Çlirimi i Tiranës, çfarë shkruhej në librat e Enver Hoxhës

Si e kujtonte udhëheqësi komunist rrugën nga Berati drejt Tiranës dhe pse këmbëngulte për të qenë në kryeqytet më 28 nëntor. Odisea e udhëtimit si drejtues i Shqipërisë dhe fjalimi i parë, drejtuar njerëzve të mbledhur përpara hotel “Dajti”-t

“Ndërkohë armiku s’qe shporrur përfundimisht. Nga Berati nënshkrova urdhrin drejtuar Korparmatës I, divizioneve dhe brigadave për të sulmuar dhe për të çliruar Tiranën. Plani operativ për çlirimin e kryeqytetit që kishim hartuar, ishte pjesë përbërëse e planit strategjik, i cili do të bënte të mundur që deri në fund të nëntorit të mos mbetej këmbë armiku në gjithë Shqipërinë. I kishim të gjitha mundësitë për të arritur këtë objektiv. Ushtria Nacionalçlirimtare kishte tani në efektivin e vet mbi 70 mijë luftëtarë të organizuar në brigada, divizione, korparmata.

Për detajimin përfundimtar të planit të çlirimit të Tiranës bisedova me Hysni Kapon, i cili ishte i deleguari i Komitetit Qendror dhe komisar i Korparmatës I dhe ishte përgjegjësi kryesor për realizimin e këtij plani. Dhe ja, në mbrëmjen e 16 nëntorit na erdhi në Berat lajmi se Tirana, kryeqyteti i atdheut tonë, thuajse ishte çliruar plotësisht. Pushtuesve dhe tradhtarëve nuk u kishin mbetur më shumë se disa orë jetë. Me një gëzim të papërmbajtur dhe me një emocion të veçantë, u ula dhe shkrova qysh atë mbrëmje mesazhin drejtuar popullit shqiptar për këtë sihariq të madh, kurse të nesërmen, në mëngjesin e 17 nëntorit, u dëgjuan pushkët e fundit dhe kryeqyteti i atdheut tonë u çlirua një herë e përgjithmonë. Rruga për Tiranë tashmë ishte e hapur. Pas kaq vjet betejash e përpjekjesh, mundimesh e sakrificash në krye të Partisë e të luftës për liri, erdhi çasti që ne djemtë e vajzat e popullit të hynim fitimtarë në kryeqytet.

Propozova që Qeveria të hynte në Tiranë më 28 nëntor, në ditën e shënuar të Shpalljes së Pavarësisë. Vetë zgjedhja e kësaj dite për vendosjen e Qeverisë Demokratike në kryeqytetin e çliruar nga armët partizane do të ishte kuptimplotë.

Ndonëse në kushte normale distanca nga Berati në Tiranë me automjet mbulohet në jo më tepër se tri orë, ne u nisëm nga Berati një ditë më parë, sepse rrugët ishin të prishura dhe mund të ndodhte edhe ndonjë vonesë e paparashikuar. Dhe me të vërtetë udhëtimi ynë i parë nëpër atdheun e sapoçliruar s’mundi t’i shmangej njëfarë odiseje. Deri tek ura e Hasan Beut, siç i thoshin në atë kohë Urës Vajgurore, shkuam me disa automobila e me triçikla, që ia kishim zënë armikut apo i kishim rekuizuar. Aty i lamë makinat e triçiklat, sepse më tutje nuk kalonin dot, ngaqë gjermanët në tërheqje e sipër e kishin hedhur në erë urën. Kaluam, pra, Osumin me mjete rrethanore dhe matanë hipëm në një autobus që na priste. Kur arritëm tek ura e Kuçit zbritëm edhe nga autobusi, e kaluam lumin me vështirësi mbi një trap të improvizuar dhe vazhduam rrugën, derisa në Rrogozhinë na “doli” përpara një tjetër pengesë: Shkumbini. E lamë autobusin, hodhëm lumin grupe-grupe me një trap të vogël dhe, me disa vetura të ardhura posaçërisht nga Tirana, u kthyem djathtas, në drejtim të Elbasanit, sepse rruga Rrogozhinë-Kavajë-Tiranë ishte e minuar dhe me ura të shkatërruara.

Meqë kishim kaluar vështirësi të panumërta gjatë luftës, nuk na bënin ndonjë përshtypje të jashtëzakonshme këto peripeci të udhëtimit. Përkundrazi, na jepnin rast edhe për ndonjë shaka e humor. Sidoqoftë, gjatë gjithë kohës që udhëtuam, duke parë majtas e djathtas mendoja se ç’punë të mëdha na pritnin, se rindërtimi duhej filluar nga gjithçka, nga shtëpitë e djegura e nga këto ura, pa të cilat s’bëhej një hap.

Qyteti i Elbasanit kishte dy javë që ishte çliruar.

Nga ballkoni i hotelit akoma me emrin e mëparshëm “Moderno”, ku u vendosëm për të kaluar natën, përshëndeta popullin, që kishte mbushur sheshin dhe rrugët. Të nesërmen në mëngjes, më 28 nëntor, kolona jonë u nis për në Tiranë e përcjellë me dashuri nga grumbuj njerëzish, nga të dy anët e rrugës, deri në të dalë të Elbasanit. Edhe këtej rruga ishte e dëmtuar, kudo dukeshin të freskëta gjurmët e luftës. Kolonat gjermane, të ardhura nga Greqia, nuk e kaluan dot Qafën e Kërrabës për t’u ardhur në ndihmë forcave të tyre, të futura në një darë të zjarrtë në Tiranë. Goditjet tona të fuqishme i shpartalluan krejtësisht. Anash rrugës shikonim tanke e autoblinda të përmbysura, automjete të djegura, të zhvendosura pak sa për të hapur kalimin, pirgje me gëzhoja mitralozash, helmeta ushtarësh armiq. Sa më tepër i afroheshim Tiranës aq më të dukshme bëheshin, nga të dyja anët e udhës, armët e shkatërruara të armiqve. Kishte diçka të bukur e simbolike në këtë peizazh: fitimtarët kalonin krenarë përmes armëve të thyera e mbeturinave të të mundurve, të pushtuesve.

Po ktheheshim në Tiranën tonë të dashur dhe, për herë të parë pas kaq vjetësh, hynim atje jo ilegalë, me emra e me dokumente false, por lirisht e, për më tepër, fitimtarë! Tirana që për vite me radhë ngrysej e gdhihej mes fishkëllimave të bilbilave, sirenave të alarmit e në coprifuoco, tani ishte e çliruar pas një lufte heroike e të lavdishme. Këtë luftë e udhëhoqi Partia jonë marksiste-leniniste syshqiponjë, që nuk gaboi asnjëherë në vijë, se kishte në zemër dëshirat dhe aspiratat e popullit. Ajo mori përsipër barrën më të rëndë, por të shenjtë dhe e mbajti me nder duke e çuar këtë herë popullin tonë në fitoren e plotë, krahas lirisë ajo e solli popullin në fuqi, në pushtet.

Duke iu afruar kryeqytetit, ndihesha i emocionuar dhe nëpër mend më vinin ditët që kisha kaluar atje, kur bashkë me shokë të dashur e të afërt, me Qemalin, me Vasilin e të tjerë, punuam që nga grupet e veçuara, në grindje me njëri-tjetrin, të krijonim Partinë tonë Komuniste, avangardën e çeliktë të popullit. Kujtoja demonstratat e aksionet tona të para, ditët e netët kur ilegalisht kalonim nga njëra bazë në tjetrën, të ruajtur nga dashuria e njerëzve të thjeshtë të popullit. Këtu në Tiranë qemë rritur, qemë kalitur, kishim fituar eksperiencë për të organizuar e për të drejtuar, për të kryer detyrat që na kishte ngarkuar Partia jonë e dashur.

Që nga Pallati i Brigadave, gjatë Rrugës së Elbasanit e deri në qendër, dukeshin gjurmët e luftës heroike. Nëpër rrugë, në gërmadhat e mureve të shtëpive e në godinat e tjera dukeshin shenjat që kishin lënë predhat e plumbat, deri edhe minarja në qendër, pranë sahatit të madh, ishte e prerë përgjysmë nga goditjet e artilerisë.

Por popullin e Tiranës e gjetëm të gëzuar, me këngë në gojë, entuziast e optimist, tek priste Qeverinë e tij. Një masë e madhe njerëzish kishte mbushur rrugët e bulevardin e madh para hotel “Dajtit”. Nga një tribunë e thjeshtë e përshëndeta popullin me rastin e Ditës së Pavarësisë, të cilën për herë të parë pas kaq vjet lufte e festonim të lirë.

– Flamuri ynë i lavdishëm, – thashë i emocionuar, – i skuqur me gjakun e heronjve të popullit të rënë në këtë luftë antifashiste, valon sot krenar në qiellin e Shqipërisë së lirë. Pesë vjet kanë kaluar nga robëria e rëndë fashiste, pesë herë nëpër rrugët e qyteteve të Shqipërisë, në çdo 28 Nëntor është derdhur gjaku i bijve heroikë, që përlesheshin me bajonetat e okupatorit dhe të tradhtarëve. Dita e Flamurit u bë kështu dita dy herë e shenjtë, Dita e Shpalljes së Pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar.

I ndërprerë shpesh nga brohoritjet e duartrokitjet e pareshtura, fola për luftën heroike të popullit tonë, i cili iu përgjigj menjëherë kushtrimit të bijve të tij më të mirë dhe, me Partinë në krye, arriti të çlirojë një herë e përgjithmonë atdheun e të marrë vetë frenat e së ardhmes në dorë.

– Ndërtimi i Shqipërisë, zhvillimi i ekonomisë, i kulturës dhe i arsimit të popullit, ngritja e nivelit të jetesës së tij hapin një faqe tjetër të historisë sonë, histori që është në dorën tonë ta bëjmë dhe do ta bëjmë po aq të lavdishme sa edhe Luftën Nacionalçlirimtare, – thashë më poshtë. – Edhe në këtë luftë do të dalim fitimtarë, sepse tani ne kemi pushtetin tonë, që është i popullit dhe punon për popullin. Prandaj të japim çdo gjë për pushtetin, ta bëjmë këtë të fortë, se kështu do ta ndërtojmë vendin tonë të djegur, do të mëkëmbim bujqësinë dhe ekonominë tonë, do të ngremë shtëpitë e shkatërruara, do të çelim shkolla e do të ndërtojmë spitale. Shqipëria do të bëhet një kantier i madh pune. Në luftën për çlirim ne nuk kursyem as jetën, sot nuk duhet të kursejmë as mundin dhe djersën. I madh dhe i vogël e kupton se nuk robtohet më për të huajt, por punon e ndërton vendin e tij, jetën e tij.

Ishin çaste historike, emocionante e të paharruara për Partinë dhe për popullin tonë! Ishin çastet e gëzimit të fitores së madhe. Me gjak, me djersë, me mund e sakrifica kishim kryer një vepër gjigante dhe madhështore.

Të nesërmen e kësaj dite të paharruar na erdhi lajmi i çlirimit të qytetit të Shkodrës, i cili shënonte dhe çlirimin e gjithë Shqipërisë.

Pikërisht atë ditë dy divizione të Ushtrisë Partizane Nacionalçlirimtare, të asaj ushtrie heroike të popullit shqiptar, që me gjakun, heroizmin, vetëmohimin e saj kishte korrur fitore pas fitoreje mbi pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre, me urdhër të Komandës së Përgjithshme, kaluan kufirin për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Fitore të reja do të shënoheshin në historikun e lavdishëm të Ushtrisë sonë Popullore. Ndërsa bijtë më të mirë të vendit tonë do të derdhnin gjakun për çlirimin e vëllezërve tane kosovarë, të Malit të Zi e të Maqedonisë dhe të popujve të Jugosllavisë, në Shqipëri 29 Nëntori shënonte fillimin e një epoke të re, të epokës së socializmit.

Kështu pranë ditës historike të 28 Nëntorit, Ditës së rradhe të Flamurit, u radhit Dita tjetër e madhe, 29 Nëntori, Dita e Çlirimit të Atdheut dhe e fitores së revolucionit popullor. Si njëra, ashtu edhe tjetra datë përfaqësojnë dy periudha të ndryshme, por të lavdishme të popullit shqiptar, dy periudha të cilat do të shkëlqejnë me tërë madhështinë e tyre në rrjedhë të viteve dhe të shekujve.

E tash periudha e re po niste. Të gjithë ishin të sigurt: ashtu siç kryem një vepër madhështore gjatë luftës, akoma më madhështore e më të mrekullueshme do ta ndërtonim e do ta mbronim veprën tjetër që kishim përpara – Shqipërinë socialiste!”