70% e shkollave amerikane përdorin tabletë

Kompanitë teknologjike i kushtojnë një rëndësi të veçantë sektorit të edukimit, duke krijuar pajisje posaçërisht për të rinjtë. Autoritetet lokale dhe nacionale blejnë me qindra apo mijëra pajisje teknologjike që ofrojnë disa shërbime të rëndësishme. Në SHBA, numri i tabletëve në shkolla është dyfishuar gjatë këtyre dy viteve të fundit.

Një studim i kryer nga shoqata e bamirësisë “Tablets for Schools”, e cila fokusohet në teknologjitë për edukim, zbuloi se pothuajse 70% e shkollave fillore dhe të mesme në SHBA përdorin tabletë për edukimin e fëmijëve. Në një të dhjetën e të gjithë shkollave, çdo fëmijë ka tabletin e vet personal.

I njëjti studim zbuloi gjithashtu se, pavarësisht rritjes së shpejtë të përdorimit të tabletëve në shkolla, nuk ka evidenca bindëse që tregojnë se pjesa më e madhe e studentëve po përfitojnë nga përdorimi i këtyre pajisjeve teknologjike në klasë, transmeton krokodili.

Shumica e mësuesve dhe drejtorëve mendojnë se përdorimi i tabletëve ndikon pozitivisht në edukimin e fëmijëve, pasi i motivojnë ata që të mësojnë më shumë. Sipas një studimi të kryer nga “National Literacy Trust”, fëmijët pëlqejnë më shumë të lexojnë ose mësojnë nga ekrani me prekje i pajisjes sesa nga një libër i printuar.