Amerika e Veimarit e Trumpit

Nga Roger Cohen, The New York Times

Mirësevini në Amerikën e Veimarit: është bërë e pashmangshme nëpër birrari. Njerëzve iu ka ardhur në majë të hundës politika e zakonshme. Ata duan fjalime me përmbajtje. Ata duan përgjigje.

Mirësevini në një shtet të inatosur, të lënduar nga dy luftëra të humbura, politikat e të cilit po shkojnë nga ekstremi në ekstrem, humori i të cilit është hakmarrës, i frustruar nga dekada të tëra me paga reale në stanjacion për shumicën e njerëzve, i cili po tundohet nga një burrë i fortë që don t’i mbajë të gjithë myslimanët larg dhe që premton se do të rikthejë madhështinë e Amerikës.

“Do të bëhemi të fortë, të pamëshirshëm dhe të këqij”, – tha Donald Trump në përgjigje të masakrës së San Bernardinos. Njerëzit brohoritën. Ai bëri thirrje për një “ndalim të plotë për myslimanët që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”. Njerëzit brohoritën. “Populli do që të përforcohet”, tha ai. Njerëzit brohoritën. Shifrat e tij në sondazhe po rriten. Ekspertët, dhe madje edhe guru-ja afatgjatë i propagandës politike të republikanëve, Karl Rove, po tundin kokën.

Trumpi është një palaço. Në fakt, jo. Ai është një përfitues. Dhe ka në mendje diçka. Do të ishte marrëzi po të mos e merrnim seriozisht.

Një stuhi thuajse e përkryer e demagogjisë së tij ka rënë mbi Shtetet e Bashkuara. Kina është në rritje. Fuqia amerikane është në rënie. Pllakat tektonike të sigurisë globale po zhvendosen. Afganistani dhe Iraku kanë qenë varrezat e lavdisë. Ekziston frika, pas vrasjeve në Kaliforni të frymëzuara nga Shteti Islamik, se armikun e kemi brenda.

Për më shumë se një dekadë, gjaku dhe pasuria amerikane është shpenzuar, pa ndonjë përfitim të madh. Presidenti Obama pretendon se strategjia e tij kundër terrorizmit xhihadisto-islamist, të cilin ai shpesh e cilëson si “ekstremizëm i dhunshëm”, po funksionon. Ka pak ose aspak prova për këtë.

Shumë amerikanë luftojnë për të shtyrë muajin, pagat e tyre nuk konkurrojnë dot me çmimet.

Dhe ja tek vjen Trump, një djalosh plot energji. Ai premton një rigjallërim amerikan, një rishpikje, dhe madje edhe një rilindje. Ai fyen myslimanët, meksikanët, invalidët, gratë. Fjalët e tij janë plot urrejtje dhe vrazhdësi. Ato luajnë me frikën. Ato i nënshtrohen një analize të tmerrit. Megjithatë nuk e dëmtojnë atë. Ai po ua vlon gjakun njerëzve. Ai thotë atë që të tjerët pëshpëritin. Ai e anashkalon kujdesin dhe korrektesën e zakonshme politike. Ky djalë do ta konkurrojë bindshëm Putinin për paratë e tij! Shifrat e tij nëpër sondazhe rriten.

Do të ishte marrëzi të mos e merrnim seriozisht. Gjuha e tij bombastike është e sintonizuar me Amerikën e Veimarit. Shtetet e Bashkuara nuk po paguajnë reparacionet e luftës, sikurse bënte Gjermania e Veimarit pas Luftës së I Botërore. Hiperinflacioni nuk duket në horizont. Por Evropianizimi i politikave amerikane është i pangatërrueshëm.

Amerika, ashtu sikurse Europa, është tronditur nga terrorizmi i Shtetit Islamik dhe nuk është e sigurt se si t’i përgjigjet mercenarëve të vdekjes me flamur të zi. Politika e saj e polarizuar është thyer. E djathta e Donald Trumpit dhe e djathta e Marine Le Pen në Francë ka vënë në shënjestër terrorizmin edhe emigracionin. Në të majtën amerikane, Bernie Sanders nuk tingëllon si asgjë më shumë sesa një socialdemokrat evropian. Por kjo është çështje tjetër.

Lë Peni tani është një kandidate serioze për presidencialet franceze të 2017-s. Rezultatet e saj të forta në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale nuk u konfirmuan në raundin e dytë. Ajo dështoi. Por ashtu sikurse Trumpi, ajo i përgjigjet thirrjes popullore për t’i dhënë fund kësaj meseleje dhe dy masakrat e Parisit kanë patur një rol përcaktues në këtë. Tre xhihadistët që vranë 90 veta në koncertin e Bataclanit ishin qytetarë francezë që besohet se ishin trajnuar në Siri.

“Fundamentalizmi islamist duhet të asgjësohet”, tha Le Pen. Njerëzit brohoritën. “Franca duhet t’i ndalojë organizatat Islamiste”, tha ajo. Njerëzit brohoritën. Ajo duhet “t’i dëbojë të huajt që nxitin urrejtje në vendin tonë ashtu sikurse edhe emigrantët e paligjshëm që nuk kanë asnjë punë këtu”. Njerëzit brohoritën.

Nuk ka asnjë dyshim se Lë Penin po e marrin seriozisht në Francë. Fjala kyçe në Europë është vigjilenca. I tërë rindërtimi i saj i pasluftës është mundësuar mbi bindjen se paqja, integrimi, bashkimi ekonomik dhe shteti social ishin garancia më e mirë kundër rikthimit në pushtet të së djathtës fashiste.

Kjo bindje është lëkundur. Ngritja e Shtetit Islamik dhe paaftësia e Perëndimit për t’i bërë ballë, kanë çuar direkt e tek Islamofobia në të cilën Trumpi dhe Le Peni lëvizin me sukses. Do të ishte e vështirë të imagjinohej një atmosferë më e përshtatshme për politikat e frikës. Amerikanët thonë se janë më të frikësuar se kurrë nga terrorizmi që prej 11 shtatorit.

“Çdo herë që gjërat shkojnë keq, unë i ndreq”, tha Trump. Është e vërtetë, por gjërat mund të shkojnë edhe më keq me të.

Evropianizimi i politikave amerikane është gjithashtu Evropianizimi i rrezikut politik amerikan. Ajo që ishte e pamendueshme dhe që ndodhi në Europë, nuk është e pamundur që të ndodhë edhe në Amerikë.

Do të ishte gabim të mos merrej shumë seriozisht Trumpi. Do të ishte e papërgjegjshme. Do të thoshte të harroje historinë evropiane, shembujt fashistë të së cilës ai ka huazuar. Në Amerikën e Veimarit politikat nuk janë siç kanë qenë. Administrata duket e lodhur. Administrata nuk e ka kuptuar shkak-pasojën e botës bashkëkohore.

Republika e Veimarit ra me ardhjen në pushtet të palaços, klounit tejet energjik që bërtiste më shumë, një kokoroçi birrarish, një racisti dhe fanatiku.

Ai ishte një i papërfillshëm i dhënë pas aktrimit dhe madhështisë. Ai joshi kombin e Beethoven-it. Dhe mori më qafë botën.