Barroso sot në Tiranë, PD ndërpret bojkotin e Kuvendit

Presidenti i Komisionit Europian do të jetë sot në Tiranë, pasi BE i tha “Po” statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ai rikthehet në Tiranë 8 vjet pas vizitës së tij të parë dhe në fund të mandatit të tij, kur zëvendësuesi i tij, Jean-Claud Juncker, është zgjedhur.

Pritet që gjatë kësaj vizite Barroso t’i bëjë të qartë klasës politike shqiptare se çfarë rruge të vështirë ka përpara Shqipëria në anëtarësimin e Bashkimit Europian.

Kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm të 28 vendeve të BE-së mbështetën raportin e reformave që Komisioni Europian që drejtohet nga Barroso kishte hartuar për Shqipërinë, i cili rekomandonte statusin e vendit kandidat.

 

Axhenda

Presidenti i Komisionit Europian do të mbërrijë në Tiranë në mëngjes dhe takimin e parë do ta zhvillojë me Kryeministrin Edi Rama në Kryeministri. Pas ceremonisë së pritjes së Presidentit të Komisionit Europian dhe takimit zyrtar, Barroso e Rama do të zhvillojnë edhe konferencën e përbashkët për shtyp, ku fokusi është pa dyshim nxitja për vijimin e reformave.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kreu i Komisionit Europian ka parashikuar vizitë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e ndërtuar me fondet e Bashkimit Europian.

Përtej inaugurimit formal të kësaj gjykate nga ana e kreut të KE-së, e cila ka kohë që ka nisur nga puna, pritet që mesazhet që ai do të japë në konferencën për shtyp nga kjo Gjykatë, do të ketë lidhje me shqetësimet e Europës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, tani që për zyrtarët konsiderohet krim.

Me këtë deklaratë, Barroso do të konfirmojë mbështetjen që Komisioni Europian i jep Shqipërisë në këtë betejë. Por më shumë sesa lidhja me financimin e kësaj Gjykate nga BE, mesazhi i Presidentit Barroso në të, me sa duket, lidhet me prioritetet kyçe për Shqipërinë, të cilat kryesohen nga lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.

Jo pa qëllim mesazhet e kreut të Komisionit Europian do të jepen në prezencë të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, atij të Krimeve të Rënda Sandër Simoni, por edhe Kryeministrit Rama, që javët e fundit ka folur hapur për një reformë të thellë në sistemin e Drejtësisë e veçanërisht atë gjyqësor, të cilët i ka krahasuar me Gaten e Lazaratit.

 

Opozita

Presidenti në detyrë i Komisionit Europian do t’i drejtohet më tej Parlamentit, përpara të cilit do të mbajë fjalën përshëndetëse.

Ardhja e Barrosos në Tiranë dhe fjala e tij në Kuvend do të shërbejë edhe si një mundësi e mirë që opozita të rikthehet në karriget e saj të braktisura ditën kur Byroja Parlamentare përjashtoi me 10 ditë nga punimet e Kuvendit deputetin Sali Berisha për fyerje ndaj ministrave.

Bashkëpunimi maxhorancë-opozitë pritet të jetë në thelb të mesazheve që Barroso do të transmetojë para deputetëve, veçanërisht për reformat që ata kanë në tryezat e tyre, por edhe ato që lidhen me sistemin e Drejtësisë dhe përafrimin e legjislacionit me vendet e BE-së.

Në vizitën e tij njëditore, kreu i Komisionit Europian do të takohet me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, Presidentin Nishani dhe me kryetarin e opozitës, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në zyrën e tij.

Axhenda e Barrosos në Tiranë

Ora 9:00 nis ceremonia e pritjes së presidentit Barroso në Kryeministri.

Ora 10:00 Konferenca për shtyp e Kryeministrit Rama dhe presidentit Barroso.

Ora 11:00 Barroso do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin Meta.

Ora 12:00 Pritje nga Presidenti Bujar Nishani.

Ora 15:15 Presidenti i KE, Barroso, do të mbajë një konferencë në Gjykatën e Krimeve të rënda.

Ora 15:30 Kreu i KE-së takon kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha, në zyrën e tij.