Ahmetaj me operatorët turistikë: Bashkëpunim për promovimin e vendit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, zhvilloi sot një takim me operatorët turistikë dhe shoqatat e turizmit, me të cilët diskutoi mbi ecurinë e këtij sektori gjatë 2015-s dhe ndërtimin e një programi të përbashkët pune për vitin e ardhshëm.

Ministri Ahmetaj tha se 2015-a ishte një vit i mirë për turizmin shqiptar, pasi vetëm në 9-mujorin e parë pati një rritje me 12 për qind të numrit të vizitorëve. Ai vuri theksin në sfidat që qëndrojnë para për vitin e ardhshëm, si rritja e cilësisë së shërbimit dhe kapaciteteve, apo promovimi i vazhdueshëm i imazhit të vendit.

Ministri informoi të pranishmit se në bashkëpunim me Korporatën gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) po hartohen aktet nënligjore të ligjit të turizmit, të cilat brenda muajit janar do t’i propozohen qeverisë për miratim. Ahmetaj kërkoi krijimin e një grupi të përbashkët pune me përfaqësues nga ministria, Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe shoqatat e operatorët turistikë lidhur me diskutimin më në hollësi të problematikave dhe mënyrën e promovimin të imazhit të vendit.

Nisur nga problematikat e ngritura nga operatorët turistikë, shumë prej të cilave lidhen edhe me pushtetin vendor, ministri kërkoi që në fillim të vitit të ardhshëm të organizohet një takim edhe me përfaqësues të pushtetit vendor në zonat turistike, për të përgatitur një plan të detajuar pune. “Besoj që të gjithë palët e kemi kuptuar mirë sfidën, modestia dhe shërbimi në njërën ana dhe infrastruktura ndihmëse e turizmit në tjetrën”, tha Ahmetaj, duke theksuar rëndësinë e shërbimit të konsoliduar.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të ngritur nga përfaqësues të operatorëve turistikë për tarifat e uljes së avionëve “charter” me turistë të huaj, kreu i MZHETTS-së informoi se tashmë është rënë dakord me koncesionarin e aeroportit të Rinasit për liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare, ndërkohë që ka kërkesa konkrete për ndërtimin e aeroporteve me kosto të ulët në Sarandë dhe Vlorë. Sapo ndryshimi i marrëveshjes koncesionare të miratohet nga qeveria dhe Parlamenti, do të nisin diskutimet me koncesionarin për tarifat, shtoi Ahmetaj.

Ai bëri thirrje për nevojën e promovimit të imazhit të vendit, si nga ana e institucioneve shtetërore ashtu edhe nga operatorët turistikë dhe nga media shqiptare, duke e pasqyruar të vërtetën e turizmit shqiptar me problematikat dhe vlerat pozitive që ai ka.

Në këtë kuadër, z. Ahmetaj përmendi disa nga panairet në cilat vendi do të përfaqësohet vitin që vjen. “Shqipëria do të jetë vend partner në Panairin e Shtutgartit në janar të vitit 2017 dhe po punon për të qenë vend partner edhe në panaire të tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, bëri me dije ministri Ahmetaj.

Nga ana e tyre, operatorët turistikë raportuan për rritje me tri deri në katër herë të numrit të turistëve që presin të vizitojnë Shqipërinë gjatë vitit 2016, si dhe renditën edhe problematikat që ata hasin në aktivitetin e tyre, zgjidhja e të cilave do të diskutohet më në detaje nga grupin i punës që do të mblidhet në fillim të vitit të ardhshëm.