Ben Blushi: Njerëzit e Ramës shkuan me pistoleta e para për të blerë votat

Nga Kryesia e Kuvendit Ben Blushi ka prezantuar një pjesë të platformës së tij. Ai komentoi edhe akuzat e Ahmetajt dhe mbështetjen e Hafizit.

Ben Blushi: Dua tu them të gjithëve e para të mos druhen sepse kjo nuk është çështje frike. Të gjithë ata që mendojnë si unë nuk kanë arsye të kenë frikë. Pavarësisht e kuptoj terrorin. Deri tani kanë dalë të më kundërshtojnë anëtarët e kabinetit qeveritar. Kjo është e padrejtë sepse vartësit nuk mund të mos mbështesin shefin e tyre.

Dua tu them të gjithëve se nuk është çështje personale e imja, por dinjitoze në radhë të parë, është çështje lirie e të drejtave.

Besoj se kjo garë, ky sens lirie nuk i shërben vetëm mua, në radhë të parë i shërben PS të jetë një parti më e hapur të ketë debat konkurencë, garë dhe disiplinë.I shërben dhe Shqipërisë. Nëse ne i japim modelin e një gare të hapur është mirë për të gjithë shoqërinë.

I falenderoj të gjithëve për mbështetjen duke shpresuar se kjo mbëstetje vjen duke u rritur, s’ka pse jo.

Unë jam gati të shkoj në këtë Kongres me disa ide, e para që të ndryshojmë mënyrën si funksionon PS. Ta bëjmë më liberale.

Duhet ta modernizojmë PS. Ç’ka Edi Rama po dështon ta bëjë, sepse një njeri që thotë nuk ka zgjedhje, nuk bëhen zgjedhje prej 7 vitesh. Edi Rama nuk po e modernizon.

Po merr në Parti njerëz që i ka futur në punë. Po shkëmbehet puna me një teser. Unë nuk dua ta bëj këtë. Dua ti jap PS dhe Shqipërisë një frymëzim që po i humb. Dua ti jap PS një fytyrë që sot e ka humbur.

PS çfarë është sot një parti e majtë apo e djathtë. Është një parti kaotike, që i shërben disa interesave që janë klienteliste por as të majta as të djathta. Unë dua ta kthej PS majtas.

Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë për një parti të majtë. Varfëria është më e lartë. Të varfrit kanë nevojë për një parti që i del përzot.

Investime të huaja nuk ka, jo se taksat janë të larta por që të investosh në Shqipëri duhet të trokasësh në një derë. Të jesh klientelë me dikë. Unë nuk dua ta bëj këtë. Kjo parti nuk mund të jetë klienteliste.

Korrupsioni po rritet në Shqipëri. Ekonomia kombëtare po koncesionohet. Unë jam kundër kësaj. Kur kemi ardhur në pushtet në 2013 nuk kemi premtuar që interesin publik ta shkëmbejmë me interesin privat.

Kjo po ndodh unë jam kundër koncesioneve në parim. Nëse ne kundërshtojmë koncesionet që ka bërë qeveria para nesh, si ka mundësi që po ecim në atë rrugë e pak më thellë.

Për 6 muajt e fundit kemi koncesionuar të paktën 300- 400 milionë euro që nuk janë tonat. Koncesionojmë ekonominë publike për 10- 30 vjet. Kjo është e padrejtë dhe unë se pranoj.

Kjo është disa nga arsyet që unë besoj se PS duhet të kthehet majtas dhe ky është program im në këtë kongres. Sigurisht të gjithë ata që e pengojnë Edi Rama i pari këtë kanë frikë.

Çështja nuk është në parim se nuk ka zgjedhje sepse nuk parashikohet. Kanë frikë se nëse PS voton për një projekt tjetër, sigurisht që mundësia e të gjithë këtyre që po koncesionojnë ekonominë kombëtare, po grabisin, Ka deputetë të PS-së që janë duke grabitur për shkak të statusit që i njeh Edi Rama, grabisin territore, zona, toka, fuqi influencë biznese. Këta njerëz nuk do ta kenë më këtë influencë.

Nëse PS vendos të votojë ndryshe dhe ky është thelbi. Nuk lejohet kjo garë sepse duan të qeverisin siç ka ndodhur në tre vitet e fundit, qeverisje e cila vetëm e majta nuk është. Vetëm e ndershme nuk është dhe është në antagonizëm të plotë me interesat e publikut.

 Pyetje: A kanë emra këta deputetë?

Do ti them në Kongres, ju premtoj se do ti them të gjitha, nëse kjo parti më lejon të garojë. Është shumë shpejt për të folur.

Jam shumë mirënjohës Mozës. E theksoj dhe një herë nuk më mbështesin mua por idetë e ndryshme nga ato që qeverisin PS për ti dhënë një drejtim tjetër. Do të ishte fatale sikur ata që më mbështesin mua në këtë projekt do të penalizohen.

Ka ndodhur vetëm për një arsye. Edi Rama penalizoi gjithë ata njerëz që u grumbulluan kundër tij në 2009. Të gjithë i ka hequr nga PS. Nuk është çështja se i hoqi njerëzit që dolën për një tjetër alternativë në 2009. Pyetja është se me kë i ka zëvendësuar. Me kë zëvendësoi ata që hoqi nga listat me banditë! Është e vërtetë, i zëvendësoi me banditë me njerëz që vijnë në parlament me pistoletë, me njerëz që kërkojnë pronën publike me pistoletë, me njerëz që plagosin për interes privat.

I ka zëvendësuar me biznesmenë, që sot i ushqen me tendera. Dhe këta blejnë me lekët e tenderave blejnë votat për Edi Ramën brenda partisë.

Këta janë njerëz që po më kundërshtojnë mua. Janë vartësit e Edi Ramës ose njerëz që kanë shkuar në terren me pistoletë e para për të blerë votat. Po ju them se nëse njerëzit që më mbështesin penalizohen, apo ata që duan të mbështesin idetë e mia kërcënohen me penalizim nuk është një garë e drejtë.

Nëse do kisha frikë nuk do të kisha folur. Unë kam frikë vetëm nga penalizimi i lirisë. Nëse liria penalizohet kemi humbur gjithçka.