A ka ekzistuar jeta në Mars dhe në Tokë në të njëjtën kohë?

Në Mars mund të ketë pasur organizma primitivë gjatë kohës kur në Tokë ishte duke lindur jeta. Ky është përfundimi i një studimi, i cili thotë se Marsi ka mundur të kishte jetë mikrobike për qindra miliona vjet.

“Opportunity”, i cili tash e dhjetë vjet eksploron sipërfaqen e Marsit, ka gjetur dëshmi se, rreth katër miliardë vjet më parë, në Mars mund të ketë pasur ujë me vlerë neutrale të pH-së. Dëshmitë për këtë kanë ardhur nga analizimi i gurëve në një krater të vjetër, ku janë vërejtur ndryshime, të cilat zakonisht formohen si rezultat i veprimit të ujit.

Shkencëtarët besojnë se jeta së pari në Tokë u paraqit rreth katër miliardë vjet më parë. Shkencëtarët thonë se nuk është e thënë të ketë pasur jetë në tërë planetin e Marsit, por në disa pjesë të tij, si dhe nuk është e thënë që jeta të ketë pasur një vazhdimësi të pandërprerë.