Lermeni pak atdhe III

99-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë u festua gjithandej ku flitej shqip. Ngjyrat kuq e zi janë sinonim i përjetshëm i gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare. Ndërsa ritmet festive po mbushnin sheshet e Londrës rreth ditës së Flamurit dhe përvjetorit të 99 të Pavarësisë iu bashkëngjit dhe promovimi i Antologjisë III, “Lërmëni pak atdhe”. Botimi i kësaj Antologjie nga krijuesit shqiptarë në Britani, njëkohësisht, dhe promovimi i saj në të njëjtën kohë me ditën e pavarësisë, mblodhi në ambientet e Park View Academy, në Komunën e Harringay, shqiptarë nga të gjitha zonat e Britanisë. ”Lërmëni pak atdhe” është thirrja që i bashkon të gjithë këta krijues në këngën e madhe shqiptare, ku duket se në fund duhet të ketë një varg, një kërkesë për një copë tokë shqiptare, ku duan të prehen. 27 autorët që morën pjesë në këtë antologji të tretë të botuar, kanë shprehur ndjesitë e tyre poetike, duke e emancipuar traditën artistike dhe letrare në emigracion.

Webwww.thealbanian.co.uk

Tel/fax: 02082169527

Email: info@thealbanian.co.uk

lermeni pak atdhe III front page

lermeni pak atdhe III back cover

4 Responses to " Lermeni pak atdhe III "

  1. Admin says:

    Për të dytën herë, botohet në Londër antologjia e krijuesve në Mbretërinë e Bashkuar

    Nga Londra Muamed Veliu

    Gazeta Panorama

    29-11-06

    Promovimi i kësaj antologjie me përmbledhjet e krijimtarisë në formë poezish dhe tregimesh të 28 shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Angli, është zhvilluar në bibliotekën e Wood Greenit në veri të Londrës. Në një veprimtari të gjerë kushtuar festave të Nëntorit, krijuesit shqiptarë kanë bashkëbiseduar me publikun rreth krijimtarisë së tyre, duke promovuar kështu veprën e përbashkët. Autorët janë të moshave nga më të ndryshmet, duke filluar nga më e reja, 20-vjeçarja Elona Hysa e deri te më i vjetri, Sotiraq Goge, plot shtatëdhjetëvjeçar. Ka qenë suksesi i antologjisë së parë po me të njëjtin titull botuar dy vite më parë dhe mbështetja e kompanisë mediatike “Alba-Media” që nxiti publikim e vëllimit të dytë. Jo vetëm kaq, kjo nismë letrare ka shërbyer si një nxitje e mëtejshme e krijimtarisë së disa autorëve të rinj. Mësohet se katër prej pjesëmarrësve në antologjinë e vitit 2004, tashmë kanë botuar librat e tyre të parë. Është hera e dytë që nën kujdesin e zotit Petrit Kuçana, drejtor i gazetës “The Albanian”, njëkohësisht themelues i shoqatës “Edith Durham”, kjo antologji shikon dritën e botimit. Pa e shfletuar mirë librin gjëja e parë që të bën përshtypje është kopertina krijuar nga hija e një njeriu që nuk mbështet askund me një background resh. Ka qenë Flori Slatina, ideatori i kësaj kopertine, e cila ka dashur të përçojë te lexuesi mesazhin se hija e personit i përngjan një poeti emigrant duke menduar. Në formën e hijes mund të jetë çdokush. Ai nuk e mbështet askund, nuk ka një bazë ku qëndron, pasi emigrantët janë në lëvizje dhe ëndërrojnë për atdheun e tyre. Kurse qielli në background-in e fotos ka një karakter universal që nuk i përket vetëm këtij emigranti, por të gjithëve. Nga kjo hije duket sikur përçohet një zë në formë lutje “Lërmëni pak atdhe”…

    Kuçana, njeriu që përkujdeset ndaj fjalës shqip në dhe të huaj.

    Pas shumë përpjekjesh dhe një mundi dyvjeçar për botimin e antologjisë II, Petrit Kuçana ndihet i lehtësuar. Ka përmbushur me sukses një dëshirë jo vetëm të tijën, por të të gjithë atyre emigrantëve që krijojnë dhe nuk kanë mundësi se ku t‘i publikojnë poezitë apo tregimet. Për Kuçanën, ky botim i dytë nga ana e përzgjedhjes së autorëve ka qenë i vështirë, pasi siç pohon ai, ka pasur një numër të madh të interesuarish për t‘u përfshirë në antologjinë 2006 . Ai e shikon këtë libër në vazhdën e misionit që ka shoqata “Edith Durham” që ai drejton si një mundësi e mirë për tejçimin e gjuhës shqipe dhe pasurimin e saj. Periudha dyvjeçare në mes, që nga koha kur u botua antologjia e parë, ka shërbyer si një periudhë për të sjellë një libër më dinjitoz.

    “Jemi të lumtur që mundëm të botojmë antologjinë e dytë, e cila padyshim, është në një nivel akoma më të lartë se ajo e para”, shprehet Kuçana, duke shtuar se autorëve u duhet një shkëndijë për të “shpërthyer”. Për të, antologjia e parë ka shërbyer si një nxitje për pjesëmarrësit, të cilët vazhduan të shkruajnë. Sipas gazetarit Kuçana, iniciator dhe përgatitës i kësaj antologjie, ajo nuk është thjesht me një paraqitje të bukur grafike, por është tentuar që pesha artistike të jetë më me vlera. Pyetjes se çfarë ka dashur të arrijë me këtë botim të dytë ai përgjigjet: “Mërgimtarët e kanë të vështirë të gjejnë veten e tyre në mërgim. Kjo bëhet akoma më e vështirë për artistët. Duke parë që komuniteti është në një moshë relativisht të re, këtu dhe mundësia e integrimit në qarqet letrare artistike apo shkencore është e vështirë për t‘u integruar, atëherë ne menduan të shikojmë mundësitë e krijimit të një atmosfere, ku fjala shqipe të jetë prezente. Besuam se botimi i kësaj antologjie do të shërbente jo vetëm si kultivim vlerash në rastin konkret të atyre letrare, por edhe si nxitje për ata autorë, të cilët emigracioni i kishte bërë që të harrojnë se ka letërsi dhe fjalë shqipe”.

    Krijimtari në anglisht

    E ndërsa dëshira për të shkruar në shqip nga më të rriturit e komunitetit shqiptar në Angli tentohet të ruhet dhe të avancohet më tej, tendenca e brezit të ri për të shkruar në anglisht është evidente. Një fakt i tillë pranohet nga Kuçana, i cili komenton duke perifrazuar një thënie të Kadaresë në Londër pak kohë më parë, se gjuha shqipe i ka të gjitha mekanizmat për t‘u përdorur e shprehur më së miri në veprat letrare nga çdo poet. Por Kuçana vetë poet, thotë se ai nuk shikon ndonjë gjë të keqe te të rinjtë shqiptarë që shkruajnë anglisht, duke theksuar se përpjekjet e shoqatës që ai drejton janë përqendruar që pikërisht këta të rinj të mos e harrojnë gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare. “Është për të ardhur keq që këta autorë që shkruajnë në anglisht harrojnë ta përkthejnë në shqip”, thotë ai.

    Pak dëshirë për të lexuar

    Të përfshirë në rutinën dhe vrullin e jetës në emigracion, shqiptarët kanë pak ose aspak kohë për të lexuar, por dëshira nuk mungon. Kuçana e pranon një fakt të tillë duke e parë në dy dimensione si krijues dhe drejtor i gazetës “The Albanian”. “Fatkeqësisht, në komunitetin shqiptar, sikurse edhe në komunitetet e tjera, prirja për të lexuar nuk është e madhe për vetë kushtet ku ne jetojmë, ato të emigracionit. Letërsia për emigrantët do të ishte një luks. Megjithatë, ka një numër të konsiderueshëm nga të gjitha moshat që kanë dëshirë të lexojnë. Duhet një nxitje përmes veprimtarive të ndryshme për t‘i bërë njerëzit të lexojnë, pasi vlerat letrare janë pak të përfaqësuara brenda komunitetit. Me anë të gazetës, ne jemi përpjekur të shkojmë te lexuesi dhe jo të presim që lexuesi të vijë te ne, kurse për letërsisë ne u themi ja ku i keni vlerat ejani merrini”.

    Krenari

    Botimi “Lërmëni pak Atdhe” është një përpjekje fisnike që mbart vlera për komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe dhe të kujton përpjekjet e kolosit të veprave shqipe, Faik Konica, i cili i mori disa franga ari borxh mbretit Zog për të themeluar në Londër gazetën “Albania”, vetëm e vetëm që fjala shqipe të forcohet e jo harrohet në dhe të huaj. Është privilegj që në vitin 2006, ku identiteti shqiptarë për shumë arsye është zbehur të kesh në dorë një antologji që përçon mall dhe ndjenjë shqiptarie. Mirënjohje të gjithë atyre që gjetën kohë, shpenzuan mundin e tyre dhe me shumë sakrifica botuan antologjinë numër II në Mbretërinë e Bashkuar.

  2. Admin says:

    Pak më shumë shqiptar*

    Atdheut nuk i thuhet kurrë lamtumirë. Ky është kod i
    trashëguar prej kohësh dhe ruhet me një fanatizëm të
    madh prej mërgimtarëve shqiptarë.
    Ndoshta një “mirupafshim të mbështjellë në lot”. Askush më shumë se
    poetët e mërguar nuk e përjeton dhimbjen për tokën-atdhe,
    për tokën që kurrë nuk mund të harrohet. Dhe ekziston një
    lidhje e veçantë mes shqiptarëve dhe Anglisë (Londrës në
    veçanti), por që poetët e këtushëm u mëshojnë më shumë
    përjetimeve, emocioneve, sesa historisë; që nga deklarimet për
    ndarjen e Shqipërisë, deri tek vendosmëria angleze për të
    ndaluar një masakër nga më të përgjakshmet dhe më të
    pashembulltat në një truall të atdheut tonë, në Kosovë.
    Por ky nuk ka qenë motiv i vetëm që i shtyu poetët shqiptarë që
    jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar të shkruajnë diçka më shumë
    se një përjetim, të formulojnë ashtu siç e ndjejnë atë që quhet
    krijim, qoftë në poezi apo në prozë.
    Ishte ballafaqimi me kulturat e tjera, kur krejt të vetëdijshëm
    për vlerat e çmuara dhe të lakmueshme që trashëgojmë si komb,
    gjeten një arsye më shumë për të thënë fjalën e tyre, sidomos
    kur identiteti nëpërkëmbej, apo kur kalonin nga ndonjë muze
    në metropolin anglez dhe shihnin diçka nga Shqipëria. Një
    vend ku qëndroi mbreti shqiptar, apo ndonjë kostum kombëtar
    shqiptar të ekspozuar nga Bajroni dhe deri tek ndonjë shkrim
    i zonjës së madhe angleze, Edit Durham, që bëri aq shumë për
    shqiptarët dhe Shqipërinë. E pse jo një hotel të vogël,
    ku qëndruan kryeministri i parë shqiptar, së bashku me të
    gjithë delegacionin që përfaqësonin Shqipërinë. Të gjitha këto
    duken se kanë qenë shkëndijat që, të gërshetuara me realitetin
    shqiptar i cili vazhdon të mbetet i dhimbshëm dhe,duke u
    ndjerë krejt të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, pasi
    ndihen më shumë se të braktisur, vendosën të mbrohen
    prej gjithçkaje dhe të hyjnë në kalanë e fuqishme dhe të vështirë
    të letërsisë (ndonëse disa prej tyre edhe për herë të parë) dhe të
    thoshin fjalën e tyre në mënyrën e tyre krejt origjinale.
    Kështu gjetën pallton që do t’i mbante ngrohtë, jo vetëm prej të ftohtit
    anglez, por edhe që do t’i mbronte edhe prej pluhurit,
    shpeshherë të padurueshëm që ngrihej rreth tyre. Dhe nëse
    piktorët për ATDHEUN e largët, kishin fiksuar një imazh,
    një vatër, një ngjyrë, krijuesit poetë e mbajnë ATDHEUN
    shumë afër, e mbajnë shumë ngrohtë dhe jo rrallë, fjala e tyre
    merr përmasat e një thirrje ndërgjegjshmërie, për të gjithë
    bashkatdhetarët, për t’u ndjerë pak më shumë krenar. Me
    fjalën e tyre këta autorë krijojnë rryma të fuqishme, të cilat,
    jo vetëm që largojnë pluhurin e përçudnimit, që vjen, jo rrallë
    herë, rreth tyre, e që dihen fort mirë sesi dhe pse krijohet, por
    tejçojnë vlera shqiptare, që janë të papërsëritshme dhe të
    lakmueshme, duke risjellë në mendjen e “të pluhurosurve”,
    pak më shumë dritë që rrezaton mbi thënien e rilindësve se
    jemi krenarë që jemi shqiptarë.
    “Lërmëni pak atdhe” është thirrja që i bashkon të gjithë këta
    krijues në këngën e madhe shqiptare, ku duket se në fund
    duhet të ketë një varg, një kërkesë për një copë tokë shqiptare,
    ku duan të prehen…
    Kjo antologji duket si një letër e gjatë, një letër e nisur drejt
    atdheut, ashtu si dhe drejt diasporës shqiptare që nuk ka
    ndonjë adresë, por duket se u drejtohet të gjithëve, që nga
    pushtetarët e politikanët dhe deri tek ata mërgimtarë që kanë
    harruar të jenë shqiptarë, apo atyre nënave që në mërgim i
    porosisin fëmijët, kur i nisin për në shkollë, që të mos thonë se
    janë shqiptarë. Është një këngë e gjatë që sfidon doganat, vizat,
    aeroportet apo kontrollet. Është këngë që shpërthen meridianët
    shpesh herë të hekurt për ne shqiptarët dhe shkon drejt një
    dere që përfundon në ATDHE.
    U gjetën një mijë e një arsye për largesën dhe sidomos mungesën
    “Atdhe” dhe nëse dikur kishin shkruar ndonjë varg për mërgimtarët,
    tani ata vetë ishin subjekti. Sa e ëmbël është vatra ATDHE….
    Dhe krijuesit kanë një gjuhë sa të vështirë aq edhe të thjeshtë
    të komunikimit. Nuk është e rëndësishme nëse u takuan në
    ndonjë bibliotekë, në ndonjë tavolinë të thjeshtë druri, apo në
    ndonjë sallon të aristokracisë angleze. Ata i bashkoi diçka
    më shumë se stili, më shumë se poezia, apo letërsia në tërësi.
    Ishte fjala shqip dhe dëshira për t’u ndjerë pak më shumë
    shqiptarë, në ballafaqimin e madh të kulturave dhe të vlerave.
    Tani bota është bërë e vogël, por duket se trenat e Evropës po
    na lanë akoma të presin nëpër stacione, apo bileta jonë është
    parashikuar për në kohë të vona. Autorët e kësaj antologjie
    kërkojnë pak më shumë atdhe dhe vetënxiten duke kërkuar
    edhe prej bashke komabasve për t’u ndjerë pak më shumë
    shqiptarë.
    ***
    Krijuesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë një hapësirë të gjerë
    krijimi dhe një gjeografi mjaft të larmishme. Ata vijnë thuajse
    nga të gjitha trojet etnike shqiptare, duke pasqyruar në krijimet
    e tyre që nga ambientet e aristokracisë angleze dhe deri tek qytetet e
    gurta, apo tek zanat e bjeshkëve. Kjo antologji që përfshin
    krijues të ndryshëm, nga Rrahman Dedaj, shkrimtari me
    përmasa evropiane, deri tek 17-18 vjecarët apo dhe të tjerë që
    hedhin hapat e parë drejt letërsisë, të veshur me mantelin e
    poetit.
    Përsa i përket qëllimit mund të thuhet se është tejkaluar. Nëse
    në fillim u mendua se kjo antologji do të shërbejë si një tribunë
    ku do të bashkohet zëri i krijuesve shqiptarë në Mbretërinë e
    Bashkuar, pasi ky vend njihet si një nga vendet ku
    komuniteti shqiptar është më i riu (mosha e tij numërohet me
    gishtat e dorës) dhe do të jetë si një nxitje për të gjithë krijuesit
    sidomos ata të rinjtë, tani besojmë se kemi të drejtë të
    pretendojmë se nëpërmjet kësaj antologjie po tejçojmë edhe
    një vlerë të fuqishme letrare.
    Le të besojmë se ky do të jetë një hap që do të kthehet në traditë
    si mbrojtje e vlerave të çmueshme, dhe të lakmueshme që na
    karakterizojnë si komb.
    Petrit KUÇANA
    Londër
    10 janar 2004

    *Parathënie e antologjisë së parë të krijuesve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar

Leave a Reply

Copyright © 2010 . All rights reserved.
Designed by shef domi. Powered by albaniancontacts.com.

 

Ky portal mirmbahet nga gazeta "The Albanian" ne Mbreterine e Bashkuar. Materialet dhe informacionet ne kete portal nuk mund te kopjohen, shtypen, ose te pedoren ne forme tjeter per qellime perfitimi, pa miratimin e drejtuesve te "The Albanian".


The Albanian Newspaper 122 White Hart Lane London N17 8HP

info@thealbanian.co.uk

admin@shefdomi.com


Please support the site
EN: By clicking any of these buttons you help our site to get better

AL: Duke klikuar ndonjë prej këtyre butonave ju ndihmoni faqen tonë për tu bërë më mirë

Twitter

Facebook

Google+