Avokatët britanikë: Nuk ka të dhëna për lidhje korruptive Meta- DIA

Në një letër drejtuar ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri dhe drejtorit të OSHEE, Ardian Çela, avokati i Clifford Chance, Tim Schreiber thotë se Meta nuk ka lidhje me DIA. Studio Clifford Chance ishte mbrojtëse e palës shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit kundër pretendimeve të Kompanisë DIA, të Kastriot Ismailajt.
Ja letra e plotë e avokatit:
“Unë po ju shkruaj në kapacitetin tim si këshilltari kryesor i OSHEE-së në arbitrazhin kundër DIA, i lidhur me cështjen e marrëveshjes së mbledhjes së borxheve mbi bazën e së cilës DIA kërkonte mbi 130 milion EURO nga OSHEE përpara Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vienë.
Mosmarrëveshja ishte zgjidhur që në Dhjetor 2014, por marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim u sfidua nga nje aksioner i supozuar i DIA-s çka coi në procedime gjyqësore paralele në Ishujt Virgjin Britanik dhe në një vazhdim të procedimit në arbitrazh. Sikurse jeni në dijeni, Gjykata e Arbitrazhit më datë 14 Dhjetor 2015 përfundimisht deklaroi të vlefshme zgjidhjen me mirëkuptim mes paleve dhe refuzoi kërkesën e DIA-s në tërësinë e saj.
Dëshiroj të përfitoj nga rasti t’ju përgëzoj ju për këtë sukses dhe t’ju falenderoj sinqerisht për mbështetjen tuaj të vazhdueshme për mbrojtjen e OSHEE-së.
Do të dëshiroja gjithashtu të vija në dukje performancën e shkëlqyer të ekipit te brendshëm të OSHEE-së:
Romeo Karaj kuptoi dimensionin e mashtrimit të DIA-s dhe mori vendimin kurajoz t’i kundërvihej paligjshmerisë së dukshme dhe të zhvillonte një strategji mbrojtje e cila rezultoi e suksesshme që me lëvizjen e parë (marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim).
Rezart Ruci dëshmoi të ishte një manaxher mosmarreveshjesh i shkelqyer dhe me besueshmëri të lartë, i cili u kujdes për pjesën operative të mbrojtjes me një kuptim shumë të mirë për cështjet ligjore dhe gjykim të shkëlqyer në mjaft situata të vështira.
Znj. Gentiana Gica kontribuoi me ide fituese për parashtrimet tona dhe njohuri të thella të cështjes; njohja e shkëlqyer e saj e gjuhës angleze ishte e pazëvendësueshme në këtë mosmarrëveshje ndërkombëtare.
Të tre sëbashku meritojnë meritën për ndjekjen e pakursyer të mbrojtjes së OSHEE-së. Ata me kurajo ndihmuan në zbatimin e sundimit të ligjit dhe shmangien e një dëmi të konsiderueshëm për kompaninë dhe mbi të gjitha për popullin shqiptar.
Siç është tipike në raste të tilla, ne na është dashur të merremi me fakte, supozime dhe dyshime të ndryshme. Kokëfortësia e gënjeshtrave të prezantuara nga oponentet na detyruan ne të reagojmë, por në të kundërt të asaj çka pala tjetër ka supozuar pas rrjedhjes së informacionit të vizitës tonë tek prokurorët në Tiranë në Tetor 2013, ne nuk kemi bërë asnjë akuzë të pagjetur.
Në këtë dritë është për të ardhur keq që natyra jo-publike e procesit të arbitrazhit është dhunuar, kur disa nga parashtrimet tona rrodhën në drejtim të shtypit për arsye të ndryshme politike dhe disa përfaqësues të medias lidhën emrin e të Nderuarit Kryetar të Parlamentit të Shqiperisë me akuzën e korrupsionit. Kjo gjë ka qenë qartësisht e pajustifikueshme mbi bazën e parashtrimeve tona. Ju do të kuptoni që ne na duhej të qëndronim të tërhequr nga reagimi në detaje ndaj supozimeve të tilla të medias, në këndvështrim të procedurave në vazhdim të arbitrazhit, por ne mund t’ju sigurojmë që nuk disponojmë asnjë të dhënë që e lidh z. Meta me veprimet korruptive të DIA-s apo të administratorëve të saj të shkuar apo aktualë. Në çdo rast, përfshirë përpjekjen e fundit frenetike të oponentëve të OSHEE-së për të shkaktuar konfuzion publik, ato dështuan dhe procedimi përfundoi me dhënien e vendimit përfundimtar të arbitrazhit më datë 14 Dhjetor 2015.
Unë edhe një herë ju përcjell përgëzimet e të gjithë ekipit të Clifford Chance- ishte një nder të shërbenim në këtë rast”.