Çfarë i duhet Shqipërisë për të pasur rritje ekonomike?!

Kemi 10 vjet që akoma nuk po i japim një përgjigje gjithëpërfshirëse me natyrë strategjike: cilat janë objektivat dhe strategjitë për një ndryshim strukturor në kontributin e degëve apo sektorëve në PBB për 10 apo 15 vitet e ardhshme? Sa dhe si do t’i zëvendësojmë “gropat” e shkaktuara në ecurinë dhe stabilitetin e PBB nga rrudhja e sektorit të ndërtimit, zvogëlimi i remitancave, mundësitë gjithnjë e më të kufizuara të privatizimeve”? Sa për qind e kemi të varur rritjen ekonomike nga ndryshimet strukturore në ekonominë tonë?

Nga  Adrian Civici*

Rritja ekonomike është sot kryefjala e shëndetit të çdo ekonomie, e mundësive për financa të stabilizuara, e oportuniteteve të punësimit dhe reduktimit të papunësisë, e mundësive të rritjes së konsumit, e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm etj. Institucionet kryesore ndërkombëtare, si FMN apo Banka Botërore, apo dhe çdo qeveri, e kujtdo vendi qoftë, krenarinë e sukseseve të saj apo përballjen me kritikat e ballafaqon vazhdimisht me shifrat e rritjes ekonomike që realizon. Me prodhimin e Brendshëm Bruto, (PBB) raportohet borxhi publik, deficiti buxhetor, investimet publike, investimet e huaja direkte, ngarkesa fiskale etj.

Në një manual mbi rritjen ekonomike që tashmë është mjaft i përhapur, “Economic growth-assesment and impact indicators”, shkruhet : “Jeni politikan i një vendi të varfër? Atëherë, bëni përpjekje për rritjen e të ardhurave kombëtare. Vendi juaj ka shumë borxhe të brendshme e të jashtme? Ju nuk mund t’i përmbushni obligimet tuaja dhe t’i zvogëloni ato pa shtimin e rritjes ekonomike…. Në vendin tuaj ka pabarazi ekonomike, sociale e territoriale? Atëherë filloni të shtoni madhësinë e “tortës” që duhet të shpërndani, pra shtoni rritjen ekonomike që të keni më shumë para në dispozicion. Buxheti publik nuk është asnjëherë i mjaftueshëm për të realizuar kërkesat dhe objektivat? Përmirësoni politikën fiskale dhe rrisni mundësinë e aktiviteteve prodhuese në të gjithë sektorët e ekonomisë. Aksionerët e kompanisë reklamojnë gjithnjë e më shumë fitime? Atëherë, përpiquni të shtoni vëllimin e prodhimit dhe shitjet. Kërkoni një vend punë dhe nuk e gjeni dot? Kërkoni paga më të larta dhe mundësi më të mëdha konsumi? Kini durim, bizneset presin vetëm përmirësimin e konjukturës ekonomike dhe ritmin e rritjes ekonomike për t’i plotësuar këto kërkesa”.

Natyrisht, kur flitet për rritjen ekonomike duhen marrë në konsideratë debatet e diskutimet e shumta me natyrë ekonomike, financiare e sociale, të cilat nuk e absolutizojnë apo cilësojnë atë si shkopi magjik që zgjidh gjithçka, duke rekomanduar që analizat dhe vlerësimet për të, të shoqërohen gjithnjë me pyetje e konkluzione të tilla si: në çfarë niveli rritja ekonomike shndërrohet në zhvillim ekonomik e social? Sa dhe si “përkthehet” ajo në mirëqenie dhe progres? Kemi të bëjmë me rritje ekonomike sasiore apo cilësore? Si ndikon rritja ekonomike në zhvillimin e qëndrueshëm? Kemi të bëjmë me një rritje ekonomike “miqësore” apo “agresive shkatërruese” me mjedisin? Sa e kënaqur ndihet popullsia e një vendi me rritjen ekonomike dhe efektet e saj konkrete në jetën e përditshme? etj.

Parë në këtë këndvështrim, rritja ekonomike mund të konsiderohet si një “termometër” apo “letër lakmuesi”, që nga njëra anë reflekton dhe dëshmon gjendjen e ekonomisë dhe sistemit financiar, funksionimi, eficenca dhe kapaciteti i të cilave reflektohet në përqindjen e rritjes ekonomike, dhe nga ana tjetër, reflekton mundësitë dhe rezultatet konkrete për realizimin e një serie politikash ekonomike, financiare e sociale, të cilat varen ndjeshëm nga të ardhurat që vijnë pikërisht nga shifra e rritjes ekonomike.

Në këtë sens, “portretizimi i rritjes ekonomike”, “tiparet e saj kryesore” na përballin më qartë me përgjegjësinë për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme, të strukturuar mirë e në mënyrë eficente, që është e aftë të përballojë krizat apo vështirësi, që lindin nga ciklet e biznesit dhe reformat e rëndësishme strukturore, ashtu siç na përballin me përgjegjësitë për politikat sociale, zhvillimin e qëndrueshëm etj. Duke i sintetizuar në disa elemente thelbësore tiparet e rritjes ekonomike në Shqipëri në këto 25 vite tranzicioni, mund të përvijohen disa elemente të rëndësishme që e karakterizojnë atë, të tilla si :

Rritja ekonomike në këto 25 vite ka patur natyrë të çrregullt, d.m.th., ka patur luhatje të mëdha, të cilat kanë reflektuar specifikat e tranzicionit shqiptar – fillimi nga një bazë nisjeje shumë e ulët, konfliktet e vazhdueshme politike, trazirat sociale, siç ishte 1997, efektin e reformave strukturore e transformuese në kuadrin e marrëveshjeve me FMN dhe BB, situatat e favorshme ekonomike rajonale e ndërkombëtare apo krizën financiare globale, gjendjen ekonomike të fqinjëve si: Greqia dhe Italia etj. Kemi patur rritje 5-6% në vitet 1994-96,  rritje negative në 1997, kemi arritur gati 8% në 2008 për të zbritur në 1.3% në 2012, ndërkohë që 2-3 vitet e fundit po tentojmë me shumë sforco të kalojmë tavanin e 3%. Këto shifra vërtetojnë më së miri brishtësinë e ecurisë së PBB dhe ndikueshmërinë e lartë të tij “nga faktorë të jashtëm” në kuptimin, jo të lidhur ngushtë me strukturën ekonomike dhe eficencën e saj.

Rritja ekonomike nuk ka prodhuar në mënyrë simetrike efektet kolaterale pozitive që priten prej saj. P.sh., nuk ka ecur në të njëjtin sens me punësimin duke qenë larg dhe atij që njihet si “ligji i Okun-it”, d.m.th., rritje simetrike e punësimit në funksion të rritjes ekonomike. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve në të cilat vërtetohet një lidhje e dobët shkak-pasojë ndërmjet rritjes ekonomike dhe zvogëlimit të papunësisë. Në shumë vite papunësia ka patur si valvul shkarkimi emigracionin. Veç kësaj, rritja ekonomike ka prodhuar dhe diferencim në zhvillimin rajonal, territorial apo social. Më pozitive duket lidhje e saj me nivelin e varfërisë. Studime të ndryshme dëshmojnë se ka një korrelacion pozitiv ndërmjet rritjes ekonomike dhe uljes së varfërisë, pra një rritje më përfshirëse. Kështu, p.sh., në periudhën 2002-2008, në të cilën rritja shkoi nga 4.2% në 7.5%, varfëria ra nga 25.4% në 12.5%, ndërkohë që rënia në 1.3% në 2012 ndikoi në shtimin relativ të varfërisë. Tregu i punës vazhdon akoma të mos ketë fleksibilitetin dhe aftësinë absorbuese optimale.

Rritja ekonomike ka qenë kryesisht e mbështetur te konsumi, remitancat dhe importet dhe jo te prodhimi, investimet dhe eksportet… Ka qenë më shumë me natyrë sasiore ekstensive, sesa rritje ekonomike cilësore, që buron nga sektorë e aktivitete me eficencë të lartë dhe teknologji e inovacione moderne. P.sh., në periudhën 2000-2008, totali i konsumit zinte gati 64% të rritjes në kërkesën e përgjithshme, ndërkohë që në periudhën e ndikimit edhe të krizës financiare globale, kjo shifër ka ardhur vazhdimisht duke u rrudhur. Ngadalësimi ekonomik që filloi mbas vitit 2008, shkaktoi dhe një rënie të kërkesës për punë duke ndikuar në uljen e të ardhurave të familjeve dhe konsumit të tyre. Ndërkohë, po të analizosh strukturën e hapjes së vendeve të reja të punës në 10-15 vitet e fundit, evidentohet fakti se punësimet kryesore janë në shërbime pa shumë standarde e cilësi të lartë, industrinë me fason, call center etj. Kur flasim për kapitalin apo sasinë e investimeve të nevojshme për një vend të ri pune, ne flasim për shifra minimale të tipit 3000–5000 euro për një vend pune, ndërkohë që punësimi eficent – që kërkon dhe burime njerëzore po kaq të përgatitura e eficente – luhatet në shifrat 20000–30000 euro për një vend pune, i cili natyrisht dhe pagat i ka shumë më të larta. Duke iu referuar Bankës Botërore, evidentohet fakti se në Shqipëri “produktiviteti ndikon pak në rritjen ekonomike”: produktiviteti total i faktorëve, puna dhe kapitali human apo stoku i kapitalit për njësi pune ka ardhur duke u ulur në periudhën 2000-2014.

Rritja ekonomike vazhdon akoma të jetë shumë e ndjeshme nga investimet publike dhe kreditë e sektorit bankar – ndërkohë që duhet peshë më e madhe e sektorit privat, financimeve nga tregu financiar etj. Në mjaft analiza të kryera, evidentohet fakti se rritja ekonomike dhe qëndrueshmëria fiskale varet ndjeshëm nga realizimi i investimeve publike dhe krediti bankar. Mbi 80% e financimeve në ekonomi dhe konsum vjen nga sistemi bankar, ndërkohë që në vendet e zhvilluara ky tregues është gati i përmbysur në favor të tregjeve financiare, bursave të kapitaleve, fondeve të investimit, sektorit privat të industrisë apo shërbimeve etj. Edhe aksesin në shërbimet financiare vazhdojmë ta kemi të ulët si në raport me vendet e rajonit, ashtu dhe ato të BE-së. Kjo shpjegon dhe arsyen se përse rritja e dobët e kredisë ka efekt direkt në rritjen e dobët të rritjes ekonomike.

Rritja ekonomike dhe konvergjenca me ekonomitë rajonale dhe atë europiane. Kur analizojmë strukturën e ekonomisë shqiptare, eficencën, konkurrueshmërinë, nivelin e pagave dhe çmimet etj., pak e lidhim këtë me politika specifike që garantojnë konvergjencën dhe na afrojnë me rajonin dhe BE. Në mjaft tregues thelbësorë ekonomikë, financiarë dhe socialë jemi mbrapa atyre mesatarë rajonalë dhe europianë. Duhet një rritje ekonomike e qëndrueshme mbi 5-6%, që të krijojmë mundësi përafrimi apo konvergjence, sidomos me mesataren e BE.

Shifra e rritjes ekonomike ka qenë dhe mbetet objekt debatesh e diskutimesh të shumta në Shqipëri. Përveç shpërdorimit në kuadrin e konfliktualitetin politik, çka e përball shifrën e rritjes së dhënë nga INSTAT me inatet politike dhe mosbesimin kronik për vërtetësinë e saj, kjo stimulohet dhe nga fakti se mbledhja e informacionit apo të dhënave mbetet e vështirë, ndërkohë që nuk bëjmë dot korrigjime dhe matje në kohë reale si pasojë e vështirësive në koordinimin e institucioneve në lidhje me transparencën e financave publike dhe private… tatimet, thesari, ministritë, doganat, INSTAT, BSH, bankat etj. Natyrisht që një gjë e tillë pengon eficencën e politikave publike dhe vendimmarrjen në sektorin privat apo IHD.

Rritja ekonomike dhe modeli i ri ekonomik, ose më saktë “modelimi i ri ekonomik që ka të bëjë me kontributin e sektorëve të ndryshëm në PBB”. Këtë debat e ka hapur që në vitin 2005 Banka Botërore me studimin mbi faktorët e rritjes dhe zhvillimit në Shqipëri, ndërkohë që kemi 10 vjet që akoma nuk po i japim një përgjigje gjithëpërfshirëse me natyrë strategjike: cilat janë objektivat dhe strategjitë për një ndryshim strukturor në kontributin e degëve apo sektorëve në PBB për 10 apo 15 vitet e ardhshme? Sa dhe si do t’i zëvendësojmë “gropat” e shkaktuara në ecurinë dhe stabilitetin e PBB nga rrudhja e sektorit të ndërtimit, zvogëlimi i remitancave, mundësitë gjithnjë e më të kufizuara të privatizimeve”? Sa për qind e kemi të varur rritjen ekonomike nga ndryshimet strukturore në ekonominë tonë? etj. Pa një përgjigje direkte eficente në këtë çështje, është e zorshme të jemi plotësisht të bindur se politikat tona ekonomike, klima e biznesit, politikat fiskale e buxhetore etj., shkojnë në drejtimin e duhur. E rëndësishme është mbizotërimi i filozofisë, që duket se tashmë është kuptuar, se rritja duhet të udhëhiqet nga investimet dhe eksportet dhe jo nga konsumi dhe importet.

*President i Universitetit Europian të Tiranës. Titulli i orgjinalit: Profili dhe tiparet e rritjes ekonomike në Shqipëri