Bleona si Rama. A e pagoi “Forbes” këngëtarja, për artikullin-reklamë?

Ajo bërtet: jam artiste, jam bërë vetë (selfmade)! Bleona mburret me shfaqjet lartë e poshtë lakuriqe, lëvdohet me pjesëmarrjen në show-n e Bravo Tv, këndon nëpër festivale gay dhe po, të gjithë aktivitetin, thotë se e vetëfinancon. Ky është pak a shumë thelbi i një shkrimi të botuar sot në prestigjozen “Forbes” online, ku 36-vjeçarja reklamohet si Madonna shqiptare. Artikulli i blogerit Seamus Kirt, riciklon historitë e Bleonës 15 vjeç, atëherë kur pas performancës në Festival, u zgjua të nesërmen në faqet e gazetave. Bashkëpunimet me Timbaland, turnetë e suksesshëm nëpër Europë e deri tek fantazia e këngëtares se ka arritur të pozicionohet e 7-a në klasifikimin britanik në vitin 2013… të gjitha këto, gazetari i merr llokum nga goja e Bleonës, pa bërë as google-in më të vogël për të verifikuar faktet.

“Bleona, ylli i vetëfinancuar i pop-it”, mban titullin shkrimi i botuar në Forbes, ku më shumë se për të evidentuar diçka të re a të veçantë tek “star-i në ngjitje”- sipas artikullit, gazetari rendit sukseset imagjinare ose jo, që kanë skalitur memorien e këngëtares. Është e vërtetë se eksperienca e një artisti tregon diçka, por është puna e tij ajo që flet më shumë se fjalët. Pra, kjo përpjekje për t’u dukur e aftë në biznes, e talentuar në muzikë, aq shumë sa për të kaluar kufijtë e vendit tënd, shkruhet se shkon në vazhdën e filozofisë së vetëfinancimit, fryma që përshkruan gjithë artikullin-monolog. Është fiks si rasti i fundit me “advertisement feature” të qeverisë, e cila dha milionat për 8 faqe reklamë në “The Economist”. Edhe Bleona duket se këtë here po kërkon sponsorin e rradhës, duke i shpëtuar menaxherit, për të cilin, në shkrim shprehet krenare se i mungon. Kjo, jo sepse posti i tij do t’i merrte pjesën e fitimit që i takon, por me gjasë, një menaxher karriere nuk do ta lejonte këngëtaren të kullosë e lirë, nëse fjala vërtetë, do të qe për famën e pretenduar.