Analiza/ Frika e Metës nga burgu mund ta prishë Ramën me ShBA

Edi Ramës i ka mbetur dopjo gjashta në dorë dhe ai mund të bëhet sërisht pengesë për një kërkesë thuajse ultimative të aleatëve amerikanë, që po i kërkojnë me ngulm ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kush e ka ndjekur me vëmendje sagën e krijimit të kësaj njësie speciale që pritet të çojë prapa hekurave politikanë të lartë, e ka të vështirë të kuptojë se si rolet kanë ndryshuar radikalisht.

Në fillim ishte Rama që e kërkonte më forcë ngritjen e “Byrosë…” dhe qenë demokratët që e shihnin me dyshim. Tani janë Basha me Berishën që bëjnë thirrje për miratimin saj (lexo poshte lajme/Lapsi.al) dhe është Rama që përpëlitet dhe heziton.

Pyetja është: përse?

Për të kuptuar këtë duhet të kthehemi pak pas në kohë.

Duke u nisur nga fakti se në Shqipëri të gjithë politikanët e lartë bënin kërdinë amerikanët me mbështetjen e BE-së vendosën ti merrnin vetë në dorë fatet e të bërit drejtësi për ta. Kështu ata projektuan ngritjen e një strukture të ngjashme me FBI-së, ku prokurorë të aftë, të pakorruptuar dhe të përzgjedhur nga ShBA, do të trajnoheshin nga përtej Atlantikut, do të kishin rroga të majme, do të mbikëqyreshin edhe në Shqipëri nga specialistë perendimorë, për të bërë një drejtësi reale.

(Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të japin afro 10 miljon euro qe te trajnojnë gjashtëdhjetë inspektorë antikorrupsion, të cilët do të kalojnë testin e poligrafit, testin e integritetit dhe atë të edukimit, për të qenë pjesë e Byronsë se Hetimit).

Ideja kish lindur më përpara, por kur Donald Lu zbarkoi në Tiranë ai e kishte një nga prioritetet e dosjes që solli me vehte këtë çështje. Dhe ajo filloi të marri rrugë. Së pari mendohej se ajo do të qe nën sovranitetit e ministrit të brendëshëm Tahiri. Por këtë gjë e kundërshtuan demokratët. Ata e hodhën në gjykatën kushtetuese dhe ajo i dha të drejtë opozitës.

Deri këtu, në pamje të parë, dukej sikur qe PD-ja që i trembej një strukture të tillë dhe socialistët sikur e mirëprisnin atë. Por pas vendimit të kushtetueses loja ndryshoi pak.

Diplomatët e SHBA, të bindur se ata do i kishin nën kontroll njerëzit që do të punonin për “byronë…” pranuan që ajo të ishte edhe në vartësinë e kryeprokurorit.

Kështu u duk se u arrit një marrëveshje dhe në vjeshtën e vitit që shkoi tre liderët kryesorë të vendit dhanë dakordësinë që “Byroja…” të ngrihej. Madje Donald Lu i ftoi të dy Berishën dhe Bashën për drekë në seline e tij për ti marrë OK-jin.

Por çndodhi? Sapo Partia Demokratike u shpreh po, krahu i qeverisë filloji të belbëzonte. Burime brenda kabinetit Rama bëjnë me dije se ministri i drejtësisë Ylli Manjani ka kundërshtuar reptësisht ta firmosë draftin që mundëson krijimin e kësaj strukture. Madje ata që shkojnë më tej pretendojnë se Meta e caktoi në atë post pikërisht për këtë gjë: si një lloj kamikazi që të pengonte çdo nismë për struktura paralele që do të fillonin hetimin e politikanëve të lartë (përfshi atë vetë).

Meta i trembej një fakti. Ngritja e një strukture të drejtuar dhe kontrolluar nga ShBA, mund ta rrezikonte atë personalisht. Në djeni të fijeve që luajtën dosjen DIA CEZ, dhe të refuzimit që i është bërë nga diplomacia amerikane ai kishte frikë.

Prandaj si nën Saimir Tahirin, si nën Adriatik Llallën, ai nuk e donte ngritjen e kësaj strukture.

Pikërisht në djeni të këtyre fakteve ka qenë Sali Berisha kur e akuzoi Ramën në parlament se “ty nuk ta firmos projektligjin ministri yt i drejtësisë”. Pikërisht sepse ka kuptuar këtë ngërç, Basha dhe Berisha e kërkojnë përditë ngritjen e “Byrosë…”, pasi e dinë që Meta e ka kapur peng Ramën dhe nuk e lejon miratimin e saj.

Pikërisht për këtë, Rama i gjendur ngushtë, sepse e di që nga njëra anë nuk i thotë dot jo “Byrosë…”  së kërkuar nga ShBA dhe nga ana tjetër e di se nuk mund të dali në publik si një shef që nuk e pyesin ministrat e tij, nuk di si të sillet. Ai thjeshtë po përpiqet të fitojë kohë, duke i thënë amerikanëve “PO” për një gjë që nuk e bën dot. Ai po vërsillet të gjejë forma të tjera, të hedhë idenë se ligji për “Byronë…” duhet ingranuar në kuadrin e ndryshimeve kushtetuese e kështu me radhë.

Në fakt ai është në udhëkryq.

Nga njëra anë ka partnerët ndërkombëtarë që e shohin përditë e më shumë si një lider që nuk merr dot vendime dhe nga ana tjetër ka PD në që i lëviz thikën në plagë duke i kujtuar se nuk e mban dot zotimin për ta votuar sëbashku njësinë e kërkuar me këmbënguljen e ShBA.