Andi Bushati: Ja si duhen dekriminalizuar mediat

Këto ditë, Partia Demokratike ka sulmuar me deklaratat e saj dy televizionet më të mëdhenj në vend, Top Channel dhe TV Klan.

Por analisti Andi Bushati, në një shkrim për Lapsi.al, thotë se “halli i vërtetë i PD nuk ka të bëjë as me lirinë e mediave dhe aq më pak me fjalën e lirë. Ai ka të bëjë me frikën se autoparlanti ka kaluar nga dora e një bande, në dorën e bandës tjetër”.

Sipas Bushatit, problemi më i madh i televizioneve në vend ka lidhje me pronësinë.

“Pikërisht në kohë të PD-së u konsolidua një nga anomalitë më të mëdha të tregut televiziv në vend.

Ndërkohë që ligji shqiptar parasheh televizione me disa pronarë në mënyrë që interesat të balancohen, ndërkohë që ai nuk lejon pasjen e disa liçencave nga një bos i vetëm, për të gjitha këto u mbyllën sytë. Sot, pavarësisht nga letrat dhe emrat fallco që kanë shënuar në QKR, të gjithë televizionet janë në shkelje të hapur të ligjit.

Sot, pasi Vjollca Hoxha ka rimarrë komandën e punës së përditshme në Top Channel, në Shqipëri është regjistruar një rekord “sui generis”. 

Tre televizionet më të mëdha në vend, jo vetëm janë prona të tre familjeve, por ato edhe administrohen në punën e përditshme nga anëtarët e tyre.

Shenjë më të hapur të konfliktit të interesit, të përdorimit të mediave si kioska për përfitime të familjes, të arsyes se përse ka gjithnjë e më pak borde hartimi politikash dhe më pak gazetarë me integritet që drejtojnë edicionet e lajmeve, nuk mund të gjendet.

Kjo është edhe arsyeja se pse TV-të tona fluturojnë andej nga fryn era”.

Bushati thekson se “PD duhet të vërë në pikëpyetje sistemin. Duhet të kërkojë zbatimin e ligjit për “eleminimin” e pronarëve fallco. Duhet të rishikojë liçencat abuzive. Pra me një fjalë, duhet të këmbëngulë në dekriminalizimin e mediave”.