Ç’të lexosh për festa!

Libri mbetet gjithnjë një klasik kur vjen puna te dhuratat, pavarësisht modës apo sezoneve. Me atmosferën e festave të fundvitit, ju sjellim propozimet e shtëpive botuese për t’i lexuar gjatë pushimeve dimërore. 

Nga Suadela Balliu

Një çokollatë e nxehtë apo një gotë verë, një batanije në gjunjë apo një oxhak i ndezur do të ishte një nga ato tablotë joshëse për të imagjinuar pushimet dimërore, por të paplota nëse aty pranë nuk do të kishte edhe një libër…Prozë apo poezi, fiction apo jo-fiction, angazhues apo nga ata që lexohen me një frymë, nuk ka kohë më të mirë sesa ditët e fundit të dhjetorit për t’u shijuar ashtu siç edhe i ka hije librit. Leximi i një libri të mirë do të ishte një fillim i mbarë për vitin që presim – me urimin e përhershëm të jetë më i mbarë se ai që po lëmë pas, edhe atëherë kur besimi mund të jetë i pakët. Edhe kur vjen puna te dhuratat, libri mbetet një klasik mes tyre dhe një shpëtim për ata që nuk ua qëllojnë bërjes së tyre. Lini një libër nën bredh! Për ata që e kanë harruar ndjesinë e shfletimit me mollëzat e gishtërinjve apo aromën e letrës së shtypur dhe bojës, botuesit ofrojnë edhe versionet elektronike të librave, për t’i shfletuar me lexuesit teknologjikë…Për të gjitha shijet dhe moshat… Nga librat për fëmijë- disa syresh vijnë në shpirtin e ngrohtë të Krishtlindjes dhe ky kremtim mund të shërbejë si një moment për të ndrequr ç’ka është lënë pas dore gjatë vitit në prindërim – deri te librat akademikë për ata që duan t’i shfrytëzojnë ditët për një çështje kërkimore apo studime. Botuesit sjellin propozimet e tyre për këto festa…Sikleti i zgjedhjes?! Kur vjen puna te librat, asnjëherë nuk teprohet me blerje…

Onufri, libra për kohë dashurie

Dhjetori është edhe muaji kur njerëzit – vetëdijshëm ose jo – bëhen më të dashur, kërkojnë të afërmin, këmbejnë urime, bëjnë dhurata… Si për të qëndruar në këtë frymë, shtëpia botuese “Onufri” si titull të parë propozon “Koha e dashurisë” së shkrimtarit Ismail Kadare. Një libër me tregime shpalos thyerjen mes botës së vjetër e asaj të re. Tregimtari kalon në këtë kohë periudhën e tij të zbulimeve të mëdha, e pikërisht atë të vështirësisë, të dhimbjes dhe të bukurisë së të shkruarit. Një tjetër titull prej Kadaresë është edhe “Nga një dhjetor në tjetrin”. Nisur që nga titulli të bën të reflektosh për kohën që ikën dhe dhjetorët e vetë lexuesit. Janë shënime të një shkrimtari dhe, ndonëse ngjarjet për të cilat flitet këtu s’kanë të bëjnë me letërsinë, ato duhet të lexohen vetëm si të tilla. Për ata që e kanë përzemër debatin që është ndezur kohëve të fundit mbi tmerret e diktaturës komuniste dhe grave që kanë vuajtur përdhunimet në burgje, një rast i mirë do të ishte leximi i romanit të fundit të autorit Agron Tufa, promovuar vetëm një muaj më parë “Gurit të varrit ia rrëfej”, ku ai prek temën tabu të fatit të femrave të bukura në diktaturë, por dhe femrave të familjeve të persekutuara, të cilat kanë qenë pre e dhunimit, përdhunimit që zbret deri në nënvetëdijen e personalitetit. Për të mbetur tek autorët shqiptarë, Onufri propozon dy libra të rinj: “E kuqja dhe e zeza”, i Mehmet Krajës, si edhe poezitë e Skënder Rusit, “Me vete kam gjithnjë një Evë”.

Dituria, festa me të gjitha shijet letrare

Shtëpia Botuese “Dituria” ka për të gjithë lexuesit. Për të dhënët pas trilerit apo historive me detektivë, vjen aventura më e re e detektivit Kormoran Strajk dhe ndihmëses së tij bukuroshe Robin. ‘Krimbi i mëndafshit’ i Robert Galbraith-it rrëfen punën e detektivit symprehtë për zbulimin e një arratisjeje. Romani më i ri i shkrimtarit të njohur, Umberto Eco, ‘Numri zero’, është padyshim një dhuratë tjetër me mend. Një redaksi fantazmë mblidhet për të botuar një gazetë të re të financuar nga një sipërmarrës që do ta përdorë atë për të bërë shantazh. Por kjo gazetë nuk do ta shohë kurrë dritën e botimit… Arsyen se pse e zbuloni vetëm duke e lexuar, sigurisht. Një dhuratë e mirë për veten do të ishte me siguri romani i jashtëzakonshëm i shkrimtarit Milan Kundera, Identiteti, nën përkthimin e Mira Meksit. Libri meritoi çmimin si përkthimi më i mirë i vitit në Panairin që lamë pas. Për ditët e festave humori nuk duhet të mungojë, ndaj kjo shtëpi botuese sugjeron një prej librave të Sophie Kinsella-s. Seria e librave “shopaholic” është plot humor dhe ngjarje argëtuese. Libri më i fundit i autores, Nata e martesës, është pa dyshim i tillë. Situatat argëtuese, keqkuptimet dhe ndodhitë e papritura do i gjeni në çdo faqe të këtij romani. Për t’i futur fëmijët në një botë magjie, aventurash dhe të papriturash, që janë gjithë sa i duhet festave, është libri “Pesë fëmijët dhe Xhuxhi i Rërës” i autores klasike për fëmijë, Edith Nesbit. Pesë fëmijë të një familjeje shkojnë me pushime jashtë Londrës, dhe aty gjejnë një xhuxh rëre që u plotëson çdo ditë nga një dëshirë, por dëshirat zgjasin deri në perëndim të diellit…

UET Press, libra studimorë dhe jo vetëm

Ashtu siç edhe ka natyrën një shtëpi botuese universitare nuk kishte si të mos propozonte tituj të karakterit historik, analizues apo studimor. Për ta nisur vitin e ri me doza pozitiviteti dhe për ta sugjestionuar drejt suksesit, propozim i mirë do të qe libri “Fitimtarët. Dhe si e arrijnë suksesin” i spindoctor-it të famshëm të ish-kryeministrit britanik Blair, Alastair Campbell. Fitimtarët e Campbell janë sportistë elitarë, biznesmenë të suksesshëm, menaxherë të dashur e jetëgjatë në fushën e futbollit e të modës dhe politikanë të admiruar e karizmatikë. Për secilin nga personazhet, në përputhje me linjën e analizës se çfarë i ka bërë më shumë të suksesshëm se të tjerët, ose pse duhet t’i kemi si modelin e “Fitimtarëve”, sjell citime të tyre, bashkëbisedime e intervista të zhvilluara, shembuj nga jeta, si flasin e punojnë, si bashkëpunojnë, si i kanë shfrytëzuar rrethanat, si e konceptojnë konkurrencën, motivohen më shumë nga suksesi apo nga frika e humbjes, si mësojnë nga dështimet, etj. Libri studimor i autorit Adil Olluri “Romani postmodern shqiptar”, sjell për herë të parë një renditje, me tre autorë postmodernë shqiptare, të përfshirë në trajtimin e tij: Rexhep Qosen, Ridvan Dibrën dhe Bashkim Shehun, të cilët janë ndër pesë prozatorët së bashku me Kadarenë dhe Kongolin, më të mirë të gjallë sot që ka letërsia shqipe. Për t’i hyrë më thellë historisë, libri më i ri i Kristo Frashërit “Historia e Çamërisë. Një vështrim historik” është një zgjedhje e mirë dhe voluminoze. Vetëm ai do të mjaftonte për t’i kaluar pushimet e dimrit.

Botimet MAPO, ata që kanë bërë zhurmë

Së bashku me këta tituj vijnë edhe propozimet e botimeve “MAPO”. Nëse ende nuk e keni lexuar, nuk mund ta mbyllni vitin pa romanin më të ri të Ben Blushit “Kandidati” – i cili qysh sa doli ngjalli kureshtjen e të gjithëve, personazhe publikë dhe jo mbi subjektin e tij.

Kandidati i Blushit merr përsipër të tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri…Bëhet fjalë për njërin nga kandidatët për Bashkinë e Basenit, i cili vdes papritur, para hapjes së fushatës zgjedhore, por edhe pse i vdekur arrin t’i fitojë ato. Një tjetër propozim është edhe romani “Tre divorcet e Viktor N.”, i autorit Rudolf Marku, i vlerësuar me çmimin letrar “Kadare”. Ky roman rrëfen jetën e zymtë të personazhit Viktor N., shqiptarit që prej vitesh jeton në Londër dhe tre divorceve të tij të çuditshme; me bashkëshorten, vendlindjen dhe me dashurinë…

Saras, dy festa dhe tre libra

Kryeredaktorja e Botimeve “Saras”, Alda Bardhyli rekomandon tre libra për ditët e festave si; “Qyteti bri lumit”, V.S Naipaul, “Treni i natës”, Martin Amis, dhe “Ambasadori i Melkizedekut’ nga Veton Surroi. “Janë tre libra që kanë brenda romancën, historinë, por dhe kuriozitetin mbi të ardhmen e qytetërimeve, duke qenë pranë debateve që bëhen sot për këtë çështje kudo në botë. Nga ana tjetër janë libra që na takojmë me shumë personazhe. Unë e quaj çdo personazh një libër më vete, dhe shpesh ndodh që leximi i një libri të ngjasojë sikur ke lexuar më shumë se një”- shprehet Bardhyli, “Qyteti bri lumit”i shkruar herët nga V.S Naipail, ndërthur të gjithë përvojat personale të vetë autorit, në jetë personazhesh që të befasojnë dhe mësojnë njëkohësisht gjatë leximit. “Treni i natës”është libri i parë në gjuhën shqipe i një shkrimtari të njohur siç është britaniku Martin Amis. I njohur si shkrimtari i errësirës me këtë libër Amis shpalos dramën e madhe të jetës bashkëkohore. Gjithë personazhet në këtë libër duket se i ngjajnë miqve apo njerëzve tanë të afërt. Problemet janë të njëjtat me ato që dëgjojmë çdo ditë kafeneve apo në ambientet e punës…“Ambasadori i Melkizedekut” nuk është një libër i thjeshtë publicistik, që mbart brenda atë mënyrën grishëse me të cilën Veton Surroi shkruan, por një libër që mbart brenda një shqetësimin mbi atë çfarë po ndodh në ‘Shqipëritë’(Tiranë, Prishtinë, Shkup) tona.

Poeteka, dhjetor me aromë Ballkani

Nisur edhe nga vetë emri shtëpia botuese “Poeteka” nuk mund të mos propozonte një libër me poezi për këto festa. Është libri i cili sapo ka dalë në libraritë shqiptare i autorit Luan Starova “Kartagjena nuk mposhtet”. Një libër i cili veç lirizmit brenda faqeve sjell edhe një histori krejt të pazakontë jashtë tij. I botuar fillimisht në Prishtinë më ’91, libri u sekuestrua dhe u dogj nga serbët pa mbërritur ende në librari. 24 vjet më pas, vjen për lexuesin shqiptar. Për ata që duan të njohin letërsinë e fqinjëve- për shkak të historisë së shkruar me mosmarrëveshje e me izolim, nuk njihet thuajse fare në vendin tonë – Poeteka propozon tre tituj: “Hotel Grand” nga RenatoBaretić, “Kalda” e EdoPopović si edhe “E fshehta e luginës së piramidave” e boshnjakutEmir Imamović Pirke. Në gjysmën e parë të viteve 90’ të shekullit të XX, “Hotel Grand” ishte çerdhe prostitucioni. Duke u rritur në këtë mjedis, Filipi merr njohuritë e para për seksin dhe tërheqjen seksuale e njëkohësisht me to edhe për lidhjet e errëta midis krimit dhe politikës. “Kalda, histori nën lëkurë”, është një roman mbi jetën e fotografit IvanKalda, është një roman edhe për kohën tonë. “E fshehta e luginës së piramidave” sjell tablonë sesi ndryshon jeta e banorëve në qytezën e Visokos në hijen e piramidave. Minatorë që ë gërmojnë vullnetarisht në fundjavë, ekskursione nga e gjithë Bosnja në këtë kodër që fshinte piramidën, madje edhe picat në qytet filluan të shpërndahen në formën e piramidës…Për ata që duan të ‘pickojnë’ në disa autorë njëherazi pesë numrat e fundit të revistës letrare-kulturorë “Poeteka” do të bënin një dhuratë të mirë- 1100 faqe revistash do të dukeshin bukur mbledhur nën një fjongo festive.

Toena, të lexosh të bukurën

Shtëpia botuese “Toena” sjell tre propozimet e saj festive ku kryeson romani i Eric-Emmanuel Schmitt“Gruaja në pasqyrë”. Historia e tri grave që jetojnë në tri epoka të ndryshme. Të ndodhura në çaste kthesash të rëndësishme të jetës së tyre, ato kuptojnë se janë dhe ndihen ndryshe nga bashkëkohëset. “E bukura e të zotit” nga Albert Cohen sipas kësaj shtëpie botuese është një roman marramendës që arrin të prekë skajet më të fshehta të shpirtit njerëzor. Një vepër që thyen krenaritë e rreme, por edhe mitin e pasionit për dashurinë, është një sulm plot ironi të pamëshirshme ndaj institucioneve ndërkombëtare, por mbi të gjitha një himn kushtuar letërsisë. Për fëmijët vjen “Kokëboshi dhe shokët e tij”. Duke shfletuar librin, faqe pas faqeje, fëmijët do të ndjekin një sërë aventurash të Kokëboshit dhe miqve të tij, prej të cilave nxjerrin edhe mësimet mbi respektin dhe jetën në grup.

Pika pa sipërfaqe, për lexim angazhues

Kjo shtëpi botuese ka zgjedhur të propozoje libra që të angazhojnë në lexim.

Mbi televizionin” është një ese e sociologut frëng Pierre Bourdieu, i cili kritikon gazetarinë televizive dhe mënyrën se si televizioni ndikon shpesh duke deformuar fushat e tjera të jetës. Duke pasur parasysh gjendjen e medias televizive sot në trojet shqipfolëse, kritika e Bourdieu është më aktuale se kurrë për të kuptuar më thellë mekanizmat e padukshëm të pushtetit që përcakton natyrën e këtij mediumi.“Mëngjes kampionësh nga Kurt Vonnegut” është romani i dytë i botuar nga shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe” nga ky autor, pas “Thertorja pesë”. Kurt Vonnegut është një nga autorët amerikanë bashkëkohor më të njohur dhe me të dashur për publikun në të gjithë botën. Tashmë ai renditet nga autorët postmodernë më të rëndësishëm të shek. XX.“Mbi dhunën” nga Hannah Arendt është një ese e gjatë mbi dhunën dhe marrëdhënien e saj me pushtetin. Arendt është një politologët më të rëndësishëm të shekullit të XX. Megjithëse i shkruar në vitet ’70, ai është ende një libër aktual dhe vërtet i dobishëm për të kuptuar nocionin e dhunës dhe lidhjen e saj me pushtetin e shteteve moderne.

Pegi, ëndrra mes fletësh

Shtëpia botuese “Pegi” mes propozimeve të saj për festa sjell të famshmin roman të Artur Schnitzler, titulluar “Ëndërr”, romani që ka frymëzuar regjisorin e njohur Stenley Kubrick për të realizuar filmin e bujshëm “Eyeswide shut”, me aktorët Nicole Kidman dhe TomCruise, i cili qëmton misterin e një martese. Schnitzler-i, i përcaktuar edhe si “Frojdi i letërsisë” rrëmon në psikologjinë e personazheve të veta duke u prirë atyre udhën drejt një hapësire ku mendimet më të fshehta, dëshirat dhe ankthet gjejnë shtegun për t’u shpalosur tërësisht e paturpshmërisht.

“Portret grupi me një zonjë”, i Heinrich Boll, zhbiron çështjet më të ndjeshme në psikikën dhe kujtesën kolektive. Personazhi kryesor, Leni Gruiten Pfajfer, është një grua e bukur dhe e ndjeshme, por e paaftë të kuptojë gjithçka që është abstrakte, kompromis apo retorikë boshe

“Rrëfenja e shërbëtores”, botuar për herë të parë në 1985, përkthyer në shumë gjuhë, ka shitur miliona kopje në të gjithë botën, duke mos dalë kurrë nga qarkullimi është sipas shumë kritikëve apo listave të rëndësishme të leximit një “must”. Vepra ka provokuar reagimet e masave, duke u kthyer në një manifest të feminizmit, por edhe duke u censuruar në shumë shkolla amerikane dhe duke ngritur polemika të shumta. Për fëmijët Pegi sjell aventurat e derrkuces trazovaçe dhe gazmore “Olivia” si edhe të gjithë sagën “Në mbretërinë e fantazisë”, rrëfenjat e së cilës i rrinë për shtat frymës së festave.

Living, leximi kërkon ëmbëlsi

Shtëpia botuese Living sjell atë çka të gjithë duam për festa; receta, këshilla, ide për dhurata dhe për të dekoruar. “Festat me Living” janë150 faqe me ngjyra, fotografi cilësore më shume se 60 receta të festave, të traditës dhe jo, nga shefat më të njohur. “Nëse nuk je vetë amvisë, mund t‘ia bësh dhuratë një amvise dhe do të të jetë shumë mirënjohëse”, – thotë Iva Tiço, drejtore e Botimeve Living. “Girlboss” e Sofia Amorusos sjell këshilla sesi një vajzë merr në dorë frerët e jetës së vet. Ajo arrin gjithçka që do, se punon për këtë qëllim. Botimet Living propozojnë edhe librin “Rregullat e Gotit” nga gazetari investigativ Xhorxh Anastasia. Një përshkrim gazetaresk i historisë së Xhon Alitës në familjen kriminale Gambino dhe rolit të tij në gjyqet federale të Xhunior Gotit dhe Ҫarls Karnelias. Për ata që kanë shtuar në peshë gjatë festave vjen edhe “Humb në peshë tani” – metoda më e suksesshme për të humbur peshë në çdo kohë nga botuesi Allan Carr, me mbi 14 milionë kopje të shitura në mbarë botën.

Minerva, këshilla motivimi

“100 mënyra për të motivuar veten” është i mbushur me teknika për thyerjen e pengesave negative dhe largimin e mendimeve pesimiste, që ju pengojnë të përmbushni synimet dhe ëndrrat tuaja. Nëse jeni i vetëpunësuar, menaxher apo drejtor i një kompanie të fuqishme, është e lehtë të mbeteni duke jetuar një jetë monotone dhe të fantazoni atë që “mund të kishte ndodhur”. Folësi motivues, Steve Chandler, ju ndihmon ta ktheni atë mënyrë të menduari në atë që “mund të ndodhë”. Idetë e tij do t’ju ndihmojnë të krijoni një plan veprimi për të jetuar vizionin tuaj të biznesit, ose të jetës në përgjithësi. Ky libër është i mbushur me metoda të vërtetuara për ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe krijimin e vetes suaj.

Dudaj, jetë parisianesh

Botimet Dudaj sjellin në kryen e listës së propozimeve librin “E vërteta mbi çështjen Harry Quebert” nga Joël Dicker. Një lumë i rrëmbyer, që e përfshin lexuesin e përkund pa ndalur nga faqja e parë në të fundit, është libri i verdhë i njohur botërisht si eventi editorial më i mirë i viteve të fundit.“E shtrenjta jetë” nga fituesja e çmimi Nobel për letërsinë në vitin 2013AliceMunro, është një rrëfim mbi jetën. Të shkruash për jetën, të shkruash për të dalë gjallë prej saj. Të mbahesh fort pas fillit të rrjedhës së fjalëve të tua e të mos e lësh të ikë. Ta tendosësh edhe një herë e të kthehesh tek esenca e rrëfimit.

Doni të dini se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh parisiane? Libri “Si të jesh parisiane” mund të jetë i duhuri. Në paragrafë të shkurtër hokatarë, këto gra parisiane sjellin pikëpamjet e tyre shumë origjinale mbi stilin, kulturën, sjelljen dhe burrat. Autoret – Anne Berest, Audreu Dëan, Caroline de Maigret dhe Sophie Mas – beqare, por të lidhura dhe me fëmijë, janë shoqe prej vitesh. Duke lejuar depërtimin në sekretet dhe të metat e tyre, ato gjithashtu tallen me sjelljen dhe ndjenjat e tyre të komplikuara dhe shpesh kontradiktore. Nuk mund të mungojnë bestsellerët në këtë listë. “Gurskalitësi” e autores më të kërkuar në Suedi Camila Lackberg, e cilësuar nga kritika si mjeshtre për ndërthurjen e skenave të ngrohtësisë familjare me llahtarët rrëqethës.

Skanderbeg Books, e gjithë bota në 5 tituj

Libri i parë që botuesja Flutura Açka sugjeron për Krishtlindje është “Korrigjimet”, nga Jonathan Franzen. Një roman që i kushtohet një familjeje që mëton të mblidhet në Krishtilindje, një roman i gjatë që të jep kënaqësinë e disa ditësh leximi. “Thërrmijat elementare” i francezit polemik Michel Houellebecq është një roman i menduar dhe aktual, jeta e dy gjysmë vëllezërve, që të dy bashkë, me jetët e tyre të ndryshme, ndërtojnë një histori të përbashkët, si dy pjese të një njeriu të vetëm që luhatet mes seksit dhe ndjenjës, mes arsyes dhe emocionit. Një tjetër propozim është edhe i bujshmi “Nënshtrimi”, po nga i njëjti autor. “Për lexuesit që kanë nevojë të reflektojnë në fund të vitit për atë ç’kanë kaluar, ky libër është një mundësi për të kujtuar janarin e këtij viti dhe aktin terrorist në revistën satirike franceze ‘Charlie Hebdo’. Me ndjesitë e tij të shpeshta profetike, ky autor i çuditshëm francez tashmë është padyshim ndër më të rëndësishmit edhe për lexuesin shqiptar, dhe mes tyre ‘Nënshtrimi’ është më i kërkuari”,- shprehet Açka. “Kafka në breg”, i japonezit kandidat për ‘Nobel’, Haruki Murakami, vjen me një stil rrëfimi mes realizmit magjik dhe sensit metafizik, sjell një histori dashurie plot lakadredhje dhe rrëmbyese. Për një lexues që përtej kënaqësisë së argëtimit, kërkon nga letërsie edhe magjinë e tërheqje dhe përhumbjes në të, ky libër është nga ata libra që të lë pengje për kalimin pakuptuar të faqeve të tij të magjishme. “Jetë fshati” nga Amos Oz është një histori të natyrës tipike të këtij autori të rëndësishëm izraelit, i njohur nga lexuesi shqiptar më herët me “Të njohësh një grua”, “Majkëlli im”, dhe kryeveprën e tij “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”. Amos Oz është autor i detajit dhe një rrëfimtar ndër më të dashurit të botës sot, por edhe një nga opinionistët më të rëndësishëm për çështjen e Lindjes së mesme dhe raportet Izrael-Palestinë.