Cani e pranon: Ka kontrabandë dhe evazion në doganat shqiptare

Doganat shqiptare kanë qenë në qendër të akuzave për kontrabandë e evazion. Që këto akuza nuk kanë qenë politike, e ka konfirmuar më në fund Ministri i Financave Shkëlqim Cani. Ai pranon se në dogana ka korrupsion dhe evazion fiskal. Në një intervistë për Ora Neës, Cani thotë se është i pakënaqur nga puna në dogana, për shkak se ky sektor ka dështuar në realizimin e të ardhurave. Dhe kjo, pikërisht për shkak të kontrabandës dhe evazionit.

“Kryesisht mosrealizimi i të ardhurave është nga doganat dhe jo nga tatimet…Si mund të jem i kënaqur? Përgjigja është: nuk jam i kënaqur nga puna e doganave, përderisa ato nuk kanë realizuar objektivin” u shpreh ministri Cani kur u pyet nëse ishte i kënaqur me punën e këtij sektori. Ai thotë prerë: “Faji i administratës është…! Ka kontrabandë, ka evazion dhe ky është shqetësimi im. Ky shqetësim është përsa kohë institucioni i doganave nuk më jep një analizë të plotë bindëse që i ka shterur të gjithë mundësitë e kontrabandës”.

Shkon edhe më tëj kur evidenton mallrat e akcisës të cilat futen kontrabdanë. “Si është e mundur të bjerë në mënyrë kaq drastike sasia e cigareve të importuara? Nuk mund ta pranoj që importet e cigareve kanë arritur në këtë nivel. Pse? Mund të merrni faktorë që ka ranë pirja e duhanit dhe ka një të vërtetë. Por, nëse kjo rënie është nga 2-5 % pjesa që ka rënë më shumë duhet kërkuar në faktorqë të tjerë”.

Përsa i përket rolit të Crown Agents, kompanisë britanike të kontraktuar nga qeveria shqiptare për të rritur efektshmërinë e doganave shqiptare, për të shmangur kontrabandën dhe evazionin, ministri Cani shprehet i rezervuar. Por ai konfirmon se britanikët do të largohen vitin që vjen. Si duket, ata nuk e kanë kryer misionin që morën përsipër, përkundrejt pagesave të bëra nga qeveria shqiptare. “

Roli i Crown Agents, ai ka qenë ndihmues, nuk ka bërë ai doganën. Marrëdhëniet me Crown Agents janë shumë të gjera. Janë marrëdhënie që kishin, që nga trajnimet, që nga riformatimet, që nga organikat, rregulloret edhe shkuaraja në terren. Na ka ndihmuar dhe kemi vlerësime për këtë punë të përbashkët…Kjo nuk do të vazhdojë më vitin tjetër. Nuk po ndahemi si armiq. Ne nuk i kemi mundësitë me si Qeveri. E kemi riorjentuar punën tonë tek platforma, tek sistemi dhe do i harxhojmë paratë dhe mundësitë tek kjo pjesë”.

Kontrata e qeverisë shqiptare me Crown Agents rezultoi një dështim. Kompania duhet të realizonte afro 100 milionë euro shtesë në buxhet, kundrejt një pagese prej 8.2 milionë eurosh për dy vite kontratë, por nuk mundi t’i realizojë të ardhurat shtesë.

“Kushtëzimi me 25% të “pagesës në rrezik”, me ndarje 10% për rritje të të ardhurave doganore nga 10.1% e PBB mesatarisht në vite në 11% ose afro 100 milionë euro shtesë në buxhet, 10% me numrin e kontrolleve dhe kapjeve. 5% e pagesës është e lidhur me kualifikime, trajnime, etj., gjatë punës, të specialistëve tanë të doganave nga ekspertët e “Crown Agents”, thuhet në kontratën e qeverisë shqiptare me britanikët që morën përsipër menaxhimin e doganave.

Vetë kompania, në raport dërguar qeverisë shqiptare flet për korrupsion në nivelet më të larta të administratës doganore dhe për kontrabandë në shkallë të gjerë. Sipas Crown Agents kontrabanda dhe korrupsioni i kanë kushtuar shtetit 17 milionë euro.