Bajram Rexhepi vazhdon të mbetet në koma të thellë

Këtë e ka bërë të ditur Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Turqi, Rrahim Morina, shkruan Gazeta Shneta.

Ai ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme e ka vizituar Rexhepin në spital ku është njoftuar me gjendjen e tij.

“Ish kryeministri ende vazhdon të jetë në gjendje kome të thellë dhe nën kujdesin permanent të mjekëve. Me këtë rast e falemnderoj drejtorin e spitalit dhe mjekët për kujdesin që po tregojnë”, ka deklaruar Morina.

Ai ka shtuar se Konsullata do të vazhdojë ta përcjellë nga afër gjendjen e tij dhe mbetet në kontakt me mjekët dhe familjarët.

Rexhepi është hospitalizuar në Turqi, pas dështimit të rikuperimit nga mjekët në QKUK në Prishtinë.

Ai u operua nga neurokirurgu Arsim Morina, i cili tha se ndërhyrja ka qenë e suksesshme, por gjendja e Rexhepit nuk u përmirësua.

Madje sipas raportimeve, ai pati edhe gjakderdhje pas operacionit. Anëtari i Bordit të QKUK-së, Shemsi Veseli insistonte se ka qenë vet familja e Rexhepit që ka kërkuar operimin e tij në QKUK.