Brezi i mbiarsimuar

Oferta e tepërt e të diplomuarve është një krizë botërore. Të diplomuarit pranojnë punë të cilat nuk kërkojnë shumë arsim

Nga Nader Habibi*

Përderisa kostoja e të shkuarit në kolegj është një shqetësim real për segmente të gjera të votuesve, kandidatët presidencialë të vitit 2016 po përkrahin politika që synojnë ta bëjnë studimin e lartë më të përballueshëm. Demokratët duan të përdorin burimet qeveritare për të ofruar më tepër ndihmë financiare dhe duan të ulin normat e interesit në kreditë studentore të garantuara nga qeveria federale. Republikanët në anën tjetër, kanë ofruar një plan që mbështetet në iniciativën e sektorit privat dhe përdor stimujt financiarë për të kërkuar më shumë llogari nga universitetet në çështjen e performancës dhe të eficiencës së kostove. Me gjithë premtimet për ulje kostosh në ndjekjen e kolegjit, kandidatët u kanë kushtuar pak vëmendje kushteve të tregut të punës për të diplomuarit. Një shumicë e konsiderueshme e amerikanëve dhe madje të gjithë kandidatët ndajnë besimin se diploma e universitetit është një investim i vlefshëm dhe qeveria duhet të bëjë çmos që të ndihmojë sa më tepër njerëz të jetë e mundur për ta ndjekur kolegjin. Universiteti ka gjithashtu një vlerë, e cila shkon përtej thjesht disa aftësive të specializuara në gjetjen e një pune të mirë. Por politikanët, të cilët dëshirojnë ta bëjnë universitetin më të mundshëm dhe më të përballueshëm, neglizhojnë të shohin një të vërtetë të pakëndshme: një numër i madh të diplomuarish në vitet e fundit nuk kanë qenë të aftë të gjejnë punë të mirëpaguara të kualifikuara. Në vend të kësaj ata kanë gjetur punë part-time ose kanë pranuar punë që nuk kërkojnë profesionalizëm të lartë e të paguara më pak,të cilat, nënvlerësojnë aftësitë e marra në auditorë. Me fjalë të tjera, shumë të diplomuar kanë qenë të detyruar të pranojnë punë ndaj të cilave ata kanë qenë të mbiarsimuar.

Problemi me punësimin e pjesshëm

Paaftësia për të gjetur një punë të mirë, zakonisht referuar si punësim i pjesshëm, konsiderohet nga ekspertët si një periudhë tranzitore dhe e përkohshme për të sapodiplomuarit, në vitet e para pas mbarimit të studimeve. Ata argumentojnë se këta të diplomuar të rinj, do të jenë të aftë të gjejnë punë në nivelin e aftësive të tyre. Studimet e fundit mbi atë çfarë punësh arrijnë të fillojnë të sapodiplomuarit në SHBA, sidoqoftë, sugjerojnë që kjo fazë papunësie mund të jetë më afatgjatë nga çfarë besojmë ne.

Në një studim të vitit 2014, dy ekonomistë të lidhur me Rezervën Federale të Nju Jorkut, zbuluan se që prej vitit 1990, të paktën 30% e të gjithë punonjësve (midis moshës 22 dhe 65 vjeç) me diplomë kolegji, kanë qenë të punësuar në mënyrë të vazhdueshme në punë të cilat nuk kërkojnë diplomë. Këtë e kanë bërë për gati 10 vite pas diplomimit. Jo çuditërisht, përqindja e të diplomuarve së fundmi (22 deri 27 vjeç) e që janë në këto punë, ka qenë shumë më e lartë se shifra më sipër dhe është renditur nga 38% deri në 40%, që prej 1990. 

Një trend në rritje

Më e keqja, kjo duket të jetë një trend në rritje, gjithmonë e më tepër kemi të diplomuar në punë të cilat nuk kërkojnë diplomë. Richard Vedder, drejtori i Qendrës për Përballim dhe Produktivitet të Kolegjeve, analizoi të dhënat e punësimit të vitit 2008 për 20 punë të cilat – sipas Zyrës së Statistikave të Punës – nuk kërkojnë diplomë, si për shembull kamerier, shofer dhe mekanik. Ai gjeti se punëtorët me të paktën një diplomë Bachelor përbëjnë 10% ose më shumë të fuqisë punëtore në nëntë prej këtyre profesioneve me kualifikim të ulët. Kalkulova të njëjtat statistika bazuar në të dhënat e Zyrës së Statistikave të Punës për vitin 2011. Krahasimi midis raporteve të viteve 2008 dhe 2011 tregon që në tetë nga nëntë kategori që vuri në dukje Vedder, përqindja e të diplomuarve është rritur pavarësisht ringritjes së ekonomisë amerikane pas vitit 2009. Pra, ndërkohë që norma e papunësisë është rritur, shumë të diplomuar kanë qenë të aftë të gjejnë një punë në vende jo të kualifikuara. 

Kujt i nevojitet diploma?

Përqindja e punonjësve të ShBA me të paktën diplomën Bachelor, në punët jo të kualifikuara

Punësimi 2008 2011
Ndihmës bagazhesh 17.39 16.4
Banakier 16 20.4
Marangozë 7.27 7.2
Sekretarë dhe asistentë 16.64 19.2
Zjarrfikës 18.22 20.7
Shoqërues klientësh 12.32 18.4
Pastrues dhe mirëmbajtës qyteti 6.77 6.5
Pastrues shtëpie 4.67 4.5
Ndihmës infermier 7.92 9.3
Nëpunës zyre 17.52 19.6
Postier 14 16.8
Recepsionist dhe informator 12.89 18
Shofer taksie apo autobusi 15.15 17

Burimi: Zyra e Statistikave të Punës, si dhe llogaritjet e autorit

Pse kërkesa për kolegj vazhdon të qëndrojë e lartë?

Më tepër se 67% e studentëve në SHBA që janë diplomuar nga gjimnazet në vitin 2014, shkuan në universitet krahasuar me 62% në 1994 dhe 55% në 1984. Trendi në rritje në ndjekjen e kolegjit pavarësisht risqeve të papunësisë pas diplomimit, nuk është për shkak të kalkulimeve irracionale nga ana e prindërve. Ajo që ata kuptojnë me saktësi, është që të diplomuarit gëzojnë një mundësi më tepër se kolegët e tyre më pak të arsimuar, në gjetjen e punëve të pakualifikuara, por të paguara më mirë sidoqoftë.

Në fjalë të tjera, një diplomë kolegji do t’ju japë mundësinë të gjeni një punë profesionale të mirëpaguar dhe nëse dështoni në arritjen e kësaj, diploma juaj do t’ju japë avantazh në konkurrencën e punëve jo të kualifikuara. Ky perceptim është përforcuar nga sjellja e punëdhënësve, të cilët kanë parapëlqim për aplikantët me diplomë në punët e pa kualifikuara.

Kështu që, të shkuarit në kolegj është një vendim me mend dhe me përfitim për shumë individë, por a është i duhuri për shoqërinë?

Një problem global

SHBA-të, nuk janë i vetmi vend në botë që ka rënë në kurthin e mbiarsimimit. Oferta e tepërt e të diplomuarve është një krizë botërore dhe në disa vende është edhe më e mprehtë se në SHBA. Shumë vende të zhvilluara kanë nivele të larta mbiarsimimi duke përfshirë këtu Kanadanë, Spanjën dhe Irlandën. Mes vendeve Europiane, Gjermania ka qenë me e suksesshme në mbajtjen në nivele të ulëta të normës së të diplomuarve të punësuar në punë të pakualifikuara. Gjermanët e kanë arritur këtë duke drejtuar një numër të madh studentësh në kolegje profesionale, duke kufizuar kështu regjistrimet në universitete. Gjithsesi, problemi nuk është i limituar në ekonomitë e zhvilluara.

Shumë vende në zhvillim dhe tregje në zgjerim,gjithashtu po përballen me këtë problem. Një dokumentar i titulluar “Arsimim, Arsimim” përshkruan zhgënjimin e miliona të rinjve kinezë që diplomohen çdo vi në universitete mesatare ose pa cilësi. Në Lindjen e Mesme, në vende si Egjipti, Irani dhe Turqia, papunësia e lartë dhe punësimi i pakualifikuar mes të diplomuarve,është një faktor i madh pakënaqësie sociale.

Disa zgjidhje

Shumë politika qeveritare kundrejt arsimit të lartë janë projektuar për ta bërë universitetin më të përballueshëm për një numër të madh njerëzish. Por kjo politikë ka çuar në mbiofertën në shumë fusha e cila, nuk korrigjohet lehtësisht nëpërmjet mekanizmit kërkesë-ofertë të tregut.

Është koha që politikëbërësit të kuptojnë se SHBA ka një problem me mbiarsimimin, problem i cili duhet të adresohet në plan kombëtar. Nëse politikanët janë të shqetësuar vetëm sesi do ta bëjnë arsimin e lartë më të përballueshëm për të gjithë, situata e punësimit të pakualifikuar do të përkeqësohet me kalimin e kohës. Së bashku me bërjen e universitetit më të përballueshëm, qeveria duhet të mbrojë vlerën e një diplome universitare. Kjo mund të bëhet duke limituar regjistrimet në çdo degë, në kërkesë të projektuar afatgjatë për të diplomuarit në ato degë. Përqindja e të diplomuarve në çdo fushë, të cilët janë të papunë apo të punësuar nën kualifikimin e tyre, është një tregues i qartë për të menaxhuar urgjentisht situatën e përgjithshme të regjistrimeve. Qeveria mund të stimulojë më tepër gjimnazistët drejt trajnimeve dhe shkollave profesionale, si një arsimim alternative ndaj universitetit.

Zakonisht kufizimi i regjistrimeve dhe i mundësisë për të shkuar në universitet, nuk shihet me sy të mirë,është i papëlqyeshëm dhe politikanët ngurrojnë ta përdorin në ligjërim. Por mungesa e veprimit do të sjellë vetëm agravimin e gjendjes së tanishme, duke sjellë shumë pasoja negative për të diplomuarit dhe për pjesën tjetër të shoqërisë.

*Nader Habibi është profesor i Ekonomisë në Qendrën Crown për Studime të Lindjes së Mesme, në Universitetin Brandeis, SHBA.