“Çdo punë e imja fillon nga zbërthimi i vetvetes”

Ai është rritur mes librave, prandaj dëshira e tij është që nëpërmjet artit të tregojë gjendjen e brendshme të njeriut. Kjo dëshirë i vjen që nga influencat e fëmijërisë së hershme. Bëhet fjalë për fituesin e ekspozitës ndërkombëtare “Onufri XXI”, (2015), Eros Dibra, i cili të gjitha këto influenca i ka përkthyer në përvoja artistike, në video dhe pikturë. Teksa na tregon se në formimin e ndjeshmërive të tij artistike kanë luajtur rol të rëndësishëm, sidomos, veprat e kolosëve të letërsisë si: Dostojevski, Kafka, Pessoa, Proust-i, arrijmë të kuptojmë se artisti i ri shkodran, djali i shkrimtarit Ridvan Dibra, përveçse këtyre shkrimtarëve, e ka pasur pranë përherë udhërrëfyesin e tij.

Eros, vetëm para pak ditësh u vlerësove me çmimin të parë në ekspozitën ndërkombëtare “Onufri XXI”. Përveçse emocioneve, çfarë përgjegjësie lind tek ti pas këtij çmimi, në vijimin e karrierës tënde?

Ky çmim më zuri në befasi, të papërgatitur e, për rrjedhojë, nuk i fsheh emocionet. Duhet ta them që “Onufri” është çmimi i parë për mua, dhe rasti e desh që të ishte dhe më i rëndësishmi në artet pamore shqiptare. Padyshim që është një përgjegjësi e shtuar, por unë ruaj bindjen që çmimi nuk e bën artistin, por e ngroh atë, është një stimul që të jep më shumë siguri. Unë nuk jam dhe nuk pretendoj të jem një artist i karrierës, madje ky term më shqetëson paksa, por mund të them që çmimi më ka dhënë një rreze dielli në këtë dimër të ashpër.

Video-instalacioni jot, “XXI”, reflektohet në pasqyrë. Një fëmijë mban nën bluzë një pistoletë, të cilën ia drejton vetes… Ç’mund të na thuash për videon e realizuar, qysh nga zanafilla e saj?

Që në momentin e parë kur unë kam lexuar thirrjen e hapur për aplikim dhe propozim nga kuratorët VestandPage, Verena Stenke dhe Andrea Pagnes, e kam parë qelqin si një metaforë, si një ekzistencë të brishtë dhe të pastër që i kalon kufijtë e materialit kimik e fizik. Qelqi për mua ishte vetë qenia njerëzore, ishte gjendje, e brendshmja jonë, e gatshme për t’u shformësuar sa hap e mbyll sytë, me prekjen dhe tronditjen më të lehtë. Ishte realiteti dhe shekulli ynë i ri, simboli i kohës sonë.

Puna ime “XXI”, që për koincidencë rastisi bukur dhe me “Onufrin XXI”, ishte një material i xhiruar që kishte kohë që flinte në arkiva, sikurse pjesa më e madhe e punëve të mia. Ishte një video jetime që kishte ngelur pa shtëpi, një tentativë e hershme që u konkretizua vetëm falë besimit të kuratorëve. Ishin këta të fundit që, pasi kishin parë xhirimin dhe më thanë bindshëm se ky material duhej të kthehej në vepër të plotë e të konkretizohej për këtë “Onufër”. Me pak fjalë, u desh vëmendja e dy kuratorëve të huaj, të panjohur për mua, që “XXI”-shi im ta gjente shtëpinë! Kemi pasur biseda të vazhdueshme derisa arrita në propozimin final, pak javë para ekspozimit, ku vepra u konceptua përfundimisht si video-instalacion.

Duket sikur kërkon të përcjellësh një realitet të paqëndrueshëm, që ka pasoja të mëdha, deri në një vetëvrasje jo dosido. Një realitet që as brishtësia e një fëmije nuk arrin ta kapërcejë dot…

Është e vërtetë që realiteti ynë është i paqëndrueshëm, madje do thosha që realiteti i kohës sonë është i pangjashëm me asnjë kohë tjetër paraardhëse. Shikoni rreth e rrotull! Nuk janë vetëm problemet e përgjithshme politike e sociale që e kanë sjellë këtë realitet ku ne sot jemi të detyruar të jetojmë. Problemi i vërtetë jemi ne, është njeriu. Ose disa njerëz. E gjitha kjo është vetëm pasojë e jona, e egos dhe e së keqes sonë, e atij transformimi që ka ndodhur brenda nesh.

Ne i kemi thyer ekuilibrat, ne kemi prishur rendin natyror të çdo gjëje që na rrethon, kemi humbur esencën tonë. Ne sot kemi krijuar një kohë të re, duke futur kështu veten në një rrugë që besoj tashmë është pa kthim, dhe pasojat shfaqen çdo ditë. Dhe të tëra këto janë përgjegjësi të njeriut dhe sistemit politik global që udhëheq. Ne kemi harruar dashurinë. Dhe në një realitet të tillë, fëmija i punës sime, simboli i pastërtisë dhe brishtësisë, e kishte të pamundur të mos shformësohej.

Cilat tema të ngacmojnë më tepër, aq sa të të nxisin për të krijuar?
Ngacmimi më i madh është njeriu dhe ajo çfarë fshihet përtej. Çdo punë e imja fillon nga zbërthimi i vetes, nga diçka fare e vogël, për të synuar universalizmin më pas. Unë besoj që në thelb, njerëzit janë të njëjtë, ka një fije të hollë lidhëse të padukshme që na bashkon të gjithëve në esencë, në shpirt.
Duket sikur pëlqen që eksplorosh botën e brendshme e njeriut, kam parasysh, jo vetëm video-instalacionin e “Onufri”-t, por edhe ekspozitën

“Ndjesi të djegura” te FAB… Si e përjeton procesin e një pune?
Po, është e vërtetë që më intereson shumë e brendshmja, e fshehta e njeriut, më intereson gjendja, vibrimi që unë marr e jap. E kjo, kam idenë, e ndikuar dhe nga fëmijëria ime e hershme. Unë jam bir shkrimtari dhe jam rritur me libra pa fund rreth meje. Babai, i cili është dhe miku im më i mirë, dashje pa dashje më ka transmetuar dhe vibrimet e letërsisë. Që herët kam lexuar Dostojevskin e më pas Kafkën, Pessoa-n, Proust-in dhe një pjesë të mirë kolosëve të letërsisë. Të gjitha këto kanë qenë përvoja dhe edukatë ndjeshmërie e estetike për mua, të cilat përthyhen natyrshëm si në pikturë ashtu dhe në video.

Si do ta përkufizoje komunikimin që kanë artistët e rinj sot, me artistët që e shkollës së realizmit socialist?
Besoj që një pjesë ë mirë e artistëve të rinj duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të kujdesshëm karshi tyre. Disa kanë qenë pedagogët tanë dhe kanë marrë plagë të vërteta e të thella në shpirt gjatë jetës së tyre, janë gjakosur në atë sistem, dhe plagët e tyre kanë qenë dhe duhet të jenë përvojë për ne. Kam idenë që në mbarë botën është një trendy i ngutshëm që t’u kthehet shpina të urtëve, pasojë e asaj çka fola pak më sipër mbase.

A mendon se artistët shqiptarë arrijnë ta kapërcejnë lehtësisht lokalitetin?
Jo, nuk besoj. Artistët shqiptarë, përjashto disa syresh, kanë nevojë për një mbështetje më të madhe nga politikat kulturore dhe instancat shtetërore, gjithmonë në rolin e një nxitësi, pasi artisti i vetëm është i pafuqishëm të vetë-integrohet. Ne, edhe kur arrijmë ndonjë sukses a prezantohemi jashtë lokalitetit, lokaliteti na pret i paqtë, madje dhe i heshtur.

Te kush gjen mbështetje në rrugëtimin tënd?
Janë disa persona të dashur që më kanë mbështetur që herët përsa i përket artit e dyshimeve të mia artistike. Mbështetja ime më e madhe padyshim që është familja, mikesha ime e zemrës dhe rrethi i miqve të mirë që kam.

Dhe së fundmi, çfarë e shqetëson Erosin në realitetin e përditshëm artistik?
Besoj, kam folur mjaftueshëm sa për të bërë një “Libër shqetësimesh”.

Biografia
Eros Dibra ka lindur në qytetin e Shkodrës. Në vitin 2009 ka bërë Liceun Artistik “Prenke Jakova”, për Grafik-Dizanj, në Shkodër. Studimet e larta (bachelor) i ka bërë për “Multimedia” në Universitetin e Arteve, Tiranë. Gjatë Masterit (2013) në degën e “Multimedias” është specializuar për “Video art”. Nga viti 2015 është lektor, për “Mediat e Reja të Artit dhe Grafik Dizanj”, në Akademinë e Arteve në Shkodër. Ka fituar çmimin e parë tek “Onufri XXI”, (2015). Ka ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, Galerinë Kombëtare në Shkodër, te “Zeta Galeri”, te FAB, në Bienalen e Marrakech, për video art etj.