Arben Kojqiqi: “Të rendësh drejt ëndrrës përtej metropolit britanik”

Nga Bashkim Metalia

“Udhëtimi im” është një dëshmi interesante e njerëzve që kanë shtegtuar jashtë trojeve të tyre. Secili nga ne e ka një histori më vete, që shtjellon ecejaket e ngjyrosura nga djersa e pluhurosur. Nga t’ia nisësh e të mbarosh rrugëtimin tonë.
Ne vërtitemi pa reshtur, si një hije e diellit vjeshtak që për rroba ka gjethet e rëna, për mbuloj po ato, ….gjumi shpesh të del pa shijuar as në ëndrra frutat e këtyre pemëve gjetherëna; sidomos kur mendon se stinët janë të paparashikueshme, bjerrja e mendimeve sa vjen e shtohet. Bashkudhëtari ynë i radhës e ka përqafuar fatin e tij, e ka bindur udhëtimin e tij se do të triumfoi pavarësisht sfilitjes së tepruar të regjimeve totalitare, kohës së pa kohë…
Ai arriti në Britaninë e Madhe në fillim të vitit 1998 dhe vendosi të mos dëgjonte asnjë sugjerim nga bashkatdhetarët e tij, që e sugjeronin të kthehej në Kosovë, apo të fillonte ndonjë punë në ndonjë restorant apo si taksist. Ishte i vendosur të ndiqte ëndrrën e tij për t’u bërë doktor, pikërisht këtu në metropolin britanik. Arben Kojqiqi ia nisi nga e para, nga gjuha angleze, për të arritur në majë, për t’u bërë doktor, në sajë të vullnetit dhe vendosmërisë për të ndjekur ëndrrën e tij. Po si nisi udhëtimi i tij në BM? Pas përfundimit të studimeve në Klyzh-Napoca të Rumanisë, filloi të punojë për farë kohe në Klyzh e pastaj edhe në Kosovë. Pasi gjendja në atë kohë nuk ishte e mirë dhe presioni në veçanti ndaj familjes së tij po shtohej dita-ditës, vendosi të largohet nga Kosova për në perëndim.
Në fillim kishte marrë vizë studentore për në Austri, ku shpresonte të fillonte specializimin në kirurgjinë kardiake, mirëpo pas një qëndrim njëmujor dhe pamundësisë që të specializohej aty u largua për në Gjermani dhe një muaj më vonë mbërriti në Londër. Problemi i parë ishte gjuha. Gjatë studimeve kishte mësuar gjuhën gjermane (pasi vëllai ishte kirurg kardiak në Gjermani, shpresonte se aty do të mbërrinte edhe ai), dhe gjuhës angleze nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur, kështu që iu desh të fillonte nga e para, mësimin e gjuhës angleze.
Fillimisht ndoqi një kurs të gjuhës në Hendon College, pas të cilit kaloi provimin IELTS në Universitetin e Cambrixhit. Kjo i hapi rrugën që më pas të fillonte me provimet shtetërore të mjekësisë PLAB dhe të punësohej në Royal Free Hospital në fillim e pastaj në University College London. E gjithë kjo i mori jo pak kohë (2 vite të plota), mirëpo ishin vite që ia vlente të investonte për të ardhmen. Problemet financiare, kuptohet, në vitin e parë ishin serioze, por edhe ato u tejkaluan me të filluar punën në profesion, një vit në kirurgjinë kardio-torakale në universitetin e Oxfordit Tani ai është kirurg kardio-torakal, në University College London Hospital.
Është specializuar në Londër dhe më pas ka punuar në Papworth Hospital, Cambridge University për një vit, në transplantimin e zemrës dhe të mushkërive si dhe në përdorimin e medical assist devices. Pas kësaj ka punuar për një vit në kirurgjinë kardio-torakale në universitetin e Oxfordit dhe më pas u rikthye në Universitetin e Londrës.
Profesionin e mjekut e ka trashëguar nga familja. Ai e zgjodhi mjekësin ndoshta më shumë për arsye të atit, të ndjerit Prof. Dr. Abedin Koiqiqi. Dëshira e tij ka qenë që vetë të studionte mjekësinë, mirëpo në ato vite, vitet ‘60–’70, nuk kishte fakultet të mjekësisë në Kosovë dhe, kuptohet, babai I tij nuk e kishte lejuar që ai të studionte në Beograd, nga frika se mos do ta humbiste djalin, kështu që ai studioi gjuhën dhe letërsinë shqipe. Kjo ka ndikuar tek Abedini që t’i drejtojë fëmijët në studimin e mjekësisë (tani janë tre vëllezër që kanë studiuar mjekësinë dhe dy janë specialistë në kirurgjinë e zemrës, ndërsa i treti është në përfundim të specializimit po për zemër).
Pra kjo më tepër ka qenë arsyeja pse e zgjodhi këtë profesion dhe kuptohet zgjedhja ka qenë mëse e drejtë. Nuk ishte e lehtë për Arbenin. Kur mbërriti në Londër kishte një qëllim, që sa më parë të fillonte të punojë në profesionin e tij. Kuptohet kjo nuk ishte e lehtë. Numri i shqiptarëve në atë kohë ishte i vogël dhe për fat të keq nuk kishte njeri të afërt që ta ndihmonte apo drejtonte mirë, përkundrazi këshillat e tyre ishin negative, si p.sh largohu nga Anglia se nuk ke gjasa
të punosh në profesion etj. Atë kohë e dinte se disa shqiptarë që kishin studiuar mjekësinë punonin ose si taximetristë ose në restaurante dhe kjo nuk ishte një gjë e mirë as edhe për të. Përkundrazi duke i njohur aftësitë dhe vullnetin e tij, ai filloi të studiojë gjuhën dhe pastaj të kalojë provimet e mjekësisë.
Pas 8 muajsh në Londër arriti që të marrë Clinical Attachment në spital, kuptohet pa pagesë, por kjo i ngriti vullnetin se njeriu mund të arrijë të punojë në profesionin e tij, përkundër peripecive të ndryshme dhe ajo çfarë dëgjonte ishte vetëm një histori e njerëzve të dështuar për fat të keq. Arben është rritur dhe edukuar në një familje ku atdheu ka qenë gjëja më e shenjtë.
Babai i tij ka qenë shumë herë i kontrolluar nga policia serbe vetëm pse kishte vizituar Shqipërinë në vitet ‘70 dhe nga ajo kohë mendohej si njeri i rrezikshëm për pushtetin jugosllav. Edhe gjatë studimeve por edhe gjithë këto vite në Londër ai punuar me një qëllim, që një ditë të njëjtën punë të bëjë në vendlindje (nuk ka rëndësi në Kosovë apo në Shqipëri, pasi kjo për atë familjarisht Kosova e Shqipëria kanë qenë një dhe e vetme). Vetë Arbeni shprehet se “vendi ynë dhe populli ynë meriton atë çfarë sot kanë edhe popujt perëndimorë. Është shumë e dhimbshme të shohësh që edhe në këtë shekull shqiptarët bredhin poshtë e lart Ballkanit dhe Evropës për të pas një ndërhyrje të suksesshme në zemër apo mushkëri. Kjo më ka bërë që atdheun ta kem në plan të parë dhe të vendosi të kthehem atje (Tiranë). Shpresoj që të paktën populli të përfitoj nga kjo.” Që në prilli 2013 kam lënë Universitetin e Londrës, dhe përkundër Ofertës që kishte në Universitetin e Oxfordit që të punoj si Consultant Cardiothoracic Surgeon, por Doktor Arbeni zgjodhi Shqipërinë dhe pikërisht spitalin Amerikan në Tiranë. Aty shkuan, së bashku me vëllain e madh të tij Doktor Besnikun ( nga Gjermania) ,me idenë që të bëjnë një qendër shqiptare të kardiokirurgjisë që të ofrojë për pacientet shqiptarë si çdo qendër në Britani apo Gjermani. “Mendoj që kësaj ia kemi arritur sepse sot në Tiranë i bëjmë të gjitha operacionet e zemrës dhe të mushkërive qe deri dje për këto operacione pacientet shqiptarë shkonin në vendet e huaja ku edhe nuk merrnin një trajtim adekuat” – shprehet dr. Arbeni. Tani është konsultant kirurg kardiotorakal, anëtar i plote i shoqatës evropiane të kirurgjisë kardiotorakale që nga viti 2007, anëtar i kolegjit mbretërorë të kirurgëve të Anglisë dhe Edinburgut, si dhe anëtar i shoqatës amerikane të kirurgjisë kardiotorakale.
Por kjo ëndërr e kjo dëshirë e Arbenit përballet me një realitet tjetër në Londër. Arbeni mendon se “shqiptarët në Angli janë duke kultivuar vlerat e mirëfillta që na karakterizojnë si komb. Janë shumë arsye pse kjo është duke ndodhur, se në vend të parë duhet të mos harrojmë se në Britani shqiptarët si komb janë të vonë”. Numri më i madh i shqiptarëve në Londër erdhën gjatë viteve 90, dhe numri më i madh I tyre ishin në moshë shumë të re dhe të paformuar. Ndryshe nga disa vende të tjjera perëndimore në Britani nuk kishte një komunitet shqiptar që t’i priste këta të rinj dhe t’i drejtonte në rrugën e duhur. Për fat shumë të keq një numër shumë i madh I tyre filluan të merren me gjërat më të këqija. Kjo ishte jo vetëm nga ana e problemeve financiare që ata kishin por edhe nga shoqërimi me elementët më të këqijtë të popujve të tjerë present këtu.
Mjerisht edhe kapaciteti i tyre intelektual ishte nën zero, ndaj nuk mund t’i bënin ballë këtij realiteti të ashpër të Britanisë. “Kjo bëri që britanikët, që deri dje nuk dinin asgjë për shqiptarët, – thotë Arbeni, – të shohin dhe të mësojnë vetëm gjërat më negative për ta. Imazhi për shqiptarët ishte shume i keq, çdo gjë shqiptar identifikohej me drogën, vjedhjen, prostitucionin etj.
Unë ndoshta kam qenë shqiptari i parë në Britani që kam filluar të punoj në spital në atë kohë dhe kur më pyetnin se nga jam dhe u tregoja, shumë kolegë si për sarkazëm më thoshin po bordello të prostitucionit keni, po drogë shitni. Pra kjo ishte përshtypja e tyre për shqiptarët. Për fat të keq në përgjithësi një imazh i tillë vazhdon ende të ekzistoj në Londër”.
Dy ambasadat shqiptare në Londër mund dhe duhet të bëjnë më tepër për të përmirësuar këtë imazh.
Për Arbenin nuk është asnjëherë vonë që këta të rinj të arsimohen. “Vullneti për të arritur lart në profesion dhe në karrierë është më i fortë se të gjitha pengesat që mund t’ju dalin përpara. Pa një angazhim të madh, pa një punë të dyfishtë në krahasim me kolegët e tu vendas, nuk mendoj se do te keni sukses të madh në karrierë. Të punosh çdo gjë vetëm për të fituar lekë, është e kotë dhe e përkohshme. Ju dëshiroj të gjithëve suksese në jetë dhe në punë. Vendi ynë ka më shumë nevojë për njohuritë tuaja profesionale se sa që ka nevojë sot Britania dhe Evropa”, përfundon Arbeni, i cili sot nderon jo vetëm emrin e tij, por ermin e kombit, një shqiptar i suksesshëm që jeton e punon për mrekulli në profesionin human e të nderuar të mjekut.