Besa Myftiu: Ju rrëfej katër tabutë e kohës së komunizmi

Shkrimtarja Besa Myftiu promovoi romanin “Dashuri në kohën e komunizmit”. Ajo ndalet te disa tabu të kohës së komunizmit, sikundër janë politika dhe incesti, të cilat përcillen nëpërmjet tri historive të dashurisë. Historitë e saj të dashurisë kanë një kuptim social, janë mjet për t’i bërë një skaner i shoqërisë së asaj periudhe. Sipas Myftiut, në këtë roman ka shumë pak nota autobiografike, por kuzhina e shkrimtarit është e çuditshme, sepse është një miks i asaj që i ka ndodhur dhe asaj që mund të ndodhte më pas.

Zonja Myftiu, riktheheni në Shqipëri për të prezantuar romanin“Dashuri në kohën e komunizmit”. I botuar fillimisht para katër vitesh, në frëngjisht. Është një kohë e gjatë?

Është një libër historitë e të cilit janë botuar fillimisht në frëngjisht, që të botohej në vendin nga janë marrë historitë duhet të gjendej momenti. Edhe unë në këtë moment u gjeta gati për ta sjellë librin në shqip.

Keni ndalur vetëm tek tri histori të kohës së komunizmit. A i mendoni ato, si më përfaqësueset e asaj periudhe?

Në fakt, doja që të trajtoja tri tabu të mëdha të kohës së komunizmit. Ishte tabuja politike, tabuja e një gruaje të martuar më fëmijë dhe një djali beqar, dhe tabuja tjetër, diferenca e moshës. Doja që këto tri tabu të ishin më përfaqësueset e kohës së komunizmit, edhe më përfaqësueset në Ballkan. Duke jetuar në Zvicër edhe duke parë sesa të lehta ishin historitë e dashurisë. Për shembull, unë kam një mik, i cili ka dhjetë vjet që po e lutë një mikeshën e tij, e cila është e ndarë dhe ka fëmijë, për t’u martuar. Ajo është shumë më e madhe sesa ai, por edhe pse ai i lutet që të martohen, ajo nuk pranon. Duke parë këtë botë krejt tjetër, më lindi dëshira që të dëshmoj për dashuritë e kohës së komunizmit.

Ka elemente autobiografikë apo histori reale brenda këtij libri?

Në fakt ka shumë pak nota autobiografike, sepse sigurisht që kur shkruhet një libër merren pjesë nga jeta. Ka histori nga jeta, ka histori nga shoqet e mia, por ka edhe misk të trilluar. Është një miks midis asaj që më ka ndodhur, asaj që kishte ndodhur dhe asaj që mund të ndodhte.

Te cila prej këtyre tri historive jeni më tepër ju?

Unë jam autori në një farë mënyre, edhe pse ka shumë pak nota autobiografike, në detaje të caktuara, i kam njohur këto rrethe dhe kam pasur të bëj me to. Por kuzhina e shkrimtarit është e çuditshme, duket sikur jam në të treja. Kështu që, nuk mund që të them se ku jam më tepër. Historia e fundit, është ajo që ka më pak nga jeta ime, por nga ana tjetër unë skam qenë kurrë vajzë ministri, skam qenë kurrë gruaja e një aktoreje të madhe, dhe nuk kam qenë kurrë në Arizona. Por siç e thashë janë ngjarje, që disa elemente i kam marrë, sigurisht nga jeta ime dhe e shoqeve, sidomos në atë që mund të ndodhte.

Në romanin tuaj, incesti trajtohet te historia e fundit… Ndryshe nga në jetën e përditshme, në letërsi nuk shihet me paragjykim?

Në fakt janë katër tabu. Një nga të katërta është edhe tabuja e incestit. Kjo më ka intriguar gjithmonë, se në disa legjenda shqiptare, martesat që bëhen midis vëllait dhe motrës, anulohen në momentin e fundit. Jam nisur pak edhe nga interpretimi i legjendës së “Kostandinit dhe Doruntinës”, të cilin e ka trajtuar edhe Ismail Kadare, shkrimtar që ne e duam shumë, por edhe që më ka frymëzuar. Legjenda e “Besës”, është në të trija, një fill i kuq i përshkruan të trija historitë.

Kam dashur që në këto tabu të vë edhe tabunë e gjakut, sepse nuk është vetëm në sistemin komunist, por është shumë e pranishme dhe në legjendat shqiptare, Migjeni gjithashtu flet në veprën e  tij për ndjenjat që bashkojnë dy kushërinj, këtë e kam përmendur në libër. Në prozën e tij poetike, ai e ftonte shoqërinë të emancipohej, në mënyrë që dashuria të gjente objekte të tjera, përtej njerëzve të familjes. Në të gjitha shoqëritë e mbyllura ku të gjitha femrat nuk mund të shikojnë meshkuj të tjerë, veçse atyre të familjes, ka nga këto tragjedi. Në librin tim nuk vjen në formë tragjike, por sublime.

Ndalesh edhe te marrëdhënia femër-mashkull…

Unë filloj një histori në të cilën flitet për një aktore me frazën: “Të gjithë derrat një turi kanë”, thoshte nëna ime për meshkujt. Historia mbaron me frazën: “Fatmirësisht të gjithë meshkujt nuk janë njëlloj”, thotë mamaja ime tani. Por, në fakt mamaja ka vajtur dhe është martuar në Gjermani. Mund të them që këto vajza të reja shqiptare, që tregojnë historitë e tyre të dashurisë, të gjitha kanë qenë të dashuruara dhe i kanë dashur meshkujt që kanë njohur. Mirëpo kanë qenë rrethanat, të tilla, që nuk e lejonin realizimin e dashurisë. Ishte politika dhe nuk mund të merrte dikush një vajzë me biografi të keqe. Të afërmit ngulnin këmbë, nëse ajo vazhdonte me atë që donte do të shkatërronte gjithë familjen. Kështu do të shkatërrohej dashuria.

Një rast tjetër thotë që: “Unë jetoj për familjen time në Kosovë. Nëse ata marrin vesh që unë kam marrë një grua të ndarë me fëmijë do të mërzitën të gjithë. Kështu që nuk mund t’i mërzisë njerëzit e mi”. Është vetëm një personazh, një aktore jashtëzakonisht e bukur dhe e ndarë nga bashkëshorti, sikundër janë aktoret jashtë shtetit, që ndahen pa problem. Por, ajo ka lindur në Shqipëri dhe duhet që të përballojë një mentalitet tjetër. Prandaj mendoj se gjithë Ballkani, jo vetëm Shqipëria ka një mentalitet tjetër në lidhje me dashurinë, lidhjen dhe femrën. Unë jam shumë afër mentalitetit francez, kam qenë gjithmonë dhe kur kam qenë në Shqipëri. E shikoj se atje ku jetoj në Zvicrën franceze mentaliteti im është i përgjithshëm.

Marlen Dietrich nuk kishte asnjë vend në shoqërinë tonë

Ngjarjet në romanin e saj shtrihen në vitet 1981-2000. Viti 1997 ka qenë ndër më të trishtuarit, sidomos kur tanket kishin pushtuar bulevardet e Tiranës, ndërsa ajo shihte vajzat dhe djemtë gjimnazistë, që i buzëqeshnin njëri-tjetrit.

Marlen Dietrich-i është pjesë e librit. Sa vend ka pasur shoqëria jonë për një femër si ajo? 

Asnjë vend, madje më kujtohet se kur gjyshi im e shikonte thoshte: “Kabarença”. Në atë kohë jepeshin filma te “Rai Uno” dhe ajo ishte si një lloj ikone, por tek ne nuk kishte asnjë vend. Duhet ta dini se Gjermania e asaj kohe, kishte vend vetëm për një Marlen, dhe jo për një të dytë.

Politika e egër e realizmit socialist ka lenë shenja kudo. Në librin tuaj kjo vjen edhe nëpërmjet vajzave ruse, të cilat nga një anë kishin dashurinë e tyre në Shqipëri dhe nga ana tjetër nuk mund që t’u shkruanin letra as prindërve të tyre…

Faktikisht e kam jetuar këtë dramë, sepse gjyshja ime ishte greke edhe nuk shkoi dot më për 50 vjet. Në atë kohë kam pasur rastin që të takoi edhe fëmijë të vajzave ruse, për shembull Inva Mula (sopranoja) e ka mamanë ruse. Të tjerë fëmijë, të cilët kanë vuajtur sepse familja ishte e huaj, sepse kampi socialist u prish edhe kanë mbetur jashtë tij. Por më shumë kanë vuajtur ato gra, që nuk mund që t’u shkruanin as letra nënës së tyre, nuk lejohej kjo. Nuk lejohej asnjë lloj komunikimi me vendet revizioniste. Jam munduar që nëpërmjet historive të dashurisë të jap një pasqyrë të shoqërisë shqiptare në atë kohë.

Keni shkruar për ngjarje që shtriheni në një hapësirë kohore nga viti 1981-2000. Nuk mungon as viti 1997. Si e keni përjetuar ju atë periudhë?

Është e vërtetë, unë jam munduar që nëpërmjet historive të dashurisë të jap historinë e Shqipërisë, që nga viti 1981 deri në vitet 2000. Ashtu siç kam folur për hapjen e ambasadave, shtypjen e revoltës së Kosovës nga regjimi serb në vitin 1981, kam folur edhe për vitin 1997. E kam ndjekur nga televizori dhe realisht jam tronditur shumë. Si shumë shqiptarë, edhe unë kam humbur pak lekë, sepse në momentin e fundit kur pashë së të gjithë po hidhnin lekë, hodha edhe unë 500 franga (qesh). Ishte një trishtim shumë i madh të shihja tanket në bulevardin e Tiranës, sepse aty shihja vajzat edhe djemtë në gjimnaz, që i buzëqeshnin njëri-tjetrit. Ishte diçka e trishtueshme, e frikshme. Besoj se viti 1997 ka krijuar një krisje në demokracinë shqiptare.

Që fëmijë vija re gjërat e bukura, sesa shëmtimin

Nostalgjia është e rëndësishme për çdo shkrimtarë. Besa Myftiu shprehet se ne shikojmë të ardhmen, duke parë nga e kaluara. Teksa e konsideron dashurinë si lumturi pa kufi citon gazetën franceze “Figaro”, e cila

shkruan se:“Personazhet e këtij libri, triumfojnë mbi dëshpërimin, sepse dinë që ta përdorin me shumë art mjetin e humorit”. Kjo është edhe dëshira e shkrimtares shqiptare, e cila dëshiron të nxjerrë më të mirën nga koha e komunizmit, humorin.

Ju  dhe historitë e trishta, që trajtoni përcillni te lexuesi me nota optimiste në mënyrë shumë të natyrshme. Jeni një shkrimtare, që dini ta diktoni më së miri të bukurën…

Arsyeja e parë, është se mendoj se dashuria është gjë e bukur në çfarëdo lloj rrethanash. Mendoj se dashuria që na lejon dhe na jep mundësinë që të mbijetojmë qoftë në burg, në kohën e komunizmit, por edhe jashtë shtetit në një demokraci. Arsyeja e dytë është që, nuk e di pse, por kam pasur gjithmonë një këndvështrim të ndritshëm mbi jetën. Pushkini flet për një trishtim të ndritshëm mbi jetën. Për të edhe trishtimi ka qenë gjithmonë i ndritshëm, jo i zi. Jam munduar të shikoj që fëmijë, gjërat e bukura dhe pozitive. Vija re shumë më kollaj gjërat e bukura, bukurinë, sesa shëmtimin. Është mënyra sesi e kam konsideruar jetën.

Ju flisni për dashurinë…, por edhe thoni: “Unë e ndoqa zemrën time dhe gjeta një trishtim të pakufi”…

Edhe një lumturi të pakufi. Unë mendoj se dashuria është gjë shumë e bukur, edhe mund të them se nuk ka dashuri fatkeqe, sepse vet fakti që dashuron është lumturi. Pastaj pak le të merremi me të, sesa na kthehet. Të dashurosh është një lumturi më vete.

Kujtesa është një lloj burgu, por përpos kësaj nuk mungon as optimizmi…

Përsa i përket burgut, nuk do të thoja ashtu. Për mua nostalgjia është e rëndësishme për çdo shkrimtarë, Kamy thotë: “Jetojmë nga e kaluara dhe shkatërrohemi nga e kaluara”. Ndërsa unë do të thosha se ne shikojmë të ardhmen, duke u nisur nga e kaluara.

Gazeta franceze “Figaro”, ka thënë në lidhje me këtë libër, se të gjithë personazhet e këtij libri, triumfojnë mbi dëshpërimin, sepse dinë që ta përdorin me shumë art mjetin e humorit. Shpresoj që dhe më këtë libër, të kem arritur që të nxjerrë atë që kishte më të bukur, koha komunizmit, humorin.

Biografi

Besa Myftiu u lind në Tiranë. Ka ushtruar një kohë profesionin e gazetares në revistën “Skena dhe ekrani”. Kishte shkruar një skenar për film televiziv “Unë e dua Erën”, më 1991, momenti i largimit nga Shqipëria për në Zvicër. Mësoi frëngjishten, mori një diplomë gjuhe dhe do të kthehej në Shqipëri. E ktheu nga rruga Mireille Cifali, psikanaliste dhe historiane asistente e të cilës Besa u bë pak më vonë. Jep mësim në Universitetin e Gjenevës në Fakultetin e Shkencave Pedagogjike.

Gjithçka ka shkruar në gjuhën frënge. Është autore e vëllimit poetik “Des amis perdus” botur në dy gjuhë; e romaneve “Ma Légende” (L’Harmattan, 1998, me parathënie të Ismail Kadaresë), “Confessions des lieux disparus” (Editions de l’Aube, 2008, me parathënie nga Amelie Nothomb, dhe “Amours au temps du communisme” (Fayard, 2011); e përmbledhjes me tregime “Le courage, notre destin” (Editions Ovadia, 2007). Ka botuar nëntë libra.