Agim Therçaj: “Puna ta shpërblen mundimin”

Nga Esmeralda Sadikaj

‘Orientimi në kohë dhe hapësirë është një gjë e domosdoshme. Fillimi nuk ka qenë i lehtë dhe as pa peripeci. Kam tentuar, kam sprovuar, kam kaluar momente të vështira, jam zhgënjyer, por nuk jam dorëzuar. Pasi jam informuar mirë dhe kam njohur kërkesat e tregut jam specializuar në këtë profesion.

Shkallët i kam ngjitur një nga një pa nxituar dhe me këmbë në tokë derisa kam arritur të drejtoj si menaxher në një nga kompanitë, më të mëdha dhe prestigjoze. Nuk mund të ngjitesh tek çatia pa ndërtuar mirë themelet!’ na thotë Agim Therçaj, pronar i një kompanie të suksesshme në Londër, ‘Balkan Build Ltd’.

Erdhi në Britani si një emigrant i zakonshëm. Kishte prioritet pasi zotëronte dy gjuhë të huaja: gjuhën angleze dhe atë italiane. Që në kontaktin e parë përmes emocioneve të një emigranti që vjen nga një vend i vogël siç është Shqiperia, me një histori të gjatë e të dhimbshme diktature, izolimi e mohimi të të drejtave njerëzore, ka prekur dhe përjetuar vlerat e lirisë, të shtetit modern dhe funksionimit të ligjit.

Në një periudhë të shkurtër, ka vërtetuar se në Britani ka hapësira të pakufishme për të realizuar ënderrat, ku njerëzit trajtohen njëlloj pavarësisht ngjyrës, seksit, etnisë, rracës, bindjeve, shkollimit, pasurisë, etj. Sipas tij, miku më i madh për secilin në këtë shtet, është ligji, rregullat, normat, mjafton të jesh një qytetar i denjë dhe korrekt; dhe Mbretëria e Bashkuar është një tokë shterpe për veprimet ilegale dhe abuzive, por një tokë e begatë për konkurrencën e lirë dhe ekonominë e tregut.

Kishte mbaruar studimet për anglisht në Shqipëri dhe këtu gradualisht e gjeti veten në botën e biznesit, në sektorin e ndërtimit. Emigrantet qe vinin synonin menjehere për një punë dhe një shtëpi, c’ka binte ndesh me mundesite dhe realitetin. Pasi edhe evropianët që kishin vite që ishin pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, nuk jetonin në një shtëpi të tyren.

I riu shqiptar, kuptoi se ato dhe shumë lukse të tjera mund të arriheshin vetëm nëpërmjet punës. Sidomos këtu ku jetonte, që puna asnjëherë nuk do ta humbiste rëndësinë e saj nëse zbatohej brenda kufive ligjorë.

Themelimi i një kompanie të suksesshme nuk ka qenë e lehtë, por me anë të punës, seriozitetit dhe përkushtimit, Agimi ka arritur të realizojë projektin që ka shpërblyer sakrificat e tij në jetë. ‘Personalisht nuk kam lakmuar asnjëherë pasurinë, makinat e shtrenjta, jetën luksoze. Mendoj se kam zgjedhur rrugën e duhur si shumë e shumë të tjerë, punën dhe vetëm punën.

Për mua nuk ka orar kur bëhet fjalë për të realizuar një projekt, një kontratë apo një objektiv të caktuar. Urtësia popullore na sjell përvojën e brezave të skalitur në proverbin: “puna ta shperblen mundimin”. Kush kupton dhe përqafon këtë filozofi e ka të garantuar suksesin.’ shprehet në mënyrë modeste Agimi.

Ai veçon si një gjë pozitive, aftësinë e të punuarit dhe përshtatjes me grupin me të cilin punon, i cili ka synimin e përbashkët arritjen e më të mirës së mundshme. Pjesa më e madhe e të punësuarve në kompaninë e tij janë shqiptarë, por ka edhe rusë, polakë, bullgarë, rumunë, lituanez, anglez etj. Kur ka hapësira të ligjshme, Agimi përpiqet të kënaq kërkesat dhe interesat e bashkëatdhetarëve.

Pavarësisht se biznesi që ai drejton, është një ndër kompanitë që është marrë me projekte të rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar, z. Thercaj e konsideron më të vështirë ngritjen e një familje të shëndetshme se sa të një ndërtese.

Familja është institucioni bazë dhe më i rëndësishmi, është guri i themelit të jetës dhe shoqërisë.. ‘Duhet të dish të edukosh dhe edukata më e mirë përcillet përmes shembullit të prindërve, përmes vlerave dhe normave morale që familja e shëndoshë shqiptare i ka në themel të saj. Vlerat tona të familjes na bëjnë krenar, dashuria dhe respekti i ndërsjelltë tek pjestarët e familjes, harmonia, përkushtimi, ngrohtësia,’ vazhdon më tej sipërmarrësi.

Tashmë është një njeri i kompletuar në fushën e tij, por nuk e ka harruar atdheun. Për të atdheu është ‘gjithçka: e shkuara dhe e ardhmja, dhimbja dhe dashuria. Atdheu është gjëja që të mungon më shumë kur je larg.

Atdheu është dheu yt që e vlerëson sa duhet vetëm kur je në dhѐ të huaj. Atdheu është ai që të bën borxhli të përjetshëm!’ Dhe kështu ndihet ai ndaj atdheut një borxhli, pasi dijet, edukatën i mori atje fillimisht. Identiteti, prejardhja shqiptare është ngulitur fort në personalitetin e tij dhe ndaj Agimi ndihet krenar dhe nuk gjen arsye apo argument që të mohojë origjinën.

Ju drejtohet shqiptarëve kudo që ndodhen, që të mos e ndrydhin veten por të krijonë mundësitë për të shpalosur aftësitë e tyre, që të jenë shembull për familjen, shoqërinë dhe pse jo edhe për kombin që ato përfaqësojnë:
“‘Secili prej nesh ka një fuqi të madhe në dore. Me punën dhe emrin tonë mund të ndërtojmë apo të shkatërrojmë çdo ditë, çdo orë e çdo çast. Ne krijojmë jo vetëm imazhin tonë, por edhe të familjes, zonës që i përkasim, pse jo edhe të vetë Shqipërisë.”