Bashkia kundër atyre që nuk kanë zë

Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak dha 2 rezultate: rritjen e çmimit të biletës, dhe na njohu nga afër me fytyrën e Këshillit Bashkiak, atyre që paskemi votuar për të marrë vendime për ne. Vendimi i rritjes së çmimit të biletës (që eklipsoi atë tjetrin për konçesion parkingjesh nëntokësorë) u mor përmes një banaliteti të theksuar të anëtarëve të Këshillit. Njerëz me artikulim të mangët; fyerje ku më të zakonshmet ishin: o legen, o çerr, etj.; vetë kryetari që bënte thirrje për kulturë ndërsa shpaloste një gamë të gjërë epitetesh për kundërshtarët që niste me “gomar” e mbaronte me “struc”; dhe konkluzioni, çmimi u rrit në 40L. Kjo rritje është një krim kundër shtresës më të varfër të popullsisë, atyre që nuk kanë zë.

Krimi i Bashkisë

Jam i bindur që të tërë ata që morën vendimin, pasi dolën nga ajo sallë u hipën makinave luksoze dhe u kthyen në shtëpitë e tyre në qendër apo në vilat e apartamentet në lagjet luksoze e me ajër të pastër jashtë qytetit. Nuk besoj se u ka humbur gjumi nga fakti se vendimi që ata morën penalizon një shtresë hallexhinjsh që unë i njoh mirë. Njerëz që numërojnë qindarkat dhe që atë 100lekshin e rritjes së biletës do ia heqin ushqimit ose rrobave ose librave të fëmijëve; njerëz që prej vitesh nënshtrohen një shërbimi mizerabël pa bërë fjalë; njerëz që kërkojnë vetëm një gjë, të mos u shtrëngohet edhe më litari që e kanë tashmë në fyt; njerëz që nuk kanë zë, sepse asnjë media e asnjë politikan nuk e ndjen hallin e tyre e nuk i përfaqëson dhe sepse janë shumë të zënë me mbijetesën për të ngritur zërin. Nëse Kryetari ose këshilltarët do udhëtonin vërtet me autobus, do kuptonin se çfarë kanë bërë. Për fat të keq, ata hipin në autobus vetëm për të bërë show.

Cinik ishte dhe argumenti kryesor që u përdor, se ky vendim pasqyronkësh pjekuri e përgjegjshmëri dhe se e gjithë kjo u bë që njerëzit të mos vuanin nga greva e datës 1 janar! Greva e datës 1 janar?! 1 janari ëshë e vetmja ditë që skamnorëve u lejohet të flenë pasi janë droguar me cheap TV e me ushqime të skaduara. Është e vetmja ditë që askujt nuk i duhet autobusi.

Ajo që do të ndodhë është që edhe pse bileta u rrit me 33%, shërbimi urban do të vazhdojë të jetë mizerabël; manaxhimi do të vazhojë të jetë prej injorantësh; xhepistët do vazhdojnë të patrazuar të bëjnë xhiro në xhepat e pensionistëve nën sytë e faturinove; higjiena do vazhdojë të jetë në nivelin e krupës nga sediljet me lyrë; autobuzët do të vazhdojnë të të nxjerrin shpirtin duke ecur me 10km/orë për të respektuar oraret idiote të përcaktuar nga analfabetët me përgjegjësi; gjithçka do jetë njësoj. Njësoj si vendimet e Këshillit. I vetmi argument bindës ishte ai i Kryetarit që u shpreh se populli e ka mandatuar për ta marrë këtë vendim. Kjo është e vërtetë. Populli i pazë është shpesh dhe pa sy, e pa veshë. Ata nuk e dinë që kanë votuar dhe për një Këshill, ose më saktë, çfarë fytyre ka ky këshill.

Fytyra e Këshillit

Përveç banalitetit ulëritës në komunikim dhe varfërisë së ideve që mbulohej me sharje apo akuza personale apo partiake, kjo mbledhje, më dha mundësinë të kuptoj sesi ka për të funksionuar Këshilli i Bashkisë: çdo vendim do jetë në kurriz të skamnorëve e në favor të “pronarëve”.

Dhe është mëse logjike. Këshilli vetë është produkt i orekseve, njohjeve e shijeve personale të liderëve por dhe i sponsorizuar nga individë e grupe me para. Aty ka biznesmenë, ndërtues, hajdutë të vjetër e të rinj, kamikazë të shefave e tek tuk ndonjë që ndoshta nuk e di as pse është aty. Mjaftoi t’i shikonim si komunikonin, cilat ishin idetë e tyre, larg qoftë idealet. Ky këshill është lehtësisht i bleshëm e lehtësisht i shantazhueshëm. Nuk do ketë asnjë vendim në të mirë të qytetit, por vetëm në favor të lobingjeve apo të presionit të atyre që kanë aq para e pushtet sa për t’i futur të tërë në thes me gjithë karriket ku ishin ulur.

E ardhmja u pa qartë: opozita, në pamundësi për të bërë opozitë numrash e për të ndryshuar rrjedhën e çfarëdo vendimi do të luajë vazhdimisht “të ndershmin” e atë që i ha shumë për të varfërit, ndërsa pozita do vazhdojë të marrë vendime kriminale duke u fshehur pas “strucit”. Kjo është e ardhmja.

Puna e kryer

Në vend që t’ia ngarkonin si barrë më të varfërve, çështja e kompanive të transportit urban që nuk përballojnë shpenzimet mund të kishte zgjidhje të tjera, një pjesë dhe që u hodhën në tavolinën e Këshillit Bashkiak. Por vendimi ishte marrë më parë, siç u kuptua. Përveç atyre zgjidhjeve, secila më e mirë se kjo që u bë, unë do të kisha dhe një tjetër: heqjen e liçensave operatorëve që nuk paskan mundësi ta përballojnë aktivitetin, falimentin e tyre dhe kalimin e shërbimit urban në manaxhim të Bashkisë. Në këto vite shërbim urban privat (që paradoksalisht e quajnë “publik”) nuk kam parë rritje cilësore të shërbimit, dhe jam i bindur që një Bashki e menaxhuar siç duhet mund ta bënte më mirë. Përndryshe, pse zgjedhim Kryetar Bashkie e Këshill? Më mirë të votojmë direkt kompanitë që menaxhojnë të gjitha shërbimet në qytet. Do të ishte më demokratike.

Për fat të keq, ky vendim si dhe shumë të tjerë do të vazhdojnë të merren dhe as një shkrim në gazetë, madje as fushata të tëra mediatike (që s’ka ndërmend kush t’i bëjë) nuk do të ndryshojnë gjë. Jetojmë në kohëra cinike e nën arrogancën e të kamurve. Ata do të bëjnë ligjet e tyre, do caktojnë taksa për veten e tyre, do rregullojnë vetëm rrugët para bizneseve të tyre, do ndajnë konçesionet dhe do shkelin me këmbë ata që nuk kanë zë. Që nuk ka kush u del zot. Njeriu Erion mund të ketë pasur fëmijëri të vështirë, por Kryetari Veliaj u pa qartë se nuk preket shumë nga fatet e Erionëve të tjerë.