Daily Mail: Gruaja e Tony Blair e shtoi pasurinë në Shqipëri

Ajo i braktisi ambiciet e për të mbështetur karrierën politike të bashkëshortit të saj. Por kur bëhet fjalë për të bërë para, Cherie Blair refuzon të varet nga Tony.

Mund të provoj se kompania e saj, Omnia Strategy, ka mbledhur fonde në vlerë rreth 1.4 milionë stërlina, thuasje dyfishin e shumës prej 710 mijë stërlinash që ajo ka mundur të bëjë vitin e shkuar.

Kështu shkruan Sebastian Shakespeare për Daily Mail, mbi mënyrën se si u pasurua bashkëshortja e ish –kryeministrit britani, Tony Blair, i cili është  këshilltar i qeverisë shqiptare. Dhe Shqipëria është një ndër burimet e pasurisë së zonjës, Blair.

“E themeluar në vitin 2011 nga Cherie, Omnia ishte burim debati kur u zbulua se ishte paguar 500 mijë stërlina për konsulencë ligjore nga qeveria shqiptare”, vijon më tej Shakespeare.

“Debati lindi për shkak të rolit të Tony Blair si këshilltar i kryeministrit shqiptar Edi Rama, që prej vitit 2013… Shqipëria nuk është i vetmi vend ku Omnia është angazhuar. Ajo është paguar 400 mijë stërlina për 6 muaj punë në Kazakistan, për rishikim të “marrëveshjeve tregtare bilateral”. Thuhet se Cherie është paguar 975 stërlina në orë”. Edhe në Kazakistan, ashtu si në Shqipëri, Tony Blair është këshilltar i kreut të shtetit, presidentit Nusultan Nazarbayev.

Tony Blair është vënë shpeshherë në qendër të kritikave të mediave britanike, për shkak se ai dyshohet për fshehje takash dhe përdorim të detyrës si përfaqësues i Kuartetit në Lindjen e Mesme, për biznesin e tij privat.

Për shmangie të taksave tashmë po kritikohet edhe kompania e bashkëshortes së tij. Në shkrimin e Daily Mail thuhet se Omnia është regjistruar si kompani me përgjegjësi të kufizuar dhe si e tillë nuk paguan tatimin mbi fitimin.