Nga: Milazim Krasniqi
Kriza më e re në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë, pas qëndrimit të njëanshëm të Bashkimit Europian në favor të Serbisë, ka qenë e parashikueshme dhe e paralajmëruar. Në një tekst të shkruar për “Start”, më 5 korrik 2011, pata paralajmëruar se, “me këtë dialog të shpifur dhe me këto kuazimarrëveshje të imponuara, Bashkimi Europian po përgatitë një skenar të errët për Kosovën, i cili fillon me delegjitimimin e shtetit të ri (të cilin edhe ashtu Bashkimi Europian nuk e njeh), me ndarjen e tij, e ka rrezik edhe me një konflikt të ri të armatosur, i cili mund të bëhet i pashmangshëm në një pikë kur nacionalizmi serb do të përpiqet që t’i finalizojë fitoret e dhuruara nga Bashkimi Europian. Në qoftë se jemi gjallë, do ta shohim se skenari i zgjedhur nga Bashkimi Europian, nëse nuk korrigjohet shpejt, këtë epilog dramatik e bën të pashmangshëm”.
Burokratët e Bashkimit Europian, sigurisht që nuk e kanë lexuar këtë tekst, sepse ata nuk dëgjojnë e nuk marrin vesh asgjë nga ato që nuk u pëlqejnë. Ndjekin politikat e veta, të cilat janë rezultat i pafuqisë së tyre faktike për vendimmarrje efektive dhe i lënë gjërat të rrjedhin vetë, duke shpresuar se do të ndalen vetvetiu në ndonjë kthesë. Kjo lloj politikëbërjeje europiane e ka lejuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë në vitet 1991-1995 dhe në Kosovë në vitet 1998-1999.
Po të mos ishte vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila e imponoi Marrëveshjen e Dejtonit (1995) dhe Marrëveshjen e Kumanovës (1999), sot këto dy vende, sado që janë në truallin europian, do të ishin ende vatra të konflikteve të armatosura, ndërsa popullsia e tyre do të degdisej në të katër anët e botës, pa asnjë shpresë për kthim. Fatkeqësisht, Bashkimi Europian këtë njollë të zezë morale, simbol i së cilës janë ushtarët holandezë, që e lanë Srebrenicën në duart e Ratko Mlladiçit, nuk ka bërë përpjekje që ta fshijë as në vitet pas përfundimit të luftërave gjenocidale të Serbisë. Përkundrazi, ka vazhduar ta përkëdhelë Serbinë, duke e favorizuar në rrugën e integrimit dhe duke e lejuar edhe më tutje ndërhyrjen e saj brutale në BeH dhe veçmas në Kosovë.
Praktikisht, Bashkimi Europian ka bërë përpjekje dhe ka arritur në masë të madhe që ta zërë këmbën e Rusisë, si avokate e Serbisë. Ky pozicionim i njëanshëm në favor të Serbisë u pa edhe në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, me ç’rast Bashkimi Europian nuk arriti ta fshehë qëndrimin favorizues ndaj Serbisë dhe diskriminues ndaj Kosovës. Ky pozicionim i BE-së, nga Serbia u lexua si një leje e re që ta përshkallëzojë ndërhyrjen kundër Kosovës, jo vetëm me ndërhyrje brutale në punët e saj të brendshme, po edhe me bllokimin e dialogut. Bllokimi i dialogut erdhi si pasojë e triumfalizmit në Serbi se u legjitimua prezenca e saj në Kosovë, u arrit legalizimi i strukturave të saj shtetërore dhe përparoi ideja e ndarjes së Veriut.
Këto qasje u promovuan në media për ditë të tëra nga shefi i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviçi, i cili në një rast pati deklaruar madje se, “Serbia i ka në Kosovë të gjitha strukturat, përveç ushtrisë”. Në një sfond të tillë, të presioneve të dyanshme ndaj Kosovës, nga Bashkimi Europian në njërën anë dhe nga Serbia në anën tjetër, konflikti i përmasave më të gjera ishte praktikisht i pashmangshëm. Alternativë ishte gjunjëzimi i shtetit të ri para kësaj aleance të re ndërmjet Bashkimit Europian të zonjës Eshton dhe Serbisë së Boris Tadiçit.
Prandaj, vendimet dhe veprimet e qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me imponimin e reciprocitetit në tregtimin me Serbinë dhe marrja e kontrollit në pikat doganore 1 dhe 31 në veri të vendit, kanë qenë të domosdoshme për ta frenuar agresionin në rritje kundër integritetit dhe rritjen e rrezikut të ndarjes së veriut të vendit. Meqë aplikimi i reciprocitetit ishte i pamundshëm pa u mbyllur dy vrimat e zeza, pikat doganore 1 dhe 31, kKryeministri Hashim Thaçi mori vendim që ato pika të merren nën kontroll me anën e forcave speciale të policisë së Kosovës. Ky ka qenë një vendim i rëndë, i cili Kryeministrin e vendit do ta etablojë në kujtesë si një udhëheqës të guximshëm, që në një situatë shumë të vështirë, ka marrë një vendim historik, i cili do të jetë pikë kthese në historinë e shtetit. Suksesi i forcave speciale të policisë së Kosovës, të cilat i morën pikat doganore 1 dhe 31, është një përkujtesë krenare e çlirimit të vendit në tin 1999. Edhe Enver Zymberi është një dëshmor i këtij çlirimi të vonuar të kësaj pjese të vendit.
Në tërë këtë dramë, në të cilën konflikti i armatosur ishte në prag, pas djegies së pikës doganore të Jarinjës nga bandat e sponsorizuara nga qeveria e Beogradit, EULEX-i ka mbajtur një qëndrim që do të mbahet mend si qëndrim i turpshëm. Mbajtja e distancës së njëjtë ndaj një qeverie legjitime të një shteti sovran, e cila e ka ftuar këtë mision për ta ndihmuar sundimin e ligjit dhe ndaj bandave kriminale që djegin institucionet e atij shteti, nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat europiane. Fakti që policë rumunë, kolegë të vrasësve që përgjakën Kosovën para disa viteve, ishin lënë të ruanin pikën doganore, tregon cinizmin e këtij misioni. Po të mos ishte KFOR-i, EULEX-i ka pasur rrezik të shndërrohej në një spektator, që e ha turpin me bukë, ngjashëm me ushtarët holandezë në Srebrenicë. Ky qëndrim hileqar i EULEX-it me siguri që do të ketë pasoja për mandatin e tij në të ardhmen në Kosovë. Por, kjo është më pak se sa mësimet e tjera që do të prodhojnë këto zhvillime në pikat doganore 1 dhe 31. Mësimi më i madh prej këtyre zhvillimeve është se është kompromentuar mundësia e pranimit të Serbisë si shtet kandidat nga Bashkimi Europian deri në fund të vitit. Me ndërhyrjet brutale në Kosovë, me aplikimin e bllokadës ekonomike ndaj Kosovës tash tre vjet dhe me sulmet edhe ndaj KFOR-ut, Serbia e sotme është zbuluar keqas si mbeturinë e trashëgimisë millosheviçiane. Akuzat e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, ndaj administratës amerikane si gjoja inspiruese e operacionit të qeverisë së Kosovës në Veri, janë vetëm maja e ajsbergut e atij qëndrimi kronik dhe histerik antiamerikan dhe në esencë antiperëndimor që mbretëron në Serbi. Si e tillë, ajo nuk e ka vendin në strukturat europiane. Nëse pranohet, kjo do të komprometojë vetë Bashkimin Europian.
Mësimi i dytë i këtyre zhvillimeve është se u bë përfundimisht e qartë se Kosova ka nevojë që ta legalizojë praninë afatgjatë të NATO-s, sepse pa këtë prani, ajo do të jetë përherë e rrezikuar nga agresioni i Serbisë dhe nga indiferenca e BE-së. Kosova duhet të kërkojë aranzhmane të reja me NATO-n, në mënyrë që prezenca ushtarake e KFOR-it të transformohet dhe të shndërrohet vetëm në prezencë ushtarake të trupave të NATO-s, gjë që parashihet edhe në Kushtetutën e vendit. Mësimi i tretë nga këto zhvillime është se u bë e qartë që Ballkani nuk është larguar nga rreziku i konflikteve të armatosura, dhe kjo do të mbetet kështu përderisa Bashkimi Europian nuk e pranon me procedura të përshpejtuara Kosovën brenda vetes, para Serbisë.
Pa u përmbushur këto projekte, kurrë nuk do të arrihet stabiliteti, jo vetëm në veri të Kosovës, po as në zemër të Serbisë, sepse nacionalizmi fashisoid serb do të prodhojë në mënyrë serike incidente, konflikte dhe ideologji luftënxitëse. Serbia është pengmbajtëse e rajonit në rrugën e tij të integrimit, por ajo në të njëjtën kohë është edhe vetë peng i vetvetes, ngase nuk është çliruar ende nga politika fashisoide. Bllokadat në Rudare e në Zupç janë shenjat më autentike të kësaj Serbie, që po e mban peng edhe rajonin, po edhe vetveten. Ajo në njërën anë kërkon të heqë kufijtë me Europën, ndërsa në anën tjetër kërkon ndryshimin me dhunë të kufijve me një shtet fqinj, dhe për këtë aplikon jo vetëm embargon ekonomike, por edhe bllokimin e rrugëve me trupa të gjallë të grave, të fëmijëve dhe të priftërinjve. Ndërsa, nga historia e jo fort e largët europiane e dimë se kush i ka frymëzuar njerëzit që të sakrifikoheshin në këso mënyre “patriotike”, duke vdekur në fakt, për një kauzë monstruoze.

















