Avokatura e Shtetit ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike për Skerdilajd Dalipin si një person i akuzuar për korrupsion, por sqaron se çështja ndaj tij është në Gjykatën e Apelit.
Në një njoftim të Avokaturës së Shtetit thuhet se Dalipi është i padënuar.
“Institucioni i Avokaturës së Shtetit sqaron opinionin publik se bazuar në dëshminë e penalitetit, në kohën e emërimit në detyrë, por edhe sot, z. Skerdilajd Dalipi është i padënuar. Edhe pse në prill të këtij viti është dhënë një vendim nga gjykata e shkallës së parë dhe më pas vendimi është pezulluar, z. Skerdilajd Dalipi ka dhënë dorëheqjen në maj të këtij viti. Dorëheqje e cila është pranuar nga institucioni”, thuhet në njoftim.
Në vijim të sqarimit, Avokatura e Shtetit, shprehet se çështja ndaj tij është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit.
“Për sqarim të opinionit publik bëjmë me dije se çështja është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit dhe deri në dhënien e një vendimi nga kjo gjykatë z. Dalipi konsiderohet i pafajshëm. Marrëdhënia e Z. Skerdilajd Dalipi me institucionin e Avokaturës së Shtetit është ndërprerë me miratimin e dorëheqjes.”- sqarohet nga Avokatura e Shtetit.
Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së saj, Laura Vorpsi akuzoi Skerdilajd Dalipin si një nga personat e dënuar që mbajnë poste në administratën shtetërore.
“Me Edi Ramën, mund të jesh në proces gjyqësor i akuzuar për korrupsion, po mund të jesh edhe i dënuar për korrupsion, dhe sërish të ecën mbarë dhe kap një zyrë të rëndësishme të shtetit. Rreth një muaj më parë, Gjykata e Kavajës dha vendimin për Skerdilajd Dalipin, duke e dënuar me 6 muaj burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Edhe gjatë procesit, por edhe pas dhënies së vendimit, i akuzuari për korrupsion është caktuar për të mbrojtur interesat e shtetit, në zyrën e Avokatit të Shtetit për Durrësin”, u shpreh zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi.