Adrian Asllani, djali nga Ferizaji arkitekt i suksesshëm në kryeqytetin britanik

Fjoralba Hysa

ADRIAN ASLLANI ERDHI NË LONDËR nga lufta, por këtu gjeti edhe vendin e duhur për t’u bërë arkitekt, ëndërr me fillesa që në moshën 5-vjeçare.
Momentet e para në kryeqytetin perëndimor Londër për Adrian Asllanin janë aq të bukura, thua se fati i tij kishte vendosur që në atë kohë për të pluhëruar çdo kujtim tjetër nga lufta në vendlindjen e tij, Kosovë. Adriani, asaj kohe vetëm 10 vjeç u vendos në Londër që nga fillimet e tij të shpërnguljes nga Kosova. Ashtu sikurse ndodhi në atë kohë edhe me shumë bashkëkombës të tij në vitin 1999, vit i kujtimeve të këqija për Kosovën dhe Shqipërinë..
“Ishte natë e ftohtë dhjetori. Gjatë gjithë rrugës kisha fjetur. Kisha udhëtuar gjatë, bashkë me familjen. Kur u zgjova e pashë veten në Victoria Embankment, rreth lumit Tamiz. Errësira e natës thyhej dukshëm dhe bukur nga shkëlqimi i dritave në ikonat e Londrës si Big Ben-it, Teatrit Nacional, London Eye, OXO Tower. Ishte një imazh perfekt! As që e kisha imagjinuar më parë se do të gjendesha kaq afër kësaj panorame të mrekullueshme! E mbaj mend si një zgjim të bukur. Atë natë m’u duk një ëndërr, krahasuar me atë pamje që kisha lënë pas në Kosovë”.

Dhe në fakt ishte vërtet vetëm një zgjim i bukur. Edhe pse vetëm 10 vjeç në një vend të huaj ,e kishte të pashmangshme nisjen e çdo gjëje nga e para . Kthimi në kujtesë i vendlindjes, e lënë ashtu mes djegies e plumbave nuk ishte aq i lehtë të harrohej. Dhe vështirësia nis që me mosditjen e gjuhës, thelbësore për t’u përshtatur me jetesën dhe njerëzit e një vendi që nuk quhet mëmëdhe.
Sot, pas më shumë se 15 vitesh, ai djali i atëhershëm 10-vjeçar është arkitekt i zoti. Është intelektuali, që besimin në vetvete dhe përqendrimin e mirë në rrugën për realizim të ëndrrave i ka çelës të suksesit. Adriani na tregon se që në fëmijëri, në vendlindje, pa ardhur ende në Londër kishte patur një dëshirë të pashprehur në fakt, të bëhej arkitekt. Edhe pse i vogël, krejt fëmijë, në kopësht asaj kohe, Adriani na tregon se e kujton veten si fëmijë kreativ.
Edhe pse babai asnjëherë s’ka patur ndikim në zgjedhjen e profesionit të të birit, ai në fakt, beson Adriani ka qenë një shtysë e mirë, në heshtje ama, për profesionin e ardhshëm të të birit. Këtë e tregon duke sjellë në kujtesë se, si ai imitonte vizatimet e vështira të të atit kur ishte vetëm 5-6 vjeç.
“Më kujtohen disa momente, ulur pranë babait tim. Isha 5-6 vjeçar dhe rrija pranë tavolinës së tij të vizatimit, në shtëpinë tonë ne Ferizaj, teksa ai projektonte vizatime të komplikuara të urave dhe shtëpive. Me shumë përqendrim unë mundohesha t’i kopjoja vizatimet e tij dhe t’ia tregoja më vonë. Besoj që ato vite kanë qenë edhe pikënisjet e para prej arkitekti”.
Në dukje, nisje të hershme për profesionin e jetës prej të rrituri, por ja që historia e Adrianit më bind se mund të ndodhë edhe kështu: që 5-6 vjeçar të mos i ndahesh dëshirës për t’u bërë arkitekt. Duke patur zanafi llë skicimet e para, që ishin veçse imitime të punëve të të atit, Adriani iu përkushtua lëndëve të zanatit, si matematikës, fizikës, artit dhe informatikës teknologjike.
Teksa Adriani rritej, paralelisht me të rritej dhe dëshira për t’u bërë vërtet arkitekt, tashmë dëshirë e artikuluar qartë. Gjatë studimeve ai është vlerësuar edhe me çmime për punë të bëra mirë në art dhe teknologji, ndër të cilat me dëshirë Adriani veçon çmimin e vendit të parë në East London, në projektin final të “GCSE Art and Design”, si dhe çmimin e projektit më të mirë në art dhe dizajn, “A level” për kolegjet në East London.
Çmimet e marra që herët kanë qenë një shtysë e mirë për të vazhduar me po të njëjtin vullnet edhe studimet e larta në degën e arkitekturës në Universitetin e Grinuiçit, Londër.
Megjithëse kjo s’do të thotë që Adriani s’ka punuar fort për ta përfunduar me sukses diplomimin.
Suksesin e ka fortifikuar me seriozitetin dhe ndershmërinë që praktikon kur skicon e dizenjon projekte të mëdha e të rëndësishme. Dhe këto, sipas tij janë gjithçka për të qenë i suksesshëm në çdo profesion, jo vetëm në arkitekturë.

“I them vetes shpesh, beso te vetja jote! Lër kohën e duhur për të bërë mirë gjërat që do. Mos ki frikë nga idetë e reja për t’i vënë në punë, lexo shumë dhe shfrytëzo edhe mundësitë që fati e rastësia nganjëherë të sjellin. Mund të ndodhë rrallë, por ndodh”.

“Rastësia, mbret i botës” është e thënë e vjetër, që të rinj ambiciozë si Adriani mundohen t’ia dinë mirë kuptimin dhe vlerën. Adriani vazhdon të na tregojë për projektet që ka në dorë, të cilat nuk janë bashkëpunime të mëdha me shqiptarët që jetojnë në Londër. Por gjatë dy viteve të fundit, shton ai, teksa shfleton qindra foto vilash e ndërtesash moderne në kompiuterin e punës, ka realizuar projekte në Kosovë, Krete (Greqi), Londer, Manqester dhe disa vende tjera ne Britanin e Madhe. Ndër to veçon një pallat luksoz tetëkatësh në qytetin e tij të lindjes Ferizaj, projekt që pritet të niset në qershorin e vitit 2015.
Atdheu për Adrianin është, jo vetëm një ndjenjë e fortë patriotizmi, por shumë më shumë se kaq.
“Ndoshta nuk gjej fjalët e duhura për ta thënë saktë se sa shumë do të thotë atdheu për mua dhe gjithë gjeneratën time besoj, si brez i rritur në kohë të pushtimit, torturës dhe genocidit. Besoj se kjo e ka rritur më shumë ndenjën e patriotizmit te ne; më shumë se te çdo njeri tjetër për vendin e tij. Kosova për mua është vendi ku shpirti më çmallet mirë, është vendi ku marr energji të reja pozitive, është vendi im i lindjes. A mund ta kem më shumë se kaq? A mund ta dua më fort se kaq? »
Nëse Kosova për djalin nga Ferizaj është vendi i burimit të energjive pozitive, Londra është vendi i çlirimit të këtyre energjive. Sipas tij, Londra mbetet vendlindja e dytë. Është vendi, ku nga mosha dhjetëvjeçare e deri më sot i bie të ketë kaluar më shumë se gjysmën e jetës. Është vendi ku bëri realitet ëndrrën e tij për të ardhmen. Është vendi, që edhe pse jo sa Kosova, por në doza më të vogla, i mungon kur është jashtë tij dhe jashtë Kosovës në të njëjtën kohë.

« Kam kaluar shumë vite në Londër. Ndërsa vitet i lënë vendin njëri- tjetrit, dashuria për këtë vend tek unë rritet, sigurisht. Edhe pse jo sa Kosova, Londra është e bukur, është e admirueshme.Është shtëpia ime e dytë. Më mungon kur jam jashtë saj dhe jashtë Kosovës. Madje, e dini çfarë? Ju edhe mund të mos e besoni, por unë ndej mall sot për atë pjesë të lumit, ku dhe kur kam hapur sytë për herë të parë, ashtu i lodhur nga rrugëtimi i gjatë. Sa herë gjej kohë shkoj e bëj një shëtitje në atë pjesë. Më sjell në kujtime pamje të bukura dhe fillime të vështira, por ama dua s’dua ato janë tashmë pjesë e imja ».

Si përgjithkënd tjetërruajtja e traditave është diçka e nevojshme per te mbrojtur identitetin personal. Por Adriani mendon që është pak më vështirë për ato gjenerata që lindin e rriten jashtë atdheut.
« Për brezin tim traditat ruhen, sepse ne jemi lindur dhe kemi kaluar vite në vendlindje, i njohim traditat e vendit tonë, por për brezat e mëvonshëm, që lindin dhe rriten këtu më duket
paksa e vështirë. Nëse ndodh, është një mrekulli ».
Adrianit i pëlqen bashkëpunimi me bashkëkombësit e tij, dhe mundohet ne çdo rast të krijojë ndonjë partnership/ortakëri me bashkatdhetarët, si për biznes edhe për projekte personale.
“Shqiptarë të bashkuar, ruajtja e traditave të vendit, ndihma e pakursyer për njëri-tjetrin brenda dhe jashtë Kosovës e Shqipërisë si dhe mbrojtja e gjuhës shqipe” :-ky është mesazhi i përbashkët që arkitekti ambicioz, Adrian Asllani ka për veten dhe bashkëkombësit e tij kudo janë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vende të tjera të botës.