Aleanca mes Turqisë dhe SHBA, nga pikëshikimi i interesit kombëtar turk

Nga Blendi Lami*

Në shkurt 2015, në një intervistë për Christiane Amanpour, gazetare e CNN, kryeministri turk, Davutoglu deklaroi se Turqia ishte e gatshme të përfshihej me trupa tokësore në Siri “nëse të tjerët luajnë pjesën e tyre”, që do të thoshte – me fjalë të tjera – se Turqia do të ishte e gatshme të përfshihej në këtë luftë, nëse këtë gjë e bënin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (Është interesant fakti se Amanpour e ka përdorur për një kohë të gjatë thënien e Davutoglusë si pjesë të reklamës për emisionin e saj të përnatshëm.) Kjo thënie nënkuptonte gjithashtu se Turqia ishte e gatshme të bënte aleancë me SHBA-në, vetëm nëse të dy aktorët do të luanin të njëjtën lojë.

Në kohën e sotme mbizotëron anarkia në sistemin botëror, pasi nuk ka një fuqi apo autoritet që të qeverisë botën. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, anarkia pranohet gjerësisht si pikë referuese e teorisë realiste. Disa politologë e përdorin termin “anarki” për të nënkuptuar një botë në kaos apo konflikt, ndërsa të tjerë e konsiderojnë thjesht si një reflektim i rendit të sistemit ndërkombëtar, ku shtetet e pavarura nuk kanë një autoritet qendror mbi veten (Milner, 1991). Në këtë kuadër, aleancat mes shteteve do të jenë jetëgjata për aq kohë sa do të përmbushen interesat e shteteve të përfshira. Në këtë këndvështrim është parë edhe koalicioni i fundit mes SHBA-së dhe Turqisë në lidhje me konfliktin në Siri.

Që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kjo aleancë ka dhënë rezultate të ndryshme.

Gjatë Luftës së Ftohtë, politikën e jashtme turke e karakterizonin dy koncepte thelbësore:ruajtja e status quo-së dhe perëndimorizimi. Tradicionalisht, politika e jashtme turke është bazuar në “ruajtjen e rendit të vendosur brenda kufijve dhe balancave ekzistuese” dhe “zbatimin e një politike të jashtme me orientim drejt Perëndimit” (Aydin, 1999). Qëndrimi kemalist – që ndiqte axhendën e tij për modernizimin e Turqisë me orientim nga Perëndimi – dhe sistemi i Luftës së Ftohtë i marrëdhënieve ndërkombëtare qenë faktorët kryesorë që përcaktuan politikën tradicionale të jashtme të Turqisë. Davutoglu i konsideron objektivat turke të Luftës së Ftohtë në politikën e jashtme, si pjesë të një “paradigme statike”. Pra, Turqia vepronte e ngurtë brenda një aleance të fuqishme (NATO) dhe më shumë luante rolin e bllokueses së ekspansionit sovjetik – në shërbim të vetes dhe Perëndimit.

Me ardhjen në pushtet të AKP-së (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim) në vitin 2002, Turqia prishi ekuilibrin me Amerikën, teksa në mars 2003, me vendim të parlamentit turk, nuk u lejua ndërhyrja në Irak përmes tokës turke. Ky vendim e largoi nga aleatët e ngushtë dhe u konsiderua si sfidë ndaj Perëndimit, në kohën që qeveria e sapoardhur në pushtet konsiderohej “islamike”. Në këtë rast, partia në pushtet votoi në harmoni me qëndrimin popullor – dhe jo me atë elitar, siç kishte ndodhur deri në atë kohë. Megjithëse Turqia konsiderohej urë mes Lindjes dhe Perëndimit, kishte filluar të vihej në zbatim doktrina davutogluiane “thellësia strategjike”, që nënkuptonte një braktisje të axhendave të mëparshme të politikës së jashtme. Për pasojë, u vu re një largim nga SHBA, Izraeli (që kulminoi me sulmin e flotillës më 2010) dhe Bashkimi Europian (duke qenë se vetë Turqia refuzonte të hapte disa kapituj të acquis communitaire për shkak të sjelljes së disa shteteve europiane). Pra, ndonëse pjesë e NATO-s, Turqia nuk ishte më ajo aleatja e bindur e Amerikës. U vërtetua qëndrimi se aleancat janë të përkohshme në një sistem anarkik, kur palët kanë interesa të ndryshme.

Atë që nuk e bëri në mars 2003 me vendim të parlamentit, Turqia e bëri me miratim të qeverisë në korrik 2015, pas 12 vjetësh. U lejua që të përdorej nga amerikanët baza e Incirlik-ut. Me këtë iu hap rruga forcimit të aleancës me Perëndimin. Pse i duhet kjo aleancë Turqisë në këto momente të tensionuara të politikës ndërkombëtare?

  1. Turqia është përfshirë në koalicionin kundër ISIS pasi i rrezikohen kufijtë, gjë që do të sillte kërcënime jo vetëm për Turqinë. Përmes ISIS, ajo do të dobësojë kurdët, që janë një kërcënim real për të. Nga sulmet e ndërmarra janë goditur bazat e ISIS, por më shumë bazat e PKK-së (Partisë Komuniste të Kurdistanit) për arsye se Turqia i konsideron të dyja si organizata terroriste. Kjo ndodh në kohën kur qëndresa e kurdëve ndaj ISIS lavdërohet nga SHBA. Duket se fuqitë i bëjnë lëshime njëra-tjetrës për interesat e tyre. Nga pikëpamja turke, është rrezik i madh që të krijohet një Kurdistan i pavarur në Irak apo në Siri, pasi qeveria e pavarur do të mbështeste kurdët e Turqisë.
  2. Duke luftuar në Siri dhe Irak – në aleancë me SHBA-në – Turqia forcon pozitat brenda NATO-s, pasi ajo bëhet aleatja kryesore e SHBA-së pavarësisht përfshirjes së Britanisë dhe Francës.
  3. Pas goditjes së avionit rus, Turqia sfidoi hapur Rusinë, e cila ka prani ushtarake në rajon. Është një mesazh që i dërgohet Rusisë nga Perëndimi – nëpërmjet Rusisë – për frenim jo vetëm të përdorimit të hapësirës së NATO-s, por edhe frenim në veprimet në Lindjen e Mesme, ku zakonisht Amerika ka ushtruar dominim.
  4. Turqia merr rolin e fuqisë kryesore rajonale në Lindjen e Mesme, ku “luftën” kryesore e ka me Iranin. Duke u pozicionuar tashmë me trupa në Mosul, ajo e dikton të gjithë këtë rajon jo vetëm ushtarakisht.

Teksa shfrytëzon gjeopolitikën, gjeoekonominë dhe gjeokulturën, ajo zgjeron influencën në rajon – specifikisht në Ballkan, në Kaukaz dhe – me aleancën e shpjeguar më sipër – në Lindjen e Mesme, dhe pa dyshim vesh petkun e fuqisë rajonale. Pasi tregoi në vitin 2003 se nuk kishte nevojë më për Amerikën për të mbrojtur interesat e saj kombëtare, ajo është e gatshme të bashkëpunojë me Amerikën në çështje të ndryshme, por jo më si një fuqi dytësore dhe jo më si një fuqi thjesht rajonale.

*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, UET