Britani, çdo javë arrestohen 50 shqiptarë

Arben Manaj

Shifrat e reja të publikuara në Britani tregojnë se krimi i organizuar dhe ai i rëndë shqiptar po rritet me shpejtësi të madhe, duke u shndërruar në një kërcënim të madh në rrugët e Britanisë, sipas Agjencisë Kombëtare të Luftës Kundër Krimit, NCA.

Sipas shifrave të botuara në shtyp, çdo javë arrestohen 50 shqiptarë. Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga tabolidi, “DailyMail”, rreth 2800 të dyshuar shqiptarë janë arrestuar, ç’ka përbën një rritje prej 8 përqind me një vit më parë.

Sugjerohet se 1 në 11 nga 32 mijë shqiptarët e Shqipërisë që janë rezidentë  në Angli dhe Uells janë arrestuar edhe pse disa prej tyre janë arrestuar disa herë.

Mendohet se shifra reale e shqiptarëve që jetojnë në Britani faktikisht është shumë më e madhe se shifra e dhënë prej 32 mijë vetëve, pasi një numër i konsiderushëm jetojnë në të zezë dhe numri i të ardhurve ilegalisht vazhdon të jetë mjaft i lartë.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga database i 37 nga 43 forcave të ndryshme policore në mbarë Britaninë e Madhe. Aktualisht mendohet se deri në muajin qershor ishin 650 shqiptarë që vuajnë dënime në burgjet britanike, duke bërë që shqiptarët të jenë grupimi i tretë më i madh mes të huajve.

Në Londër është shënuar numri më i lartë i arrestimeve, me mbi 1300 veta, me një rritje prej 14 përqind çdo vit, ndërkohë që rritje arrestimesh dhe aktiviteti kriminal ka edhe në Anglinë Qendrore dhe zonën e Mançesterit.

Krimet më të shumta për të cilat arrestohen shqiptarët janë vrasjet, trafikimi i drogës, pastrimi i parave, veprat penale me karakter seksual si dhe trafikimi i qënieve njerëzore.  tch