Armëtarët elbasanas, nami që kishin nga India në Amerikë

Elbasani ka qenë i njohur ndër shekuj për prodhimin e armëve. Për shekuj me radhë zanatçinjtë e këtij qyteti u bënë të famshëm dhe armët e tyre tregtoheshin nga Lindja e Largëme deri në Amerikë. Armët e prodhuara në Elbasan dalloheshin për fuqinë dhe preçizionin e lartë. Por mbi të gjitha, ato kishin vlera artistike për shkak të përdorimit të metaleve të çmuara dhe dekoracionit të realizuar gjatë “qëndisjes” me dorë. Sipas arkivave turke, një shekull pas pushtimit osman, zejtarët u organizuan në esnafe. Në vitin 1580 u krijua esnafi i shpataxhinjve, të cilit furnizonin me shpata, si ushtrinë pushtuese, ashtu edhe banorët e zonës.

Më vonë lindi esnafi i argjendarëve, të cilët përpunonin metale të tillë, si ar, argjend, bakër, bronz, tunxh, hekur etj. Kërkesat erdhën në rritje si për popullsinë vendase, ashtu edhe për eksport. Rreth vitit 1600 në qytetin e Elbasanit lulëzonin dhjetëra lloje zejesh, siç ishin kujunxhinjtë, (argjendarët), jajxhinjtë (shigjetapunues), këlliçëxhinjëve (shpatapunuesve), kazanxhinjtë, çelingjirët (bravapunues), saçmaxhinjtë (prodhues të saçmave dhe plumbave), dyfekxhinjtë (pushkëprodhuesit), kallajxhinjtë etj. Para pushtimit turk, në Elbasan prodhoheshin vetëm “armë të bardha”, si sopata, shpata, topuze, heshta, shigjeta, mburoja, veshje metalike etj.

Por pas pushtimit turk prodhimi i armëve u rrit ndjeshëm. Në shekullin e XVII përmendet Ali Harkova nga Grabova, i cili prodhonte pushkën e gjatë e njohur me emrin “kajrafile”. Pushka e Ali Harkovës u bë e famshme dhe e kërkuar në të gjithë trevat shqiptare. Sipas dokumentave të sheriatit, në gjysmën e parë të shekullit XVII në Elbasan numëroheshin 7 jajxhinj (shigjetapunues), 4 këlliçexhinj (shpatapunues) dhe një saçmaxhi. Në shekullin e XVII në Elbasan numëroheshin 40 dyqane armësh, një shifër e pabesueshme për kohën. Aty prodhoheshin dyfekë krrabllie, topanxha, shishane etj. Profesioni vazhdoi deri në shekullin e XX. Për më shumë se tre shekuj e gjysmë, Elbasani u kthye në një nga qendrat më të mëdha të kohës për prodhimin e armëve.

Kjo edhe për faktin se qyteti u rrit dhe se ishte qendra e Perandorisë Turke për Shqipërinë. Tregtia favorizohej nga shkollimi i elbasanasve në Stamboll, nga pozicioni gjeografik dhe mbi të gjitha nga dhuntia që kishin mjeshtërat elbasanas në prodhimin e armëve. Me kalimin e viteve, prodhimi i armëve u përsos në mjaft elementë që kishin të bënin me madhësinë e armës, fuqinë e hedhjes së plumbave, preçizionin, numrin e plumbave, dekoracionet etj. Por ajo që i dallon armët e prodhuara në Elbasan ishte punimi i hollë artistik, me metale të rralla, si ar, argjend dhe bronz. Në këtë aspekt ato kishin vlera të veçanta artistike duke joshur blerësit si brenda dhe jashtë vendit. Çdo pjesë e armëve prodhohej mekanikisht me rrahje, gërryerje, gdhendje dhe limosje.

Derdhja e hekurit nuk praktikohej. Për pasojë armë të tilla ishin edhe të shtrenjta për kohën. Shumë nga blerësit shpenzonin shuma të mëdha, thjesht e vetëm për të blerë një armë në Elbasan e për ta varur në mur. Armëtarët e Elbasanit kanë meritën se, duke filluar nga viti 1850 deri në vitin 1910 prodhuan mjete artizanale me aftësi teknike të përsosur pushkën më të re të kohës të njohur si “Huta e Elbasanit” ose “Huta e miletit”. Për prodhimin e saj u dallua mjeshtri Saliu i Xhem Katundjes. Lidhjet me tregjet brenda vendit dhe panairet që zhvilloheshin si dhe eksportimi i tyre bënë që “Huta e Elbasanit” ti kalonte kufijtë shqiptarë. Kur vizitoi Elbasanin në vitin 1670 kronikani Evlija Çelepija shkruan: Në Elbasan punohen me elegancë të madhe armët e zjarrit. Në shekullin XIX-XX në Elbasan kishte 30 sokaqe në përbërje të të cilit kishte disa dyqane.

Në këtë periudhë në Elbasan numëroheshin rreth 100 dyqane të tregtimit të armëve. Armët që mbahen “peng” në Tiranë Muzeu i Ministrisë së Mbrojtjes vazhdon të mbajë “peng” disa armë të rralla, të marra në Muzeun Etnografik të Elbasanit në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Armët u morën për t’u ekspozuar sipas një marrëveshjeje bashkëpunimi mes bashkisë Elbasan dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Por kanë kaluar disa vite dhe muzeu nuk po i kthen më këto armë në Elbasan. Sipas të dhënave, Muzeu i Ministrisë së Mbrojtjes ka marrë armët më të mira që ekspozoheshin në këtë muze, mes të cilave përmenden 3 shpata, njëra e vitit 1496 e cila është unike në llojin e saj në Shqipëri, kobure të punuara me ar të shekullit të XVIII dhe pushkë të shekullit të XIX. Me gjithë kërkesat e bëra muzeu ende hesht.

Armët që mbahen “peng” në Tiranë

Muzeu i Ministrisë së Mbrojtjes vazhdon të mbajë “peng” disa armë të rralla, të marra në Muzeun Etnografik të Elbasanit në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Armët u morën për t’u ekspozuar sipas një marrëveshjeje bashkëpunimi mes bashkisë Elbasan dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Por kanë kaluar disa vite dhe muzeu nuk po i kthen më këto armë në Elbasan. Sipas të dhënave, Muzeu i Ministrisë së Mbrojtjes ka marrë armët më të mira që ekspozoheshin në këtë muze, mes të cilave përmenden 3 shpata, njëra e vitit 1496 e cila është unike në llojin e saj në Shqipëri, kobure të punuara me ar të shekullit të XVIII dhe pushkë të shekullit të XIX. Me gjithë kërkesat e bëra muzeu ende hesht.

Pushkët e Elbasanit, vlera të rralla artistike

Drejtori i Muzeut Etnografik në Elbasan, Kreshnik Belegu, shprehet, se “pushkët e prodhuara në Elbasan kishin vlera të rralla artistike. Zejtarët dhe mjeshtërit elbasanas ishin të famshëm për stolisjen e armëve. Në punishtet, që ndodheshin brenda sokaqeve, stoliseshin pushkë të gjata si: kajrafilet, kapsollaqet, dollaplijet, kapaklijet, pallaskat e bariut, hanxharët dhe jataganët.

Pra, në këtë këndvështrim, armët e prodhuara në Elbasan kishin karakter të dyfishtë: e para funksionin si armë zjarri dhe, e dyta e ndoshta më kryesorja, ishin objekte të çmuara pasi punoheshin me ar, argjend dhe kombinime të metaleve të rralla. Veç të tjerash, aty mishërohej arti i punimit me dorë që nuk ndodhte në qytete të tjera, gjë që u jepte atyre vlerë akoma më të madhe në treg. Për këtë qëllim armët e Elbasanit kapen tregjet e vendeve të lindjes deri në Indi dhe kaluan përtej oqeanit, duke u ekspozuar edhe në ekspozita armësh në Çikago (SHBA).

Duke vlerësuar artin e punimit të armëve në Elbasan, rilindësi ynë i madh Naim Frashëri shkruan: Brenda në këtë qytet përpunohen tyta pushkësh që preferohen shumë nga shqiptarët. Armët e prodhuara në Elbasan njiheshin dhe përdoreshin, jo vetëm në trojet shqiptare, por tregtoheshin edhe në Anadoll, Liban, Siri, Persi, Egjypt, Tunizi, Sudan dhe Indi. Aq të famshme u bënë armët e prodhuara në Elbasan në shekullin e XIX sa në vitin 1860 armët e këtij qyteti u ekspozuan në një stendë të veçantë në panairin e armëve të organizuar në Çikago, Amerikë. Në vitin 1803 emri i Apostol Jakovit ishte i famshëm si argjendar, ai i Bim Sharrës si prodhues i tapanxhave dhe familja Karadaku ishte e njohur për prodhimin e armëve.

Në mesin e shekullit të XIX në Elbasan përmendeshin armëtarë me namë si Osman Dyni, Bim Biçaku, Lam Zabzuni, Kalem Duka, Mal Skera, Muç Guranjaku. Për armët me fishek përmenden usta Salihi i Xhem Katundjes. Në fillim të shekullit të XX arshivat përmendin dyfekxhinjtë Haxhi Ali Shëngjini, Muç Zabzunin, Cen Karadakun, Musa Shëngjinin dhe Jonuz Lloshin. Por veç punës si zejtarë të pavarur njihen edhe forma të bashkëpunimit. Armëpunuesit elbasanas mbanin lidhje tregtie me zejtarët e Prizrenit. Në Prizren prodhoheshin tyta pushkësh (namliet) dhe ata merrnin nga Elbasani çarqet dhe bubat e pushkëve.

Në “industrinë” e prodhimit njihen edhe forma të kooperimit mes armëpunuesve dhe argjendarëve. Në mesin e shekullit të XIX në Elbasan nisën të prodhoheshin armë me fishek me fuqi të lartë depërtuese. Mes tyre njihen martina ose huta. Në fund të shekullit të XIX filloi prodhimi i armëve të gjuetisë me fishekë që quheshin “teke” dhe “çifte” të cilat vazhdojnë në forma moderne edhe sot. Ky profesion mori fund në këtë qytet me vdekjen e mjeshtrit të fundit Cen Karadaku. Me ardhjen e diktaturës profesioni i armëpunuesve pothuaj u zhduk krejtësisht.