Çahet argjinatura e Shkumbinit, MB: Situatë e vështirë në fshatrat e Lushnjës

Ministria e Brendshme jep të dhënat më të fundit mbi situatën e përmbytjeve në vend.

Më e vështirë është situata në Qarkun e Fierit, ku lumi Shkumbin ka përmbytur disa fshatra si pasojë e çarjes së argjinaturës.

Kjo është situata në qarqet kryesore deri në orën 15:30:

Qarku Fier
Në grykëderdhje të lumit Shkumbin, në afërsi të fshatit Thanasaj, është çarë argjinatura fundore për shkak të prurjeve të mëdha. Si rezultat, ujërat e lumit Shkumbin po kthehen mbrapsht, por gjithashtu ka prurje edhe nga deti, duke krijuar përmbytje në të gjithë zonën.
Rreth 20 familjet e fshatit Thanasaj janë shpërngulur dhe po merren masa për evakuimin e familjeve nga fshati Çermë dhe Tërbuf, të cilët rrezikohen. Në vendngjarje po punon një fadromë dhe familjet po transportohen për në zonën e evakuimit me rimorkiatorë edhe dy ekskavatorë të Bordit të Kullimit.
Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 50 forca ushtarake, tri fadroma, dy traktorë me zinxhirë dhe dy ekskavatorë. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka udhëzuar nënprefektin për angazhimin e mjeteve të rënda të subjekteve private në eliminimin e çarjes së argjinaturës. Situata paraqitet ende e vështirë.

Qarku Elbasan
Aksi rrugor Cërrik-Gramsh është i pakalueshëm në pjesën e poshtme, për shkak të rritjes së nivelit të liqenit të hidrocentralit të Banjës. Megjithatë funksionon rruga e sipërme Llixhat-Gramsh.
Pas riparimit të urës së dëmtuar në stacionin e pompimit Çekin, aksi Elbasan-Gramsh nuk ka ndërprerje të qarkullimit të mjeteve.
Në aksin Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Xibrakë janë larguar inertet nga subjekti i kontraktuar për mirëmbajtje dhe qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht në të dy senset.
Në hyrje të qytetit të Peqinit, nga aksi Rrogozhinë-Peqin, është dëmtuar ura e varur që lidh Peqinin me fshatin Budlis të Pajovës.

Qarku Durrës
Gjatë orëve në vazhdim situata në Qarkun e Durrësit është në përmirësim për shkak të ndërprerjes së reshjeve dhe uljes së nivelit të ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm.
Në fshatin Katund i Ri të Bashkisë Shijak, për arsye sigurie janë evakuuar 185 persona, banesat e të cilëve rrezikohen nga përmbytjet dhe janë strehuar te të afërmit e tyre.
Në Sukth, situata është përmirësuar ndjeshëm dhe forcat e ushtrisë kanë shpërndarë ndihma për familjet në nevojë. Gjithashtu po monitorohet edhe niveli i ujërave në zonat problematike dhe veçanërisht niveli i shtratit të lumenjve Erzen dhe Ishëm, të cilët për momentin janë në rënie

Qarku Tiranë
Janë ndërprerë reshjet dhe situata është përmirësuar e po shkon në normalitet. Gjatë orëve në vazhdim prurjet  në lumin e Lanës janë  ulur dhe ujërat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë e lagje të Bashkisë së Tiranës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë me mjete pranë hotel “Eklipsit”, në segmentin rrugor Tiranë-Elbasan, për largimin e masivit të dheut që u krijua nga rrëshqitja. Aktualisht është rivendosur qarkullimi normal i mjeteve.
Forcat dhe mjetet e Ndërmarrjes së Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës kanë riparuar urën e vogël që lidh segmentin rrugor “5 Maji”-Paskuqan.

Qarku Lezhë
Situata është përmirësuar dhe akset rrugore janë të kalueshme plotësisht. Në aksin e vjetër Lezhë-Zejmen-Pllanë ka prani të ujërave sipërfaqësore, e po ashtu edhe në disa fshatra si Spiten, Zejmen, Markatomaj dhe Pllanë.
Hidrovoret në Tale dhe Ishull-Shëngjin punojnë me kapacitet të plotë. Në disa zona fushore të rrethit Kurbin, megjithëse hidrovoret në Fushe-Kuqe dhe Adriatik funksionojnë me kapacitet të plotë, ka ende prani të ujërave sipërfaqësore, si në tokat bujqësore të Njësisë Administrative Fushë-Kuqe.
Në rrethin e Mirditës mbetet problem ura e Cekajve qe lidh Rrëshenin me zonën e Kaçinarit,e cila është e pakalueshme sepse ende ka rreth 1 metër ujë mbi nivelin e saj. Qarkullimi i mjeteve në këtë zonë bëhen në rrugën Kaçinar-Ungrej-Kreshtë-Lezhë.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme.

Emergjencat Civile u bëjnë thirrje qytetarëve që të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit apo në numrin 128 të shërbimit zjarrfikës për çdo rast emergjence apo situatë problematike.