Borxhi i Kosovës për strategun ushtarak dhe intelektualin kolonel Ahmet Krasniqi

Qyteti në pjesën veriore të Kosovës, Vushtrria, është vendlindja e tij, por jo dhe toka ku i prehen eshtrat.

Siç është bërë “zakon” në këtë pjesë të Ballkanit për heronjët dhe heroinat thuren lavde, por shumë pak punohet në jetësimin e amanetit të tyre dhe zbardhjen e vrasjes.

Në 17 vjetorin e vrasjes të ish – ministrit të mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit, bashkëluftëtarët kanë çka thonë, madje flasin shumë e në superlativ për udhëheqësin e tyre, që themeloi brigadat e para të njësive operative të UÇK-së nën komandën e ministrisë së Mbrojtjes të FARK-ut, por familjarët duan drejtësi, të ndriqohet vrasja e kolonel Krasniqit, familjarit të tyre që u vra më 21 shtator 1998 në Tiranë.

Aziz Krasniqi, në emër të familjes Krasniqi kërkon që të nisen hetimet dhe të zbulohet vrasja. Krasniqi thotë për “Zërin” se shteti shqiptar dhe ai i Kosovës kanë obligim moral, kombëtar dhe institucional që të zbardhin vrasjen dhe bëjnë kthimin e eshtrave në Kosovë, të kolonel Krasniqit.

 “Axha (Behxhet Krasniqi) është takuar me ish kryeministrin Sali Berisha dhe i ka kërkuar zbardhjen e vrasjes si dhe dënimin e merituar për dorasit. Mirëpo, përgjigja ka qenë që të marrim një avokat dhe të fillojmë procedurat e hetimit. Ne si familje duke marrë parasysh se Ahmet Krasniqi është vrarë brenda institucionit dhe në shtetin shqiptar kemi menduar dhe mendojmë si familje se zbardhja e vrasjes i takon shtetit shqiptar dhe jo familjes sepse është vrarë në Tiranë, në postin e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, jo në rrethana familjare”, thotë Krasniqi.

Ai thotë se deri më tash ka qenë i pamundur kthimi i eshtrave të kolonelit. “Besojmë se me formimin e Ushtrisë së Kosovës do t’i bëhet nder kolonel Krasniqit dhe me nderime ashtu siç na takon të nderojmë të rënët, të nderohet dhe ai, e të prehet i qetë në Kosovë”.

Krasniqi,  një profesionalist i artit dhe doktrinës luftarake

Majori Nazif Ramabaja, zëvendës i kol. Tahir Zemajt dhe komandant i njësive operative të Lugut të Baranit, thotë se Kosova dhe institucionet e dala nga votat e popullit kanë përgjegjësi dhe obligim shtetëror institucional të bëjnë zbardhjen e rrathanave të atentatit të kryer ndaj një ushtaraku dhe ministri të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

“Dhe në mënyrë organizative shtetërore të bëjë kthimin e mbetjeve mortore në vendlindje, vetëm atëherë do të flejë i qetë shpirti i tij në amshim dhe Kosova do e kryej obligimin e vetë shtetëror”, thotë Ramabaja.

Ramabaja që së bashku me eprorë të tjerë kanë dhënë betimin para kolonel Krasniqit, e po ashtu personalisht ishte pjesë në ditën e dytë të takimit në Osllo, thotë se pas bisedimeve dhe rënies në ujdi-marrëveshjes në mes Ministrit të Mbrojtjes (Krasniqit) dhe Adem Demaqit po të funksionalizohej dhe zbatohej në përpikëri ajo marrëveshje, bilanci i rrjedhave dhe zhvillimeve luftarake do të ishte sikurse i Betejës së Logjës dhe luftës së Koshares.

“Do të ishim shumë më mirë të organizuar, të faktorizuar dhe të unifikuar. Me këtë fitorja do ishte më e lehtë dhe më meritore dhe tani s’do bënim fjalë, që edhe 17 vite pas vrasjes së Ahmetit, Kosova të mos e ketë ushtrinë e vetë FARK-un një forcë mbrojtëse siç referohej Ahmeti në atë kohë”, thotë Rambaja për “Zëri”.

Vrasja e kolonel Krasniqit, ai thekson se ishte humbje e madhe për Ministrinë e Mbrojtjes, FARK-un, si dhe për tërë Kosovën. “Humbëm një profesionalist të artit dhe doktrinës luftarake, një patriot dhe njeri të devotshëm të çështjes shqiptare, me këtë akt barbar humbëm të gjithë, madje edhe ata që e bënë ekzekutimin, por edhe ne që ishim të lënduar rëndë”.

Ramabaja thotë se së bashku me kolonel Tahir Zemaj kishin marrë aprovimin nga ish presidenti Ibrahim Rugova në propozimin e tyre që ia kishin bërë atij)Rugovës), për kthimin e eshtrave të Ahmetit në mënyrë shtetërore. “Por, me vrasjen e Zemajt rrethanat për kthimin e eshtrave të kolonelit u zbehën”, thotë ai duke apeluar tek qeveria që të bëjë tash kthimin e eshtrave.

Krasniqi ministri unifikues, vrasja humbje për Kosovën

Ahmet Krasniqi me propozimin e eprorëve ushtarak caktohet koordinator i të gjithë ushtarakëve me pëlqimin dhe firmosjen e tyre të cilët vepronin në grupe punuese në Zvicër,Gjermani, Sloveni, Koaci, Suedi..,etj.

“Caktohet koordinues për formimin e shtabit suprem dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Konsultimet janë bërë me Bujar Bukoshin, i cili e ka bërë nënshkrimin e emërimit të Ahmet Krasniqit personin përgjegjës për formimin e shtabit Suprem dhe ushtrues detyre Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, thotë Ramabaja për “Zërin”.

Pas kësaj, ai thotë se Ahmet Krasniqi me Agim Mehmetin nisen për në Oslo 21-22 maj për të biseduar me Adem Demaqin i cili ishte përfaqësues politik i UCK-së, informon Adem Demaqin dhe bien dakord për : Formimin e shtabit të përbashkët me qender në Tiranë, Njohja e të gjitha njësive që vepronin në Kosovë, Emërimi i tyre i përbashkët UÇK dhe stema e saj, Të gradoheshin dhe të plotësoheshin me oficer profesionist ato njësi për të krijuar hierarkinë ushtarake dhe institucionale, Ekzistimi i dy fondeve paralel, Çdo informatë apo komunikatë shtypi do të kalonte nëpërmes shtabit në Tiranë, Të sigurohej komandimi i të gjitha njësive me oficer profesionist.

Deri më 21 qershor, Ramabaja thotë se janë bërë përgatitjet dhe pastaj formimi dhe betimi i brigadave 134, e kompletuar me ushtarë dhe epror profesionistë me komandant kol. Tahir Zemajn dhe bërthama e brigadave 131,133 me epror për tu kompletuar pas hyrjes në Kosovë me ushtarë.

“Qëllimi ynë kryesor është që populli i Kosovës të ketë një forcë mbrojtëse profesionale, e cila do të jetë garantuese e sigurisë e të gjithë banorëve të saj. Ushtria e fortë Kosovare do të ndikoj edhe në rrafshin ndërkombëtar si faktor stabiliteti në Ballkan”, citon Ramabaja, të ketë thënë Krasniqi.

Ndërsa, nën patronatin e kryeministrit Isa Mustafa, nesër (hëne) në ora 12:00, në Sallën e Kuqe, në Pallatin e Rinisë do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar Kolonel Ahmet Krasniqit.