80 milionë/ Mbyllet loja e kuponit tatimor, ja si do të shpallen fituesit

Ministria e Financave ka mbyllur në afatin e parashikuar lojën promocionale të kuponit tatimor. Kjo lojë ishte pjesë e fushatës sensibilizuese dhe promovuese të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe e mbështetur nga Ministria e Financave. Loja kishte si qëllim ndërgjegjësimin dhe edukimin e konsumatorit për tërheqjen e kuponëve tatimorë gjatë blerjes së produkteve apo shërbimeve.Ministria e Financave bën me dije se në përfundim të lojës promocionale, në këtë lojë kanë marrë pjesë më shumë se 28 mijë të interesuar, duke depozituar të gjithë kuponët tatimorë të tërhequr gjatë Nëntor-Dhjetorit 2015 dhe duke bërë që çdo qytetar të bëhet pjesë e lojës dhe të ketë mundësinë që të fitojë një nga 511 shpërblimet monetare, raporton TEMA.

Hedhja e shortit dhe shpallja e fituesve

Hedhja e shortit do të bëhet më datën 15 Janar 2016, në orën 20.45, drejpërdrejt në televizionin Top Channel. Hedhja e shortit dhe përzgjedhja e fituesve do të kryhet në mënyrë elektronike.

Komisioni

Për qëllimin e organizimit të Lojës së Kuponit Tatimor është ngritur një komision i përbërë prej 7 anëtarësh me përfaqësues të: i) Ministrisë të Financave; ii) Njësisë së mbikqyrjes së Lojërave të Fatit; iii) Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; iv) Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tiranës; v) Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë; vi) Organizatave të shoqërisë civile që punojnë për mbrojtjen e konsumatorit; vii) Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Komisioni ka për detyrë mbikëqyrjen e hedhjes së shortit dhe shpalljes së fituesve të të gjitha kategorive.

Komisioni ka filluar punën për certifikimin e kategorisë së  I dhe të II të fituesve.

Për kategorinë e III dhe IV, shpallja e fituesve do bëhet pas hedhjes së shortit dhe pasi të jenë verifikuar të dhënat e deklaruara nga pjesëmarrësit me gjendjen e zarfitbrenda një jave. 

Lista e fituesve do publikohet në faqen e internetit të lojës

Në rastin kur një numër është përzgjedhur në mënyrë rastësore fitues dhe të dhënat e deklaruara në zarf nuk përputhen me gjendjen faktike të tij, çmimi anulohet. 

Çmimet

“Loja Promocionale e Kuponit Tatimor” ka 4 kategori fituesish . Në përfundim të lojës do të shpallen 511 fitues për një vlerë totale prej 8,000,000 lekësh.

Çmimet fituese për kategorinë I dhe II

Në kategorinë I dhe II do ketë 11 fitues, të cilët nuk do përzgjidhen mbi bazën e hedhjes së një shorti, por në bazë të klasifikimi sipas vlerës totale dhe numrit të kuponëve të dërguar. Fituesit do shpallen duke llogaritur pikët që do merren nga ponderimi 70% me vlerën nominale të kuponëve dhe 30% me numrin total të kuponëve të postuar. Pra, sa më i lartë numri dhe vlera totale e kuponëve të dërguar, aq më e lartë dhe mundësia e fitimit.

Kategoria             Nr. fituesve                 Çmimi për fitues                    Totali

I                             1                                  1,000,000 Lek                         1,000,000 Lek

II                           10                                100,000 Lek                            1,000,000 Lek

Nëse pas vlerësimeve për vendin e parë apo edhe për 10 fituesit e tjerë rezultojnë më shumë se një fitues për kategorinë e parë, apo më shumë së 10 fitues për kategorinë e dytë me të njëjtat pikë, përzgjedhja e fituesve bëhet nga aplikacioni elektronik në mënyrë rastësore të bar-kodit respektiv. 

Çmimet fituese për kategorinë III dhe IV

Kategoria e III dhe IV e fituesve do përzgjidhet në mënyrë rastësore, nëpërmjet një mekanizmi elektronik, i cili do përzgjedhë fituesit sipas një gjeneruesi rastësor numrash (RNG). Pjesëmarrësit në lojë do kualifikohen si të tillë me plotësimin e kushteve të mëposhtme: a) Të kenë minimum 50 kuponë me vlerë jo më pak se 5,000 lekë të të gjithë kuponëve në total; b) Duhet që këta kuponë të postohen nëpërmjet Postës brenda afatit të lojës.

Kategoria             Nr. Fituesish                Çmimi për fitues                     Totali

III                          200                              15,000 Lek                              3,000,000 Lek

IV                         300                              10,000 Lek                              3,000,000.Lek

Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve falenderon të gjithë konsumatorët e produkteve dhe të shërbimeve që u bënë pjesë e kësaj loje.