7 dhjetor, 23 orë e 59 minuta

Nga Egon Loli*

Ky mekanizëm ndërtoi në mënyrën më monstruoze në të pavetëdijshmen tonë idenë që zgjidhje jashtë logjikës së sistemit nuk ka. Ky është pikërisht qarku vicioz oruellian: “A je gati të hedhësh edhe acid në fytyrën e fëmijëve, nëse do të të duhet ta bësh në emër të rezistencës kundër regjimit?” dhe përgjigjja e Uinstonit, e cila i thyen shpresat si me një vare gjigante: “Po, jam gati”.

Në 8 dhjetor, si në një datë reminishencë të Lëvizjes Studentore ’90, opozita kreu aktin e parë të “revolucionit popullor” ndaj asaj që ajo e quan rikthim i elementëve të mirëfilltë të frymës së byrosë politike, të ish-Komitetit Qendror, nomenklaturës së komunizmit etj. Opozita gjithashtu e ndërmori këtë hap(revolucionin) për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën jetojnë qytetarët e këtij vendi, ku vuajtja dhe varfëria, padrejtësia dhe poshtërimi rriten me të njëjtin ritëm si pasuria dhe korrupsioni i oligarkëve që kanë zaptuar gjithçka. Pavarësisht të vërtetave lebetitëse që gjenden në retorikën populiste të opozitës është e habitshme se si një forcë e djathtë kërkon të rrëzojë një qeveri me revolucion, për më tepër në kushtet kur ajo vetë ka qenë në pushtet deri dy vite më parë.  Si mund të kërkosh revolucionin në një mjedis plural? Mund të themi se qeveria e dekorimit të kriminelëve të ish-sigurimit dhe e kuponit tatimor si gijotinë mbi qafën e biznesit po përpiqet të kapë të gjitha institucionet, duke e kthyer vendinde facto në oligarki. Por duhet thënë gjithashtu se ky  mjedis politik ka edhe PD-në një lojtar të rëndësishëm të tij, çka do të  thotë se opozita gabon konceptualisht kur kërkon revolucion popullor, sepse ajo me ndikimin që ka, është faktori i dytë politik në vend dhe nuk ka nevojë për revolucion. Do të mjaftonte që ajo të paraqesë një alternativë me integritet në opinionin e qytetarëve, të fitonte betejën morale dhe atë të ideve dhe do ta kishte kryer kësisoj detyrën e saj. Sa kohë opozita nuk ka zgjedhur këtë qasje, atëherë arsyeja thotë se ka gjasa që ajo është pjesë e oligarkisë kanceroze të ndërrim-pushtetit dhe kërcënimi i interesave nën rrogoz e detyron të nxjerrë njerëzit në shesh për të ushtruar presion. Pavarësisht se cila arsye e ka nxjerrë opozitën në shesh, është fakt se monopolet e kundërligjshme dhe kriminale në Shqipërinë tonë nuk janë krijuar këto dy vitet e fundit, prandaj nuk është kjo arsyeja urgjente pse qeveria do bënte mirë të largohej sa më parë (kauza e opozitës). Nga ana tjetër, kur për të rrëzuar një qeveri të keqe është përdorur revolucioni, atëherë në pushtet ka ardhur një qeveri edhe më e keqe. Po çfarë është në thelb e gjithë kjo situatë që duket pa rrugëdalje? Çfarë janë në thelb këto revolucione që ngrihen si stuhia e shkretëtirës dhe më pas shfryhen si tullumbace? Prej nga buron e gjithë kjo mungesë e theksuar konsistence? Pse 8 dhjetori nuk erdhi asnjëherë ashtu si duhej të kishte ardhur? 8 dhjetori, thjesht nuk mund të vinte ashtu si dikush mund ta donte sot. Propaganda e shëmtuar, mbytëse dhe kriminale e komunizmit arrinte të shfaqte hipokrizi në çdo detaj të qenies së saj. Sa herë has ngjarje të kundërlogjikshme, më zukat në kokë një fjali nga parathënia e botimit shqip të një doracaku të Bertold Breht. Aty thuhet  “…makineria e rëndë naziste…paradigma e një regjimi që me dhunë të pashembullt dhe zjarr, e vuri popullin në rresht”. Kjo frazë ishte shkruar nga botuesi i shtëpisë së propagandës komuniste, në ditët më të errëta të stalinizmit shqiptar.

Përveç hipokrizisë së thellë të kësaj fjalie të evokuar në stil doktrinar, përveç pafytyrësisë së paskrupullt të një regjimi që bënte pikërisht të kundërtën e asaj që dogmatizonte, mu aty lindi kopile logjika e re. Logjika malinje. Komunizmi duke denoncuar tmerrin nazist, nga podiumi proletar i tmerrit komunist dëshmonte dyfytyrësi spektakolare. Komunizmi thoshte se aftësia për të kuptuar veprimin kriminal të tjetrit, nënkuptonte atë që krimet e veta nuk mund të ishin veçse të qëllimshme. Kjo sa i përket kastës. Tek masa e shqiptarëve induktohej ndryshe: krimi ishte krim , jo si veprim i tillë i qenësishëm, por vetëm karshi idealit shterp. Kësisoj, Njeriu i Ri Socialist u programua të bëhej një makineri, ku funksioni primar i së cilës ishte bashkëjetesa e kompromentuar me mendimin e dyfishtë. “Edhe është, edhe s’është në të njëjtën kohë, e megjithatë ky nuk përbën kurrfarë problemi”. Ky mekanizëm ndërtoi në mënyrën më monstruoze në të pavetëdijshmen tonë idenë që zgjidhje jashtë logjikës së sistemit nuk ka. Ky është pikërisht qarku vicioz oruellian: “A je gati të hedhësh edhe acid në fytyrën e fëmijëve, nëse do të të duhet ta bësh në emër të rezistencës kundër regjimit?” dhe përgjigjja e Uinstonit, e cila i thyen shpresat si me një vare gjigante: “Po, jam gati”. Zgjidhje jashtë kuadrit të diskreditimit politik nuk mund të ketë. Ky rreth vicioz që tredh çdo përpjekje të madhe, serioze për ndryshim, është pasojë e drejtpërdrejtë e korruptimit dhe turmëzimit të thellë të arsyes (racionalitetit). Njeriu i Ri Socialist ende nuk është vjetruar.

Prandaj 8 dhjetori thjesht nuk mund të vinte.

Neobunkerizimi artistik i qeverisë është si një katarsis i dyshimtë estetik dhe mendor, krejt i panevojshëm kundrejt nevojave të thella e të tjera të qytetarëve. Relativizimi i krimeve të regjimit komunist duke nisur nga klasa në pushtet e deri tek disa studiues. “Lloji i ri” i shtetbërjes duke goditur ekonominë e vogël dhe duke toleruar oligarkët e mëdhenj. 21 janarët që vijnë e ikin pa kuptuar kurrë nëse janë fillimi apo zgjidhja e ngërçit ku jemi bllokuar. Problemi i vërtetë në gjithë këtë nyje gordiane është solidarizimi i një pjese të qytetarëve më këto, e nga ana tjetër, kundërshtia e një pjese tjetër të qytetarëve ligjëruar gati në ekstremitet të retorikës, jashtë çdo kuadri të logjikshëm demokratik të asaj çfarë kërkojnë. Padija e thellë politike dhe ekonomike e kultivuar në mënyrë të qëllimshme shtyn të dyja palët; zbrazja e saj nga elementët racionalë dhe shartimi i saj me lloj-lloj surrogatesh mitike mbi ekstremizma revolucionarë që sjellin ndryshimet e dëshiruara nga thellësia e libidos gjithnjë e gjithnjë, pa mbarim…

Prandaj 8 dhjetori thjesht nuk mund të vinte.

Kjo arsye e përçudnuar masivisht nuk mund të sjellë asnjë ndryshim real. Nuk mund të vijë ndryshimi real si rrjedhojë e një proteste të organizuar nga opozita, njëri prej vetë dy lojtarëve të mëdhenj të kompromentuar me kohë. Ndryshimi real i vitit 1998 nuk mund të vinte nga ata që kishin stisur dhe nxitur 1997-ën. Ndryshimi real i vitit 1990 nuk mund të vinte nga ata që kishin duartrokitur dhe miratuar Kushtetutën e 1976-ës.  Jo krejt pa kuptim në mars 1991, vetëm 1 muaj pasi i shumë-abuzuari term “popull” rrëzoi në valën e urrejtjes monumentin e Enver Hoxhës, Partia e Punës e Ramiz Alisë fitoi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare me një shumicë të frikshme 91% (me gjithë abuzimet e mëdha në këto zgjedhje).  Historia, sipas së cilës, studentët e Dhjetorit ’90 e nisën protestën e tyre për kushtet e këqija në konvikte (për një batanije më tepër) dhe e përfunduan duke kërkuar pluralizëm politik, nuk është aq irrelevante. Përzierja e batanijeve të qarta me pluralizmin e paqartë (ende sot pas 25 vitesh) ishte e pashmangshme. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në kushtet e disidencës së asgjësuar, kundërshtarëve politikë në birucat më të errëta të burgjeve dhe izolimit total të vendit. Kjo më kujton përgjigjen e Yeonmi Park, disidentes koreanoveriore të arratisur në SHBA, dhënë një gazetareje kur kjo e pyeti “Si nise të kërkoje lirinë në Korenë e Veriut e që të çoi në arrati prej saj?” –  “Unë nuk u arratisa nga Koreja e Veriut sepse kërkoja lirinë. Këtë koncept nuk e njihja, kështu që nuk kisha si ta kërkoja. Ne ishim duke vdekur urie. Nga Koreja, u arratisa vetëm për pak oriz më tepër”. E megjithatë Yeonmi, duke jetuar në SHBA, arriti ta kuptonte çfarë ishin pluralizmi dhe liria. Natyrshëm mund të pyesim se sa i konservuar është mbajtur sistemi ynë tranzitor politik këto 25 vite nëpërmjet korrupsionit, nepotizmit, klanizimit, oligarkisë për ta vonuar gjithnjë e më tepër penetrimin e liberalizmit politik dhe ekonomik? Atij për të cilin ngrihemi shpesh në revolta, por thyhemi po kaq shpesh sepse nuk e njohim dhe nuk e gjejmë kurrkund entuziast rreth nesh.

Prandaj 8 dhjetori thjesht nuk mund të vinte.

Kur sheh thirrjet anarkiste të opozitës dhe indinjatën e thellë (legjitime) deri në përbuzje të qytetarëve pyet se si një forcë e qendrës së djathtë që slogan të saj ka pronën private, taksat e ulëta, pluralizmin dhe lirinë ekonomike, besimin në Zot, mund të instrumentalizojë njërën apo qoftë edhe disa nga këto arsye, për të thirrur një revolucion të kuq popullor. Ndoshta, prandaj 8 dhjetori thjesht nuk mund të vinte.

*student i Masterit në Sociologji