Çmimet e energjisë nuk ndryshojnë deri në qershor 2016

Çmimet e energjisë për familjarët dhe biznesin nuk do të ndryshojnë të paktën deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Përmes një mbledhje pa praninë e mediave, Enti Rregullator i Energjisë, ka vendosur të mbajë tarifat ekzistuese të energjisë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, të paktën edhe për gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Tarifat aktuale të energjisë janë miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe hyn në fuqi në 1 janar 2015. Sipas këtyre tarifave, çmimi për konsumatorët familjarë është 9.5 lekë për kilovat orë, ndërsa për bizneset ai varion nga 7.1 deri në 12.65 lekë për kilovat orë, në varësi të llojit të biznesit, por edhe tensionit në të cilin është lidhur.

Vitet e mëparshme Enti zakonisht i ka miratuar çmimet për periudha një vjeçare. Por këtë herë institucioni që mbikqyr dhe rregullon tregun e energjisë, ka preferuar që t’i miratojë ato për një periudhë 6-mujore.

Burime nga ky institucion thanë për “Top Channel” se, ky vendim është i lidhur me zhvillimet financiare në tregun energjetik. Sipas tyre, Enti ka kërkuar të marrë më shumë kohë për të studiuar me më hollësi të ardhurat e kompanive.

Si rezultat i aksionit për uljen e vjedhjeve të energjisë, por edhe rritjes së çmimeve për një sërë konsumatorësh, të ardhurat e OSHEE por edhe kompanive të tjera të sisteimit, kanë shënuar rritje të fortë.

Sipas të dhënave zyrtare, në 11 muajt e parë të këtij viti, Operatori i Shpërndarjes arkëtoi shifrën rekord prej 435 milionë eurosh, ose 120 milionë euro më shumë se sa e njëta periudhë e një viti më parë.

Të ardhurat që arkëtojnë kompanitë janë një nga faktorët kryesorë në përcaktimin e çmimit që paguajnë konsumatorët, si biznesi ashtu dhe familjet.

Në kushte normale rritja e arkëtimeve nga kompanitë energjetikë duhet të bënte presion për uljen e çmimeve. Por burime nga Enti thonë se, përpara një vendimi për të ndryshuar çmimet duhet të analizojë se, cila pjesë e rritjes së të ardhurave vjen nga faturat korente dhe cila pjesë nga borxhet e prapambetura.