Nga Besarta Vladi
Data e përkujtimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës pritet me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga populli shqipfolës, brenda dhe jashtë territorit të saj. Kjo datë shenoi shkëputjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia dhe i dha fund dilemave për statusin final të saj. Ata që e përjetuan kohën nën regjimin jugosllav dhe luftën, dinë se çfarë të kujtojnë prej asaj periudhe por si do të njihen më këto dy periudha brezat e rinj në të ardhmen? Si do ju transmetohet atyre e shkuara e dhimbshme e baballarëve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre? Natyrisht, përgjegjësinë mbi supe, në situata të tilla e merr përsipër kryesisht disiplina e historisë dhe historianët. Por si ndikon shkrimi i historisë në shërbim të krijimit të identitetit të një shteti dhe populli që sapo ka fituar pavarësinë? Ky është shqetësimi intelektual rreth të cilit do të flitet në vijim, me shpresën se në fund do mund t’i jepet një përgjigje, jo-definitive, por sa më e pranueshme dhe e qendrueshme në kohë.
Në funksion të pyetjes së shtruar pak më sipër do shfrytëzohet krahasimi i dy teksteve të historisë së Kosovës, shkruar nga autorët britanikë N. Malcolm dhe M. Vickers. Të dy janë përpjekur për të bërë një shkrim të detajuar të historisë së Kosovës që në kohët e hershme e deri në ditët e sotme. Pavarësisht se kalojnë nëpër të njejtat data dhe ngjarje historike, ata e vënë theksin në elemente të ndryshme, të cilët natyrisht mund të shërbejnë në funksion të krijimit të një identiteti apo të një tjetri. Pas krahasimit, do tentohet një qasje sugjestionuese për të thënë se cili prej këtyre dy teksteve mund të ishte më i përshtatshëm për tu mësuar si libër shkollor në një shtet të pavarur si ai i Kosovës. Krahasimi do bëjë të mundur nxjerrjen në pah të diferencavë dhe ngjashmërive mes këtyre dy teksteve dhe arsyet që mund të favorizojnë përzgjedhjen e njërit kundrejt tjetrit. Në fokus do të jenë më tepër dallimet mes tyre në mënyrën e të shkruarit të historisë, sidomos ato dallime që lidhen kryesisht me çeshtjen e identitetit të popullit të Kosovës.
Sygjerimi që mund të bëhet në këtë rast është pothuajse totalisht në varësi të faktit se çfarë identiteti duam t’i japim popullit të Kosovës apo më saktë, çfarë identiteti do të donte ai t’i njihej nga të tjerët. Duke qënë se u përmend kaq shumë koncepti identitet, ndoshta duhet dhënë paraprakisht një përkufizim rreth tij në mënyrë të tillë që përdorimi i tij në vijim t’i përmbahet një konteksti të caktuar. Kastells thotë se me identitet kuptohet proçesi i ndërtimit të kuptimit mbi bazën e një tipari kulturor, të cilit i jepet përparësi ndaj burimeve të tjera të kuptimit. E thënë në mënyrë më të thjeshtëzuar, të flasësh mbi identitetin tënd do të thotë t’i kthesh përgjigje pyetjes “Kush jam une?”. Identiteti është i ndërtuar si koncept dhe nuk ka lidhje me trashëgimi biologjike. Ai ndikohet nga institucionet e ndryshme të shoqërisë por që duhet të pranohet dhe të përbrendësohet si i tillë nga vetë individët.
Natyrisht, në rastin e qytetarëve të Kosovës situata është paksa e ndërlikuar pasi kemi të bëjmë me një shoqëri multietnike, edhe pse shumicën dërmuese atje e përbëjnë shqiptarët. Gjithsesi, aty është vështirë të flitet për një identitet të pastër kosovar, pra që nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët apo me serbët. Mundësia për të patur një identitet krejtësisht të ri në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, më duket paksa e pamundur. Edhe mundësia për të ndërtuar një identitet të përbashkët për të gjitha grupet etnike në Kosovë është relativisht e vështirë pasi pothuajse të gjitha këto grupe etnike kanë ndikimin e shtetetve amëtare. Psh. do të ishte pothuajse absurde të mendohej krijimi një identiteti kosovar për serbët e Kosovës kur akoma atje vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele për punonjësit serb të administratës shtetërore në Kosovë.
Si ndikon shkrimi i historisë në krijimin e identitetit ( Rasti i Kosovës) ?
“Kush asht kosovari?”, është një përmbledhje e debatit të zhvilluar në faqet e gazetës javore “JAVA” në Prishtinë, në lidhje me identitetin kosovar, ku personalitete të ndryshme të jetës politiko-sociale dhe akademike kanë mbajtur qendrime të ndryshme, shepsh kontradiktore dhe përjashtuese të njëra-tjetrës. Ajo që i bashkon ata është domosdoshmëria për të patur një identitet për kosovarët. Në parim, koncepti i identitetit është universal kurse përmbajtja e tij është e ndryshueshme në kohë dhe në kontekst. Me të drejtë, në fillim të këtij debati, prof. M. Kullashi shtron disa pyetje: “Është fjala për identitetin e të gjithë banorëve të Kosovës apo vetem të disave?”, “Për cilën periudhë është fjala, sepse identitetet, si ato individuale ashtu edhe ato kolektive, ndryshojnë gjatë kohës.” . Pra që në fillim duhet ta qartësojmë nëse do flasim për identitetin e shqiptarëve të Kosovës apo identitetin multietnik të popullsisë së Kosovës? Këta të fundit, edhe pse kanë vite e vite bashkëjetese me shqiptarët e Kosovës, duke ndarë me njëri-tjetrin një kujtesë historike të përbashkët, sërish elemente të caktuara kulturore bëjnë qartazi diferencimin midis tyre. Psh. një shqiptar i Kosovës dhe një serb i Kosovës, të dy bëjnë pjesë në popullsinë e Kosovës por vështirë të mund t’i vendosim që të dy mbi një emërues të përbashkët identitar.
Gjatë gjithë kohës, do të kemi parasysh këtë lloj ndarje, pra identiteti i popullsisë së Kosovës, si një shoqëri multietnike, nga njëra anë dhe identiteti i shqiptarëve të Kosovës, si shumica etnike në Kosovë, nga ana tjetër. Do të shohim në vijim se njëri nga tekstet është më i favorshëm në krijimin e njërit prej këtyre identiteve dhe teksti tjetër është më i favorshëm dhe ndihmon në krijimin e identitetit të dytë. Për t’iu rikthyer sërish debatit të cituar pak më sipër, disa mendojnë se Kosova tashmë duhet të ketë një identitet të sajin, ta pavarur nga e kaluara e saj historike, që bazohet kryesisht në realitetin kontekstual në të cilin ndodhet dhe duke iu referuar periudhës historike nga shpallja e pavarësisë e në vijim. Të tjerë mendojnë se identiteti kosovar është i njejtë me atë shqiptar dhe vazhdojnë të mendojnë se një ditë do të kemi Shqipërinë e Madhe Etnike. Është edhe një fragment i tretë që mendon se globalizmi na bën të jemi banorë të botës apo individ të globit dhe identifikimi si kosovar apo si shqiptar është pak ose aspak i rëndësishëm.
Personalisht, mendoj se secili prej nesh, dhe secili prej qytetarëve të Kosovës është larg së qenurit qytetarë i Europës apo Globit. Secili kërkon të ketë diçka më konkrete me të cilën të mund të identifikohet. Ideja e qytetarit të botës është ende një nocion abstrakt. Përkundër idesë se në Kosovë, identitetet janë të ngurtë dhe të prerë qartazi nga njëri-tjetri, politologu B.Pula thotë: “Historikisht, identitetet në trevën e Kosovës kanë qënë fluide. Ndonëse njiheshin diferenca, sidomos në aspektin linguistik dhe atë fetar, kufijtë midis identiteteve kanë qënë të kalueshëm dhe elastik” . E megjithatë, këto identitete nuk mund të projektohen në të ardhmen si të shkrirë plotësisht me njëri-tjetrin. Ndoshta në të ardhmen, do të përballemi me po të njejtin fluiditet midis tyre por jo me një mundësi shkrije në një identitet të vetëm. Në vijim të debatit, J. Bugajsky, thotë se ekzistojnë minimalisht tre përcaktime të mundshme për kosovarët: “si një nëndarje e kombit shqiptar, si një komb i veçantë që po krijohet, ose si një identitet i gjërë territorial pavarësisht përbërjes etnike.” Duke mos harruar faktin se ky debat është zhvilluar përpara shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duhet thënë se një pjesë e mirë e pjesëmarrësve në të kanë synuar të përkrahin atë alternativë që do ta lehtësontë më tepër shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj prej shteteve të tjera të arenës ndërkombëtare. Por tani që pavarësia është shpallur dhe njohja është në proçes e sipër, kërkohet që të ketë një këndvështrim më racional, më pak emocional apo tolerues për “hater” të mbështetjes së një hapi më të rëndësishëm siç ishte pavarësi. Tani nuk mund të pranohet çdo lloj versioni mbi identitetin vetem që të tjerët ta njohin ekzistencën e Kosovës. Mënyra se si do të krijohet ky identitet në vijim ka shumë peshë sidomos për brezat e rinj të cilët nuk e kanë përjetuar periudhën e para-shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
U tha në fillim se shkrimi i historisë kombëtare mund të shfrytëzohet në shërbim të krijimit apo rikrijimit të identitetit. Historia kombëtare mund të shërbejë për të konsoliduar tipe të caktuara regjimi, pasi ajo legjitimon ardhjen në pushtet të një regjimi të caktuar si rrjedhojë e ligjshmërisë historike. Gjithashtu, menyra e shkrimit të historisë ofron argument për të mbështetur zotërimin e një territori të caktuar. Veç këtyre, mësimet e historisë u shërbejnë kryesisht të humburve për të ringjallur shpirtin kombëtar. Kuptohet, historia në vetvete është vetëm njëri prej elementëve të kulturës. Kjo e fundit përbëhet gjithashtu nga gjuha, mitet kombëtare, simbolet kombëtare, gjeografia apo peisazhi kombëtar etj. Por kultura ndryshon nga identiteti pasi elemente të njejta kulturore mund të shërbejnë si bazë për identitete të shumta dhe nga ana tjetër një identitet mund të përfshijë brenda vetes elemente të ndryshme kulturore. Pra identiteti ndryshon por nuk ka bashkësi apo individë pa identitet, formimi i të cilit varet nga elementet kulturore që mund të përdoren.
Nga kjo pikëpamje, nëse historisë, si një nga elementët bazë të kulturës, i jepet shumë rëndësi në formimin e identitetit të Kosovës, atëherë mënyra se si shkruhet kjo histori mund të shfrytëzohet në shërbim të këtij identiteti. Gjithsesi, duhet theksuar që historia si element i kulturës, përmban brenda vetes edhe historinë e gjuhës së përdorur, historinë e miteve të përdorur, historinë e simboleve kombëtare etj. Për këtë arsye, thuhet se shkrimi i historisë ka shumë rëndësi në krijimin e identitetit. Nëse historia tregon se populli i Kosovës, që në kohët e hershme, është autokton në territorin e Kosovës dhe se vazhdimisht ai ka qënë “viktima” dhe asnjëherë “agresori”, kjo do të krijojë një ndjesi dhimbshurie tek pasardhësit për vuajtjet e paraardhësve por edhe një ndjenjë krenarie dhe dëshire për tu identifikuar me emrin kosovar si popull autokton, i përvuajtur por trim dhe paqedashës.
Pas shtrimit të çeshtjes kryesisht në aspektin teorik, le të shohim tani konkretisht se si mund të shfrytëzohet teksti i historisë i shkruar nga Malkolm dhe ai i shkruar nga Vickers në shërbim të identitetit të shtetit të Kosovës, qytetarit të Kosovës në përgjithsi, dhe shqiptarëve apo serbve të Kosovës në mënyrë specifike. Të dy pranojnë se në Kosovë është mbizotëruese ideja e kombit multietnik përkundër atij thjesht etnik apo politik . Asnjëri nga tekstet nuk mund të shfrytëzohen në favor të krijimit të një identiteti të përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës. Por ndërkohë që teksti i Malcolm vazhdimisht flet për shqiptarët e Kosovës si një popull i përvuajtur nën regjimin jugosllav, Vickers në të kundërt thotë se agresori apo fajtori nuk duhet kërkuar gjithmonë tek pala serbe. Edhe shëqiptarët e Kosovës kanë qënë iniciator të trazirave dhe konflikteve me Serbinë. Por fajtorin kryesor të këtyre konflikteve ajo e zhvendos tek një palë e tretë. Në të kundërt Malcolm, fajtor të konflikteve mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve pothuajse në të gjitha rastet etiketon shtetin dhe elitat e ish-Jugosllavisë dhe më vonë të Serbisë.
“Shpresoja se mungesa e tolerances që kishte karakterizuar policinë serbe karshi shqiptarëve të Kosovës, do të mund të zbutej…” . Kështu e nis Malcolm tekstin e historisë së Kosovës. Gjatë gjithë këtij teksti ai përmend në mënyrë të detajuar fakte dhe situate rrënqethëse që të ngjallin një urrejtje të jashtëzakonshme ndaj elitave dhe forcave serbe. “…gjatë kthimit, policët serb vranë një mësues shqiptar që po bënte mësim në klasë.” Nëse kjo frazë analizohet nga pikëpamja gjuhësore, ajo që transmeton tek lexuesit ka të bëjë me një mungesë tolerance sistematike të policisë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës në mënyrë specifike, pra jo ndaj popullit të Kosovës por ndaj një grupi etnik brenda këtij territori. Për më tepër, ndjeshmëria ndaj elementëve të veçantë si arsimi, dija, shkolla etj., konsiderohen si jetike për ruajtjen dhe zhvillimin e një kulture dhe për krijimin e një identiteti. Cenimi i tyre ngjall emocione negative tek populli shqipfolës i Kosovës. Kështu, me apo pa vetëdije një shqiptar i Kosovës do të insistojë ta identifikojë veten si të ndryshëm nga “tjetri”, që është serb, i dhunshëm dhe shfrytëzues.
Ndërkohë, Vickers shkruan:“Në të kaluarën, për sa kohë shqiptarët e Kosovës nuk i shqetësuan serbët dhe përmendoret e tyre të shenjta, mbizotëroi një atmosferë ‘jeto e ler të jetojë’, dhe përbërja shumëkombëshe e Kosovës nuk e prishte atë atmosferë” . Sipas kesaj fraze, shqiptarët janë fajtor për prishjen e marrëdhënieve paqësore me serbët dhe këta të fundit thjesht kanë luftuar në emër të mbrojtjes së vlerave të veta kulturore. Gjithashtu Vickers thotë se ndryshimet e gjuhës, traditave fetare e zakoneve janë mbitheksuar. Ajo bën një përgjithësim duke thënë se viktimat e këtij proçesi kanë qënë në mënyrë të vazhdueshme popujt e Ballkanit, qofshin ata shqiptarë, sllavë, grekë apo turq. “Ndryshime etnike dhe kulturore ka e s’mund të mohohen, por diçka tjetër, gjithashtu, i bashkon këta popuj: një shtresë e përbashkët kulture, një trashëgimi e sundimit së pari bizantin e mandej otoman.
Dhe, varrosur thellë nën të, shtrihet robëria dhe vuajtjet e popujve të tërë që iu nënshtruan atij sundimi” . Kështu, Vickers e zhvendos përgjegjësinë e përçarjeve mes popujve të Ballkanit tek pushtuesit jashtë tij. Veç kësaj, ajo nxit idenë e një identiteti përtej shqiptar, përtej serb apo grek, ajo nxit krijimin e një identiteti ballkanas, si popuj harmonikë, paqedashës dhe që i janë nënshtruar historikisht një fati të përbashkët.
Vickers thotë se “rritja e vazhdueshme e shqiptarëve të konvertuar në myslimanë dhe si shpërblim për këtë ngritja në pushtet e tyre në raport me fqinjët e tyre të krishterë, shënoi hapat e parë të ndarjes së tyre me serbët” Pra zanafilla e ndarjes serbo-shqiptare është sipas Vickers kurth i osmanëve dhe mendjelehtësi e shqiptarëve. Këta të fundit sipas saj, e pranonin që ishin të përzier me popullsinë serbe sa që ata “vetë i mbronin varrezat serbe se e dinin që atje mund të ishin eshtrat e paraardhësve të tyre” . Gjatë gjithë kohës, autorja paraqet një mënyrë jetese totalisht të përzier mes shqiptarëve dhe serbëve e cila filloi të përçahej nga një fuqi jashtë tyre. Kjo le të kuptohet se nëse ekziston vullneti i mirë i shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës për të bashkëjetuar, kjo është plotësisht e mundur pasi do përbënte thjesht një rikthim në “habitatin e tyre të hershëm dhe paqësor”. Nga ana tjetër, Malcolm, pothuajse gjatë gjithë kohës e lidh çeshtjen e Shqipërisë me atë të Kosovës. Sipas tij, “…shumë nga ngjarjet më të rëndësishme që mundësusan shpalljen e pavarësisë shqiptare, nuk ndodhën në Shqipëri por në Kosovë. Historia e së cilës, së këndejmi, ka një rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët” Malcolm dhe Vickers operojnë në drejtime pothuajse të kundërta. I pari përpiqet të nxjerrë në pah të gjitha të përbashkëtat e mundshme mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë kurse e dyta synon të theksojë përbashkësitë mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, si dhe të përbashkëtat mes popujve të Ballkanit në vija të përgjithshme. Kuptohet, asnjëri prej tyre nuk le pa përmendur pakicat e tjera etnike të Kosovës por theksi vihet vazhdimisht mbi shqiptarët dhe serbët.
Nëse i referohemi Kastell mbi tre burimet dhe format e identitetit, mund të thuhet se Vickers favorizon më tepër një identitet legjitimues në Kosovë kurse Malcolm mbështet idenë e një identiteti historikisht qendrestarë dhe në fund projektues. Identiteti legjitimues krijon shoqërinë civile që përbëhet nga institucione si kishat, partitë, kooperativat, OJF etj.,të cilat janë legjitimuese të shtetit. Pra këtu, kemi qytetarët, pak a shumë të barabartë mes tyre dhe të pozicionuar përballë elitave. Nga ana tjetër, identiteti qendrestar gjenerohet nga individë apo grupe që gjenden në pozita të shtypura nga pushteti apo shoqëria, ashtu siç kanë qënë shqiptarët e Kosovës sipas Malcolm. Në një fazë të dytë, gjenerohet identiteti projektues i cili është thjesht një zgjatim i identitetit qendrestar, ku grupet e shtypura synojnë ta shndërrojnë të gjithë strukturën shoqërore në mënyrë që pozitat e tyre në shoqëri të përmirësohen. Realisht, në rastin e Kosovës, më tepër kemi të bëjmë më një lloj identiteti separatist pasi ata si përfundim arritën të shkëputeshin totalisht nga Serbia.
Interesantë është edhe qendrimi që mbajnë të dy autorët në lidhje me origjinën e hershme të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Sipas Malcolm “Origjina e shqiptarëve duhet të kërkohet tek ilirët, veçanarisht në malet rreth e rrotull Kosovës, në Malësi dhe në vargmalet që shtrihen në veri, deri në Mal në Zi” . Kështu, ai flet për origjinën e përbashkët të shqiptarëve e cila është sipas tij e ndryshme nga ajo e origjinës sllave të serbëve. Ndërkohë, Vickers nuk e hedh poshtë versionin e preardhjes ilire të shqiptarëve por thotë se shqiptarët e Kosovës “u asimiluan dalengadalë nga besimi lindor ortodoks me mënyra të ndryshme, përfshi pagëzimin e fëmijëve me emra serbë dhe kryerjen e gjithë ceremonive fetare, si martesat në gjuhën serbe” . Gjithashtu, ajo thotë se në shumë treva, elementët sllavë dhe shqiptarë ishin shumë pranë njëri-tjetrit. Sipas Malkolm, serbët i kanë konvertuar me dhunë popullsitë muslimane dhe katolike në ortodokse.Nga ana tjetër, Feraj thotë se ishte pikërisht perandoria osmane ajo që garantoi mbrojtjen dhe vazhdimësinë e identitetit shqiptar duke frenuar proçesin e asimilimit sllav, grek, bullgar, bizantin ndaj tyre . Pra, osmanët veç sa e kanë favorizuar etnicitetin shqiptar në Kosovë.
Tjetër element i rëndësishëm në krahasimin mes Malcolm dhe Vickers ka të bëjë me mënyrën e përdorimit nga ana e tyre të vet territorit të Kosovës. Sipas Malcolm “Vetem një faktor e bënte kryesor Kosovën për kishën serbe, selia e kryepeshkopatës e pastaj edhe Patriarkana e Pejës. Sikur të mos ishte kjo, ndoshta Kosova kurrë nuk do të kishte patur atë rëndësi që ka aktualisht për serbët e sotëm” . Pra, ai jep kontrastin mes një rëndësie domethënëse të Kosovës për të gjithë shqiptarët dhe një rëndësie të rastësishme të saj për serbët. Në të kundërt, Vickers thotë se territori i Kosovës për Serbinë është tepër domethënës pasi sipas saj “zemra e ndërgjegjes kombëtare serbe ishte miti i Kosovës dhe marrëveshja me të” . Beteja me ushtrinë turke në territorin e Kosovës përdorej si element dhimbje por edhe krenarie nga pala serbe. Braktisja e Kosovës nga ana e tyre do të ishte mohim i trashëgimisë së tyre kombëtare e shpirtërore. Pra ka një lloj territorializimi të kujtesës nga pala serbe.
Është interesant edhe qendrimi që mbajnë autorët në fjalë ndaj çështjes së fesë në Kosovë. Malcolm thotë se “Ndjenja fetare serbe nuk është as e thellë e as e ngrohtë. Kisha ortodokse konsiderohet si një institucion politik, në mënyrë misterioze e lidhur me ekzistencen e kombit të tyre. Ata nuk i lejojnë askujt as ta sulmojë e as ta kompromentojë atë, megjithëse kur nuk sulmohet ajo, ata e harrojnë fare” . Pra, ata nuk janë aq besimtarë sa duken por çeshtjen e fesë ndaj Kosovës e përdorin si pretekst apo si justifikim. Ndërsa shqiptarët sipas tij nuk i bashkon asnjë fe. Ata vazhdojnë të mbeten një popull shekullar. Ndërkohë, sipas Vickers, deri në periudhën osmane, shumica dërmuese e shqiptarëve ishte ende kristiane dhe serbët e shqiptarët jetonin bashkë në një harmoni të konsiderueshme. “Ata nderonin të njejtët shenjtë, luteshin në të njejtat kisha, e respektonin një të kaluar me vlera të përbashkëta.” Pra sipas saj, jo vetëm që serbët kanë qënë besimtarë, por bashkë me ta edhe shqiptarët. Por, sipas Feraj, shqiptarët dhe serbët historikisht kanë patur identitete të ndryshme. Të parët i përmbahen identitetit etno-kulturor ndërsa të dytët identitetit fetar.
Edhe përsa i përket figurave historike, të dy autorët theksojnë moment të ndryshme të karrierës së tyre politiko-ushtarake gjë e cila ndikon në krijimin e një imazhi pozitiv ose negative për ta. Psh. Malcolm ndalon në qendrimin që E.Hoxha ka patur në lidhje me shqiptarët e Kosovës dhe këtu vlen të citohet fraza e tij: “…ne duhet të bëjmë çmos që të sigurojmë që Kosova të vëllazërohet me jugosllavët” mdërkohë që pak më heret shkruan” Njëri nga këshilltarët më të ngushtë të Titos ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte që Kosova të baskohej me Shqipërinë por meqë as faktorët e huaj, as faktori i brendshëm nuk e përkrahin këtë, ajo duhet të mbetet një provincë kompakte në kuader të Serbisë” . Kështu, automatikisht nxitet një ndjenjë e pakëndshme ndaj figurës së Hoxhës dhe një ide mbi legjitimitetin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë përderisa vet përfaqësuesi serb e ka pohuar si një veprim të drejtë dhe të duhur. Vickers nga ana tjetër thekson të tjera figura historike të Shqipërisë. Ajo thotë se Bajram Curri dhe Hasan Prishtina kanë përkrahur dhe këshilluar lëvizjen Kaçake të Kosovës të cilët ishin hajdutë dhe që nuk bindeshin për të paguar taksat. Kështu, miti i luftëtarëve si B.Curri dhe H.Prishtina përbalten duke zbehur dëshirën për tu identifikuar me ta dhe me trimërinë e tyre.
Reformat, fillimisht favorizuese dhe liberale, që ndërmori Tito ndaj shqiptarëve të Kosovës interpretohen sërish në mënyra të ndryshme nga të dy autorët. Sipas Vickers, ky “liberalizëm” u shfrytëzua nga shqiptarët e Kosovës për tu lidhur më tëper me Shqipërinë dhe jo për të jetuar në paqe me serbët e Kosovës. Ndërkohë, Malcolm thotë se shqiptarët e Kosovës kanë kaluar periudhën më të keqe nën regjimin e Titos pikërisht në vitet 50’-60’. Këtë të fundit Vickers e interepreton në këtë mënyrë:“Duke hequr trysninë e policisë dhe duke u bërë lëshime shqiptarëve për të siguruar besnikërinë e tyre ndaj Jugosllavisë, qeveria serbe, padashje po nxiste kosovarët të bëheshin më të ndërgjegjshëm jo vetem për të drejtat e tyre kombëtare por edhe për kulturën e tyre shqiptare” . Në njëfarë mënyre, Vickers flet për një lloj abuzimi të shqiptarëve të Kosovës ndaj tolerancës së Titos. Nacionalizmi i shqiptarëve të Kosovës, sipas saj, filloi në një moment zbutje të politikave serbe ndaj tyre. Ndërkohë që Malcolm, fenomenin e nacionalizmit, përveç se e lidh me etno-simbolizmin dhe kulturën shqiptare, ai pohon se si nxitje për këtë ka shërbyer agresiviteti serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Gjithashtu, bilancin e përleshjeve mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve Malcolm e nxjerr me numrin e viktimavë të vrarë, të masakruar e të plagosur kurse Vickers e dedukton atë në shifra ekonomike duke u përqëndruar më tepër tek përkeqësimi i gjendjes ekonomike gjatë kohës së luftës. Natyrisht, të dyja pikëpamjet mund të kenë qënë të vërteta por theksimi i njërës apo i tjetrës ka shumë rëndësi për ata që do t’i referohen këtyre teksteve gjatë krijimit të një identiteti.
Këto dy këndvështrime ndaj ngjarjeve dhe historisë së Kosovës vazhdojnë të mbeten të papërputhshme pothuajse përgjatë çdo faqje leximi tek të dyja tekstet. Nuk mund të thuhet se ndonjëri prej autorëve ka thënë gjëra që nuk kanë ndodhur realisht, çdo gjë e thënë prej tyre mund të jetë faktike, por diferenca e tyre qëndron në mënyrën e përzgjedhjes së këtyre fakteve dhe theksimit që u bëhet atyre. Psh. është mëse e qartë që gjatë luftës së Kosovës ka patur edhe masakra, edhe renie te nivelit të përgjithshëm të ekonomisë por ndërkohë që Malcolm thekson faktin e parë, Vickers preferon të theksojë të dytin. I njejti lexues, nëse lexon tekstin e Malcolm, fillon të mendoje së shqiptarët e Kosovës, përveç se janë banorët më të hershëm të tërritoreve të Kosovës, si pasardhës të ilirëve, ata janë shkëputur në mënyrë krejtësisht të padrejtë nga Shqipëria etnike, u janë nënshtruar në mënyrë të vazhdueshme politikavë spastruese dhe të dhunshme të serbëve, asimilimit me dhunë të tyre, por sërish kanë rezistuar dhe i kanë ruajtur vlerat e tyre kulturore shqiptare. Nga ana tjetër, nëse po ky lexues përballet me tekstin e Vickers, do të fillojë të mendojë se shqiptarët e Kosovës nuk kanë qënë gjithmonë në rolin e viktimës, edhe ata kanë cenuar popullsinë serbe në simbolet e tyre të shenjta, kanë vjedhur e kanë grabitur, kanë tradhëtuar aleatët e tyre shumeshekullor dhe u janë bashkuar ushtrive turke, e më pas atyre italiane, kanë abuzuar me telerimet e bëra nga liderët serbë etj. Vickers, në tetntativë për të ruajtur një lloj ekuilibri dhe paanshmërie mes të dy palëve në fakt e nxjerr grupin etnik të shqiptarëve të Kosovës si përgjegjës në shumicën e situatave konfliktuale mes tyre dhe serbëve. Në të kundërt, Malcolm, duke dashur të tregohet tejet realist dhe i kujdesshëm ndaj çdo detaji, e nxjerr palën shqiptare të Kosovës pothuajse gjithnjë në rolin e viktimës së pafajshme.
Si përfundim, nëse në interesin tonë si lexues nacionalist etnik, do të ishte identiteti i shqiptarëve të Kosovës dhe jo identiteti i qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, atëherë, teksti më i përshtatshëm do të ishte ai i Malcolm sepse ai do të trajtonte në mënyrë të detajuar gjenezën e shqiptarëve të Kosovës, ndarjen e tyre në mënyrë të padrejtë nga Shqipëria, vuajtjet e vazhdueshme nën regjimin serbo-jugosllav, por rezistencen e tij. Ky version i historisë, natyrisht që do të vazhdonte t’i mbante të ndarë qytetarët shqiptarë dhe ata serb në Kosovë dhe do të rriste dëshirën për një afrim të tyre me Shqipërinë. Nga ana tjetër, nëse ne do të linim mënjanë nacionalitetin etnik, apo çdo lloj nacionalizmi tjetër, atëherë do guxonim të pohonim se qytetarët e Kosovës mund të identifikohen si ballkanas, ose minimalisht si shqiptarë dhe serbë që mund të bashkjetojnë në mënyrë paqsore. Për këtë do të na vinte në ndihmë teksti i historisë i shkruar nga Vickers.
Disa konkluzione të rëndësishme që mund të nxirren nga ky punim janë: Së pari, të njejtat fakte dhe ngjarje historike mund të përdoren në mënyra të ndryshme gjatë shkrimit të një teksti dhe pikërisht kjo mënyrë përdorimi e tyre ndikon në krijimin e identitetit të një individi, grupi etnik, shteti apo kombi. Së dyti, nëse marrim përsipër të sugjerojmë se cili tekst histori do të ishte më i mirë mës disa alternativave, duhet të kemi paraprakisht të qartë në mendjen tonë se çfarë pozicionimi do të mbajmë kundrejtë tekstit, pra do ta lexojmë atë si nacionalistë dhe realistë apo si balancues dhe idealistë . Së treti, kur duam të shohim ndikimin e historisë në formimin e identitetit duhet të kemi parasysh se ky i fundit është tejet fleksibël dhe i shumëfishtë. Në Kosovë nuk mund të flitet për një identitet në rang shtetëror pasi ajo mban brenda vetes një shumësi identitetesh heterogjene. Në këndvështrimin e Malcolm, bashkekzistenca e tyre do të ishte pothuajse e pamundur pasi e kaluara e hidhur e ka dëshmuar një gjë të tillë, kurse në këndvështrimin e Vickers, bashkekzistenca edhe mund të funksionojë pasi mbi identitetin serb dhe atë shqiptar ngrihet identiteti ballkanas dhe historia sipas saj dëshmon se harmonia mes tyre nuk është e pamundur.

















