Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka marrë pjesë në aktivitetet e “Javës çame” në Tiranë.
Ai ka folur veç të tjerash edhe për statusin kandidat për në BE, që Shqipëria arriti të marrë.
“Të gjithë u gëzuam që Shqipëria e fitoi statusin e vendit kandidat për në BE, Shqipëria duhet ta ndihmojë Kosovën në integrimet evropiane mirëpo edhe Kosova duhet ta ndihmojë Shqipërinë, për tu bërë anëtare e plotë në Bashkimin Evropian. Ndihma që Kosova t’i jap Shqipërisë është që të mos lejojë që Serbia të bëhet anëtare e BE para Shqipërisë. Ju e dini që Greqia e kushtëzon Maqedoninë, por kushtet që Greqia ja vendosë Maqedonisë nuk krahasohen me kushtet që Serbia do i vendosë Shqipërisë dhe Kosovës nëse anëtarësohet para nesh në BE,” tha Kurti.
Lideri i VV-së bëri thirrje për të krijuar një shtet të përbashkët gjithëshqiptar, që të eleminohen të gjitha projektet antishqiptare të sllavëve.
“Shqiptarët janë gjuhë shqipe, ndërsa grekët dhe serbët janë shtete ekspansioniste, dhe kjo nuk ka ndryshuar për 170 vjet, e nuk do të ndryshojë vetvetiu, deri sa shqiptarët të ngrihen e të krijojnë shtete të fuqishme, duke zmbrapsur orekset e shteteve shoviniste serbe e greke. Ndaj neve na takon që Çamërinë ta trajtojmë siç është dhe siç duhet të jetë gjithmonë pjesë e çështjes tonë kombëtare. Çështja çame është pjesë e tërësisë dhe ka nevoje për vëmendjen e të gjithë neve, pavarësisht prej nga vijmë në trojet tona në Ballkan”, u shpreh në fund Kurti.