Banka Qendrore Europiane nuk pranon më si garanci bondet shtetërore greke

Sistemi bankar në Greqi është tronditur pas vendimit të Bankës Qendrore Europiane që mos të pranojë më si garanci bonde shtetërore greke. Vendimi i marrë mbrëmjen e të mërkurës hyn në fuqi më 11 shkurt dhe pas kësaj date bankat greke mund t’i marrin likuiditetet vetëm nga Mekanizmi i Emergjencës (Emergency Liquidity Assistance – ELA) i Bankës së Greqisë.

Presidenti i BQE, Mario Draghi zhvilloi të mërkurën vonë në mbrëmje një bisedë telefonike me kryeministrin Aleksis Tsipras, për ta informuar rreth vendimit të BQE. Sipas burimeve qeveritare, Draghi garantoi se vendimi nuk influencon sistemin financiar të Greqisë, pasi situata me likuiditete rinovohet përmes mekanizmit ELA.
Në fakt, bankat greke mund të mos kenë problem për sigurimin e likuiditeteve, por do t’i marrin ato shumë më shtrenjtë se sa deri tani. Bankat greke sot  paguajnë interes 0,05% për huarata nga Banka Qendrore Europiane, ndërsa pas 11 shkurtit, që do të fillojnë të huazojnë nga ELA, ky interes do të jetë 1,55%.
Ndaj vendimit të BQE ka reaguar Ministria greke e Financave, që thekson se mospranimi i bondeve greke nuk përkthehet në zhvillime negative për sistemin financiar të vendit. Ministria vlerëson se me këtë lëvizje BQE ushtron presion mbi Eurogrupin që të avancojë me shpejtësi në hartimin e një marrëveshjeje të re midis Greqisë dhe partnerëve.
Ministrat e financave të Eurozonës “ka mundësi” të takohen të mërkurën, 11 shkurt, pra ditën që hyn në fuqi vendimi i BQE, me qëllim që të konkludojnë në një qëndrim të përbashkët sa i përket kërkesës së Greqisë për të patur një lehtësim të borxhit.