares De Biasi zbulon se grumbullimi i Shqipërisë para Europianit do të jetë në Graz të Austrisë, ndërsa i mbyll derën e Kombëtares Shani Tarashajt.

Në një intervistë për gazetën zvicerane ‘Blick’ De Biasi ka dhënë edhe  njëherë tjetër përshtypjet për shortin dhe përballjen me ‘helvetët’.

“Kishim folur një ditë më parë mbi faktin se kjo do të ishte një ndeshje e çuditshme mes kaq shumë shqiptarësh. Do të ishte më mirë ta evitonim. Për shumë shqiptarë është ndeshje e veçantë, pasi në kampin tjetër luajnë shumë futbollistë që konsiderohen si ‘tradhtarë’, pasi vendosën të luajnë për një vend tjetër pavarësisht origjinës shqiptare. Ai vend i ka pritur dhe i ka dhënë punë prindërve të tyre, kanë kaluar fëmijërinë aty dhe janë integruar, ndaj ndihen zviceranë ndonjëherë, edhe pse në zemër ata do të mbeten gjithmonë shqiptarë”, tha ai.

De Biasi shkëputi dhe një koment për Shani Tarashaj duke i mbyllur dyert në kombëtare.

“Kam folur me të. Më ka thënë se nuk donte të mendonte për dicka të tillë për momentin, kështu që kjo çështje për mua është e mbyllur. Për sa kohë unë jam trajner, ai nuk do të ftohet në kombëtare”, deklaroi tekniku italian i kuqezinjve.