35 mln euro kosto e përmbytjeve në vit, reshjet e janarit faturë 9mln euro

Drejtoria e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore. Vetëm fatura paraprake e reshjeve të një dite (6 janarit) llogaritet 9 milionë euro. Kostot sociale nuk janë llogaritur. Sëmundjet dhe vdekshmëria do të jenë të larta në këto zona. Banka Botërore këshillon zhvendosjen e zhvillimit të bujqësisë sipas tekave të klimës. Mungesa e fondeve kushtëzon mbrojtjen nga rreziqet dhe kompensimin e dëmeve. Qeveria i drejtohet skemës së sigurimit privat

lumi lana permbytje

Ndryshimet klimatike dhe shkatërrimi i natyrës nga dora e njeriut do t’i shkaktojnë Ultësirës Perëndimore përmbytje më shumë se një herë në vit dhe kjo ka të ngjarë të ndodhë edhe në kulmin e sezonit të mbjelljeve apo të korrjeve. Investimet ndër vite në infrastrukturën rrugore rrezikojnë të rrënohen brenda minutës nga shembjet e tokës. Mijëra familje po përjetojnë mbijetesën nga shkatërrimi i banesave dhe pronës. Këto fenomene të përjetuara edhe ditët e fundit janë paralajmërime që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Banka Botërore po bëjnë gjithnjë e më shpesh. Por kërcënimi që shqiptarët përjetojnë në vijimësi nga faktori njerëzor, me korrupsionin e përhershëm, papunësinë e lartë, mungesën e sigurisë, perspektivën e paqartë etj., e kanë lënë disi në sfond rrezikun e vërtetë, atë që vjen nga natyra, raporton Monitor.

Drejtoria e Emergjencave Civile në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore të tilla si përmbytjet, tërmetet, zjarret etj. Që nga 2009, ku përmbytjet kanë vijuar me intensitet të lartë, dëmi në total në vlera neto i krijuar deri në fund të 2015-s llogaritet rreth 200 milionë euro.

zejmen Lezhe permbytje

Vetëm nga reshjet e 6 janarit që krijuan përmbytje në disa zona në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug të vendit, dëmi paraprak llogaritet rreth 9 milionë euro, nga të cilat 7-8 milionë euro janë krijuar nga shembja e rrugëve dhe urave ndërsa pjesa tjetër, rreth 1 milion euro, janë dëm i krijuar në sektorin e bujqësisë dhe të banesave të përmbytura. Por kjo është vetëm një pjesë e kostove të krijuara në ekonominë e përgjithshme të vendit, ku shumë të tjera mbetën të papërfshira dhe të paadresuara. Kostot sociale nuk janë llogaritur. Sëmundjet dhe vdekshmëria do të jenë të larta në këto zona. Mijëra banorë në zonat e prekura kanë pësuar traumë dhe nuk janë trajtuar me psikolog, por kjo do të ishte luks, duke marrë në konsideratë zhvendosjen e zhvillimit të bujqësisë sipas tekave të klimës.

Mijëra rrënjë ullinj, vreshta dhe dru frutorë në prodhim tashmë duhet të zëvendësohen me kultura të tjera që e durojnë më shumë lagështirën të tilla si drithëra etj. Shqipërisë i duhet të riorientojë strategjitë e zhvillimit ekonomik në bujqësi teksa burimet financiare për minimizimin e rreziqeve që vijnë nga katastrofat natyrore mungojnë ose në rastin më mirë, janë të pamjaftueshme.

lezhe permbytje

Shemsi Premçi, drejtor i Emergjencave Civile, tha se është gati projekt-strategjia për minimizimin e rreziqeve që vijnë nga katastrofat natyrore, e cila shumë shpejt do të miratohet në qeveri. Në themel të saj është orientimi i fondeve buxhetore për investimet publike dhe ato të donatorëve për të zbutur rrezikun e përmbytjeve në zonat më të rriskuara. Po ndryshohet ligji për emergjencat civile për të rritur kapacitetet administruese dhe, nga ana tjetër, pritet një bashkëpunim më i madh me pushtetin lokal. Kompetencat e reja që ato kanë në fushën e ujitjes dhe kullimit do t’i bëjnë më të kontrollueshme problematikat lokale. Një monitorim më i mirë i shërbimit meteorologjik dhe rritja e shërbimit të konsulencës për të prekurit nga ndryshimet e motit do të jenë në fokus.

Deri më tani, shpesh fatkeqësitë natyrore janë përballuar kuturu. Madje në disa raste, neglizhenca e strukturave për të administruar me seriozitet digat dhe duke mos i lajmëruar banorët për hapjen e portave të HEC-eve ka bërë që Shkodra të përmbytet më shumë se një herë. Më pas trajtimi i pasojave nëpërmjet kompensimit vetëm sa e ka lëshuar në rreth vicioz administrimin dhe problematikën, pasi fondet në vend të që të adresohen në investime për parandalimin e katastrofave shkojnë për të kompensuar dëmet. Por në finale, investimet e planifikuara për parandalimin e katastrofave natyrore nuk realizohen dhe as fondet për kompensimin nuk jepen.

shtria permbytje

Gjatë rishikimit të buxhetit 2015, në korrik të vitit që shkoi, qeveria shkurtoi në më shumë se 25 për qind fondet për ujitjen dhe kullimin. Ndërsa banorët në zonën e Shkodrës ende nuk kanë përfituar kompensimet e vitit 2009.

Në një studim që Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë në 171 vende të botës për ekspozimin e tyre ndaj ndryshimeve klimatike ka rezultuar se, Shqipëria është vendi më i kërcënuar i Europës. Metodologjia që ka nxjerrë Shqipërinë më të ekspozuarën lidhet me elemente të tillë si sasia e reshjeve, shembja e tokës, tërmeteve, etj., që të pjesëtuara me numrin e banorëve, i bëjnë shqiptarët më vulnerabël në rang europian.

 

Kosto e fundit

Vetëm nga reshjet e 6 janarit që krijuan përmbytje në disa zona në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug të vendit, dëmi paraprak llogaritet rreth 9 milionë euro, nga të cilat 7-8 milionë euro janë krijuar nga shembja e rrugëve dhe urave ndërsa pjesa tjetër, rreth 1 milion euro, janë dëm i krijuar në sektorin e bujqësisë dhe të banesave të përmbytura.

 

Kosto nga 2009

Drejtoria e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore të tilla si përmbytjet, tërmetet, zjarret etj. Që nga 2009, ku përmbytjet kanë vijuar me intensitet të lartë, dëmi në total në vlera neto i krijuar deri në fund të 2015-s llogaritet rreth 200 milionë euro

Katastrofat, jo vetëm nga klima

Teksa reshjet e 6 janarit u paralajmëruan të paktën 72 orë para, për disa orë janë përmbytur rreth 6 mijë hektarë tokë dhe 380 banesa nga të cilat janë dëmtuar seriozisht 120 tilla kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug të vendit. Reshjet e 6 janarit nuk ishin aq të pazakonta, ndonëse të përqendruara në vetëm tre orë sa të vinin në rrezik jetën e mijëra banorëve, por duket se disa faktorë njerëzorë kanë ndihmuar në këtë drejtim. Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, tha se në lumin e Tiranës dhe në lumin Erzen, kompanitë e ndërtimit kanë derdhur mbi 30 milionë metër kub dhera dhe inerte, të cilat i kanë ngushtuar këta lumenj në disa pika të caktuara duke deformuar shtretërit natyrorë të lumenjve. Në disa pika, gjerësia e shtratit është më pak se 50 metra nga 150 që ishte pa abuzimin nga ndërtuesit, pohon Premçi. Por më e keqja është se, mbi dheun e derdhur pa kriter në lumenj janë ndërtuar rreth 800-100 banesa, të cilat pavarësisht se në kundërshtim me të gjitha rregullat e sigurisë, janë edhe në proces legalizimi. Këto banesa, shpjegon kryetari i Emergjencave, përveçse përmbyten kur ka reshje, janë shndërruar në faktorin kryesor të ngushtimit të lumenjve, duke ndikuar edhe në përmbytje, të cilat nuk ndodhnin më parë me të njëjtën sasi reshjesh.

Faktori njerëzor i ka dhënë një suport të madh përmbytjeve me dëmtimin e pyjeve. Lumenjtë shqiptarë, nga burimet deri në grykëderdhje, kanë një distancë të shkurtër. Intervalin më të gjatë prej 9-12 orësh nga burimi në det e ka Vjosa dhe vetëm për dy orë lumi Erzen. Distancat e shkurtra të lumenjve dhe përqendrimi i reshjeve në pak orë po krijon volume të mëdha uji, të cilat kthehen mbrapsht nga deti dhe përmbytin një pjesë të madhe të Ultësirës Perëndimore.

Neglizhenca është një tjetër shkak. Në janar të 2010-s, Shkodra pa përmbytje apokaliptike, pasi Komiteti për Mbrojtjen e Digave nuk u mblodh për shkak të festave të fundvitit. Zyrtarët e sektorit po kalonin pushimet e festave jashtë vendit, teksa Fierza kishte arritur 3 metra mbi nivelin e sigurisë. Emergjenca e krijuar kërkonte të hapeshin portat e shkarkimit, të cilat të papërdorura në 20 vite ishin ndryshkur.

permbytjet_ne_shqiperi_kompesim_per_te_gjithe_familjet_6

Kosto 35 milionë euro në vit

Si kurrë më parë, vetëm në dekadën e fundit, përmbytjet po vijnë me intensitet më të lartë dy herë në vit, duke përfshirë të gjithë vendin. Duke marrë në konsideratë fluksin e reshjeve të dekadës së fundit, Drejtoria e Emergjencave Civile, me asistencën e institucioneve financiare ndërkombëtare, pohon se kostoja mesatare vjetore e dëmeve nga faktorë natyrorë i kalon 35 milionë eurot. Që nga viti 2010, kjo shumë e llogaritur për çdo vit është gati sa 1.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Efekti shihet të jetë i përhapur përtej humbjeve materiale të momentit dhe është duke e dëmtuar seriozisht rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë korrektoi me ulje treguesit e rritjes ekonomike me rreth 0.25%, kryesisht për shkak të përmbytjeve të fundit të dimrit që dëmtoi në masë kafshët e gjalla në Jug të vendit dhe prodhimin e hershëm të serave. Por vlera e dëmeve në bujqësi duket si një pikë ujë në kostot që u krijuan në infrastrukturën e vendit, rrugë, ura dhe kanale. Shembja në aksin e ri Tiranë-Elbasan, në zonën e Ibës, rrezikon të kalojë vlerën e 40 milionë eurove investim rishtazi për të përfunduar autostradën. Çështja e pazgjidhur e vlerësimit të dëmit dhe për më tepër të gjetjes së parave për riparimin e tij, duket se kanë lënë pezull punimet që tashmë duhet të kishin përfunduar.

Përmbytjet gjithnjë e më shumë po shndërrohen si një nga faktorët më themelorë në dëmtimin e rrugëve. Vetëm reshjet e kohëve të fundit kanë dëmtuar rëndë Rrugën e Kombit dhe aksin Elbasan-Librazhd. Drejtori i Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika, tha se aktualisht janë ngritur grupet e punës për vlerësimin e dëmeve të krijuara nga përmbytjet, por ende nuk ka një vlerë të saktë. Xhika pohon se, nga vlerësimet paraprake, riparimi i dëmtimeve mund të arrijë një vlerë 7-8 milionë euro.

Që dëmtimi për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të rrugëve të parandalohet duhet të krijohet një fond i veçantë. “Ne jemi duke menduar të krijomë fondin për përballimin e emergjencave”,- tha Xhika, projekt ky që do t’i propozohet qeverisë. Por do të jetë në vullnetin e Ministrisë së Financave që të gjejë dhe miratojë fondin – pohoi ai. Kjo është mënyra më e mirë sipas drejtorit të Autoritetit Rrugor për të shmangur dëmet e papritura që vijnë nga ndryshimi i motit. Riparimi i tyre nuk mund të bëhet me fondet e mirëmbajtjes, të cilat janë të mjaftueshme vetëm për rutinën e amortizimit të rrugëve dhe nuk mund të përballojnë edhe kostot e mëdha që po krijojnë fatkeqësitë natyrore.

 

Zgjidhja

Drejtoria e Emergjencave Civile pohon se është gati “Strategjia kombëtare për reduktimin e rrezikut të katastrofave dhe mbrojtjes civile”, përmes së cilës do të drejtohen investimet buxhetore dhe jobuxhetore deri më 2018 në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore. Në buxhetin e këtij viti, fondet në dispozicion të infrastrukturës së kullimit janë dyfishuar në krahasim me vjet.

Ministria e Mjedisit, institucioni përgjegjës për vendosjen e standardeve mjedisore dhe adoptimin e programeve ndaj ndryshimeve klimatike, po harmonizon komponentët në planin e investimeve në fushën e ndryshimeve klimatike, duke u fokusuar në rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në këtë drejtim.

Por qeveria sheh si zgjidhje sigurimin e investimeve në bujqësi nga katastrofat natyrore. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka pohuar se qeveria do të vendosë me ligj sigurimin e detyrueshëm, duke pohuar se vetëm në këtë mënyrë fermerët do të mund të përfitojnë nga kompensimi i plotë. Por ky synim i qeverisë është i pamundur, pasi ende nuk është përcaktuar dhe miratuar harta e rreziqeve. Bie fjala një bujk në zonat vulnerabile nuk mund të ketë një kuotë sigurimi të njëjtë me një bujk tjetër në një zonë me më pak rrezik. Rreth 6 milionë euro që janë programuar të shkojnë për kompensimin e përmbytjeve të vitit të kaluar janë krejt të pamjaftueshme për të përballuar dëmin rreth 40 milionë euro të pranverës që shkoi në Jug të vendit.

Ponari, sigurimi, zgjidhje e sigurt

Shmangia e kostove nga përmbytjet mund të bëhet vetëm nëpërmjet sigurimit të subjekteve që preken në kompanitë e sigurimit. Avni Ponari, administratori i kompanisë së sigurimeve SIGAL, tha se çështja e parandalimit të dëmeve financiare nga fatkeqësitë natyrore zgjidhet në dy mënyra. E para, nëpërmjet rrugës institucionale, ku duhet hartuar dhe miratuar një ligj nëpërmjet të cilit të bëhet sigurimi i detyrueshëm për fatkeqësitë natyrore. Ka një përpjekje disavjeçare në këtë drejtim, tha Ponari, por ende nuk është dhënë zgjidhja ligjore. Që të funksionojë skema e sigurimit duhet mbështetja e qeverisë për ngritjen e një fondi të posaçëm që të jetë si një e ardhur për kompanitë me destinacion kompensimin e dëmeve që krijohen nga përmbytjet.

Ndërkohë është rritur ndërgjegjësimi në zonat me risk të lartë nga fatkeqësitë natyrore për sigurimin. Ponari tha se vetëm SIGAL ka mbi 500 klientë në këto zona. Tre prej tyre ishin në zonat e përmbytura dhe përfituan totalisht nga dëmet që krijuan në të mbjella bagëti dhe banesa. Primet për sigurimin e pronës janë 15 euro, një shumë kjo mjaft e përballueshme për të shmangur humbjet që krijohen nga katastrofat natyrore të tilla si përmbytjet dhe tërmetet. Zgjidhje të ngjashme kanë bërë edhe vendet e rajonit, ku shteti ka krijuar një fond të veçantë që mbështet kompanitë e sigurimit posaçërisht për kompensimin e dëmeve që mund të krijohen nga përmbytjet.

Sigurimi i bujqësisë dhe blegtorisë ofrohet aktualisht nga kompanitë e sigurimeve si një produkt i dizenjuar për të gjithë fermerët dhe pronarët e bizneseve bujqësore dhe blegtorale, nisur nga fakti se biznesi bujqësor dhe blegtoral është edhe më shumë i ekspozuar ndaj rreziqeve natyrore, veçanërisht si pasojë e ndryshimit të kushteve klimatike globale. Përmes kësaj police sigurohen ndërtesa, makina dhe makineri bujqësore, investimet në bujqësi, prodhimi bujqësor, serat, linja dhe teknologji prodhimi blegtoral, kafshët bujqësore dhe kafshë me vlera të veçanta përdorimi, shpendët, baza ushqimore. Tarifat për këtë sigurim variojnë nga 0,15% deri në 6,0% të shumës së siguruar, në varësi të objektit si dhe llojeve të rreziqeve që do të sigurohen.

Historia shqiptare e fatkeqësive natyrore

Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit. Në 30 vjet, midis 1980 dhe 2010, janë regjistruar 23 fatkeqësi të tilla. Prej tyre, nëntë fatkeqësi kanë qenë përmbytje, katër tërmete dhe tre goditje nga temperatura ekstreme – thuhet në një studim të bërë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë. Gjatë kësaj periudhe, referon studimi, për shkak të këtyre fatkeqësive 163 njerëz humbën jetën, ndërsa rreth 4 milionë u prekën në një masë apo në një tjetër.

Shqipëria është një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore.

Ajo renditet ndër vendet me risk të lartë ekonomik ndaj një shumëllojshmërie rreziqesh. Rreth 86% e territorit të saj ku gjenerohet mbi 88.5% e PBB, është e ekspozuar nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore. Humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi midis 1974-2006, janë llogaritur mesatarisht në 68.7 milionë USD në vit, ose rreth 2.5% e PBB. Midis viteve 1989 e 2006, tërmetet dhe përmbytjet zënë përkatësisht 17% dhe 31% të fatkeqësive të ndodhura në Shqipëri.

Në studim referohet se, në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 41-të për rrezikun ndaj rrëshqitjeve të dheut, të 43-tin për tërmetet dhe të 58-tin për thatësira.

Rreziqet nga fatkeqësitë natyrore për Shqipërinë janë: gjeologjike (tërmete, rrëshqitje dheu, shkëmbinjsh); hidrometeorologjike (përmbytje, shira të rrëmbyer, thatësira, stuhi bore, ortekë apo bllokim nga bora, stuhi ere); bio-fizike (zjarre në pyje, epidemi) ndërsa ato të shkaktuara nga njeriu konsistojnë në: shpërthim digash, përmbytje e fatkeqësi teknologjike.

Studimi i IIDM konstaton se, Shqipëria ndeshet gjithashtu me një numër problemesh mjedisore, të cilave u shtohet ekzistenca ende e zonave me rrezik të lartë për shkak të ndotjes. Shqipëria karakterizohet nga shkallë e lartë sizmiciteti. Së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Lindor e Juglindor, ajo ka pësuar pothuajse çdo vit një tërmet me magnitudë më pak se 6.5 ballë.

Shtatë qytetet më të mëdha të Shqipërisë futen në zonën me probabilitet 75% prej këtij rreziku. Rreth 10% e territorit shqiptar konsiderohet “e paqëndrueshme”, objekt i rrëshqitjes së dherave.

Sistemi lumor në Shqipëri paraqet riskun më të madh për përmbytjet. Ato ndodhin zakonisht gjatë periudhës nëntor-mars, në të cilën në Shqipëri bie rreth 80-85% e sasisë vjetore të shirave.

Përmbytja e Ultësirës Perëndimore (sipas skenarit më të keq në 100 vjet) mund të prekë seriozisht 20 rrethe, 110 komuna, 341 fshatra, 85500 banesa (në rreth 7.9 milionë m²) rreth 565 mijë njerëz.

Në janar 2010, në rajonet Shkodër e Lezhë, u përmbytën rreth 14,000 hektarë dhe 1200 godina, ndërsa 12,000 njerëz u desh të evakuoheshin nga banesat.

Në shkurt 2015 u përmbytën rreth 3,000 hektarë dhe mbi 600 banesa në pjesën perëndimore e jugperëndimore të vendit. Nga këto përmbytje u prekën rreth 42,000 persona, ndërsa rreth 600 familje u desh të evakuoheshin.

Momentalisht janë rreth 630 sisteme rezervuarësh me diga në Shqipëri, prej të cilave, 307 konsiderohen ose me diga të larta (lartësia deri 15 m) ose rezervuarë të mëdhenj.

Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve. Shpërthimi i tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë).

Studimi nxjerr në pah se, Shqipëria është një nga vendet mesdhetare që preket më shumë nga zjarret, pasi pyjet zënë rreth 29% të sipërfaqes. Në vitin 2007, sipërfaqja totale e djegur (për shkaqe natyrore apo nga njeriu) arriti 127 mijë hektarë.

Rreziku

Shqipëria është një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore. Ajo renditet ndër vendet me risk të lartë ekonomik ndaj një shumëllojshmërie rreziqesh. Rreth 86% e territorit të saj ku gjenerohet mbi 88.5% e PBB, është e ekspozuar nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore. Humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi midis 1974-2006, janë llogaritur mesatarisht në 68.7 milionë USD në vit, ose rreth 2.5% e PBB-së.

Si funksionon sistemi mbrojtës

Sistemi i Mbrojtjes Civile në Shqipëri përbëhet nga struktura të përhershme e të përkohshme në nivel qendror, në nivel prefekture dhe bashkie. Janë rreth 20 institucione e agjenci në nivel qendror dhe rreth 15 organizata në dy nivelet e tjera, të cilat aktivizohen në mënyrë të rregullt. Në çdo nivel ka gjithashtu të paktën një strukturë të përkohshme, Komiteti Ndërministror në nivel qendror dhe Komitetet e Emergjencave Civile në dy nivelet e tjera. Përveç strukturave shtetërore ka me dhjetëra OJQ që veprojnë në këtë fushë. Megjithatë sistemi i mbrojtjes civile në Shqipëri mbetet shumë i centralizuar. Pushteti lokal (nivel prefekturë, bashki) nuk ka fonde të mjaftueshme dhe në praktikë janë të përjashtuara nga vendimmarrja në çështjet e emergjencave civile.

Në nivel kombëtar, Këshilli i Ministrave (KM) aprovon strategjitë, politikat, planet dhe programet. Gjithashtu drejton dhe koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve të përfshira në një emergjencë civile. Ministria e Brendshme (MB) zbërthen politikat në plane dhe i ekzekuton ato gjatë situatës së emergjencës. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile (DPEC) është institucioni kyç për menaxhimin e fatkeqësive. Ajo bashkëpunon me institucionet dhe agjencitë qendrore, të përfshira në emergjencat civile dhe monitoron gjendjen e emergjencës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Qendra Operacionale Kombëtare për Emergjencat Civile luan rol të pazëvendësueshëm në të gjitha fazat e menaxhimit të emergjencave civile. Ajo është plotësuar me personel shërbimi 24 orë në 7 ditët e javës dhe monitoron situatën në të gjithë territorin shqiptar. Zyrat e emergjencave civile dhe stacionet për mbrojtjen dhe shpëtimin nga zjarri në rrethe, raportojnë direkt te kjo qendër.

Bashkitë dhe komunat emërojnë një person përgjegjës për emergjencat civile (si përgjegjësi shtesë ndaj detyrave të tjera të tij).

Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit nga Zjarri, në varësinë e Ministrisë së Brendshme, ka një personel prej rreth 700 vetash, i organizuar në 45 stacione (6 në Tiranë) me rreth 74 automjete zjarrfikëse (12 në Tiranë). Deri në vitin 2009, në këtë shërbim nuk ishte bërë pothuajse asnjë investim, derisa një projekt i sponsorizuar nga Banka Botërore (2009-2013) siguroi një sasi të konsiderueshme pajisjesh për ndërhyrje në rast zjarri, përfshi një numër automjetesh zjarrfikëse.

Shërbimi pyjor aktualisht ka një personel të pamjaftueshëm për luftën ndaj zjarreve. Shërbimi për zjarret në pyje, pritet të bëhet efektiv nëpërmjet Qendrës për Menaxhimin dhe Koordinimin e Zjarreve në Pyje (të porsakrijuar) e cila pritet të mbështetet nga rreth 50-100 grupe për luftën e zjarreve në pyll.

Kapacitetet përballuese

Rrjeti sizmologjik aktualisht përbëhet nga 13 stacione plus 34 stacione të tjera “të lëkundjeve të mëdha”. Ky rrjet po operon tashmë si një sistem dixhital, i integruar plotësisht, nëpërmjet përdorimit të komunikimit satelitor. Personeli i shërbimit sizmografik është trajnuar së fundi nga NATO. Shërbimet meteorologjike dhe hidrologjike përfaqësohen nga tre institucione të ndryshme: Instituti i Gjeoshkencave (pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës), Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Shërbimi Meteorologjik i Aeroportit Internacional të Tiranës. Ndërsa ushtria ka rrjetin e saj të meteorologjisë. Reduktimi aktual i stafit të Institutit nga 70 në 25 veta përbën një sfidë, ndërsa mungon një staf i ngarkuar të kryejë monitorim të pandërprerë në këtë fushë 24 orë në 7 ditë të javës. Rrjeti i observimit meteorologjik konsiston në 7 stacione automatike për kohën (ende të palidhura “on-line”); 15 stacione agro-meteorologjike, 2 stacione meteorologjike të marinës, 110 stacione të klimës (jo automatike) dhe 15 stacione të matjes së shiut. Shqipëria nuk ka radarë për kohën, observim të lartësive të mëdha dhe të rrufeve. Të dhënat meteorologjike ende nuk shkëmbehen me sistemin GTS të Organizatës Botërore të Meteorologjisë. Stafi operacional i Institutit (meteorologë e hidrologë) ka njohuri të mira shkencore, por kapacitete të kufizuara njerëzore për të dhënë parashikime të kohës, për të prodhuar të dhëna të rëndësishme për analizat e rreziqeve në lidhje me ekstremet meteorologjike apo të operojnë një sistem adekuat të paralajmërimit të hershëm. Në instancë të fundit, rrjeti hidrologjik e meteorologjik është i një cilësie të ulët krahasuar me kërkesat e BE-së, ndërsa mungesa e modeleve dixhitale të parashikimit të kohës paraqet një pengesë serioze për “paralajmërimin e hershëm”. Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka një sistem të paralajmërimit të hershëm për sa u përket shpërthimit të epidemive. Gjithashtu një sistem i paralajmërimit të hershëm është ngritur për zjarret në pyje (me disa kulla vëzhgimi për qark) dhe funksionon gjatë stinës së zjarreve. Duke ndjekur rregullat e BE-së për një numër thirrjeje emergjence të përbashkët (“112”), një studim fizibiliteti është kryer tashmë në Shqipëri me mbështetjen e Bankës Botërore, por vënia në eficiencë e një sistemi komunikim/thirrje “112” varet nga gjetja e fondit të nevojshëm prej rreth 18 milionë eurosh.

Kapacitetet për reagim ndaj situatave të emergjencës sigurohen nga institucione të ndryshme, po pjesa kryesore nga ushtria. Aktualisht janë në dispozicion për evakuim 16 kamionë, 17 helikopterë, 63 (të vegjël, të mesëm, rreth 90 veta/rejs); rreth 65 motobarka të vogla, strehim me tenda për 17 mijë njerëz. Për evakuim mjekësor janë në dispozicion 178 autoambulanca (nga MSH, të shpërndara në 36 qarqe, ku janë edhe spitalet, 11 prej tyre në Tiranë) plus 12 autoambulanca nga ushtria. Dy njësi për pjekjen e 2,400 kg bukë në ditë), njësi gatimi për 3,000 racione plus 3 autokuzhina për 900 racione në ditë). Për ujin e pijshëm janë 7 autobote (total 67 tonë) dhe 11 pompa (total 12 m³/orë). Për higjienën personale 2 njësi dushesh për 200 veta/ditë.

Ditë të vështira na presin

Banka Botërore, në një studim të zgjeruar për ndikimet e klimës në Shqipëri, specifikisht në sektorin e bujqësisë, lajmëron për periudhë të vështirë, të paktën deri në vitin 2050.

Reduktimi i varfërisë dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore (përfshirë tokën, ujin dhe biodiversitetin) janë ndër objektivat e qeverisë shqiptare. Megjithatë, strategjitë dhe legjislacioni nuk përkthehen gjithmonë në programe dhe projekte, kryesisht për shkak se shumica e aktiviteteve të përfshira në këto strategji kërkojnë investime, të cilat janë shumë të larta për buxhetin e shtetit, analizon Banka Botërore. Zbatimi i tyre pengohet edhe nga kapacitetet e kufizuara profesionale të institucioneve përkatëse. Për këtë arsye, mbështetja e vazhdueshme ndërkombëtare është një element i rëndësishëm për garantimin dhe zgjerimin e zbatimit. Aftësia për të mbledhur dhe për të gjeneruar të dhënat meteorologjike për fermerët është shumë e kufizuar. Instituti Hidrometeorologjik kryesor në Shqipëri është Instituti i Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, një qendër në Universitetin e Tiranës. Ky rregullim institucional e ka lënë institutin me një mungesë akute të financimit. Nevoja për ngritje të kapaciteteve për parashikimin e motit paraqitet emergjente. Në shumë raste, fermerët shqiptarë u referohen shërbimeve meteorologjike të vendeve fqinjë.

Një fermer, i cili ka një fermë 10 hektarë në Ultësirën Perëndimore, do ta ketë të vështirë të kultivojë pemëtarinë, pasi rrënjët e pemëve kalben gjatë stinëve me lagështi sidomos nëse përmbytjet ndodhin gjithnjë e më shpesh. Në këtë aspekt, fermerët duhet të jenë të azhurnuar me shërbimin meteorologjik në mënyrë që të orientojnë investimet me ndryshimet e klimës – sugjeron Banka Botërore.

Ngrohja mesatare gjatë 40 viteve të ardhshme pritet të rritet me rreth 1.5oC, shumë më e madhe se rritja me 0.5oC e vërejtur gjatë 50 viteve të fundit. Por ndryshimet në reshje janë shumë më të pasigurta se ndryshimet e temperaturës. Studimi tregon rënie të reshjeve mesatare vjetore për Shqipërinë rreth 50 mm deri në vitin 2050, shumica do të jetë e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, duke përfshirë zonat përreth Lushnjës, Vlorës, Fushë-Krujës dhe Shkodrës, ku reshjet mund të jenë 150 mm në vit. Për sektorin e bujqësisë në Shqipëri, përmbytjet janë veçanërisht problematike në pranverë, kur ato mund të vonojnë ose parandalojë mbjelljen e kulturave të verës, dhe gjatë verës, kur përmbytjet mund të shkatërrojnë rritjen e tërë vitit dhe duke parandaluar korrjet në kohë.

Rritja e temperaturës gjatë verës mund të jetë me 4-5ºC në malet veriore të Shqipërisë. Përveç kësaj, rëniet e reshjeve pritet të jenë më të mëdha në periudhën maj-shtator, veçanërisht në malet jugore dhe veriore. Rezultatet tregojnë se rrushi dhe ullinjtë do të jenë më të prekura nga ndryshimet klimatike, me rënie të prodhimit në të gjitha zonat e vendit, por veçanërisht në ato fushore. Rendimentet e grurit mund të rriten. Prodhimi i jonxhës duhet të rritet në shumicën e rajoneve. Efektet e pritshme të misrit ndryshojnë sipas rajonit, me rritjen e prodhimit në malësitë jugore dhe më ulët në rajone të tjera.

Klima, rrezik jo vetëm për Shqipërinë

Ekspozimi ndaj klimës dhe rrezikut të fatkeqësive po rritet në nivel global, veçanërisht për të varfrit. Numri i fatkeqësive klimatike vetëm në dekadën e fundit është rritur pothuajse dy herë me atë që është shënuar në 1980. Duke punuar me mbi 400 partnerë, Fondi Global për Reduktimin e Katastrofave dhe Rimëkëmbjes (GFDRR) është duke ndihmuar në menaxhimin e rrezikut të fatkeqësive në axhendën e zhvillimit të pas 2015.

GFDRR mbështet mbrojtjen nga fatkeqësitë klimatike në mbi 89 vende me mbështetje financiare më shumë se 3 miliardë dollarë.

Fatkeqësitë natyrore mund të shkaktojnë kosto të pamendueshme dhe do të ndikojnë tek më të varfrit dhe do të rrisin disprorporcionet me të pasurit.

Cikloni më i madh i regjistruar në histori zbarkoi në Paqësor dhe goditi 83 ishuj të Vanuatusë, ku baticat rrëmbyen fshatra të tëra, gëlltitën infrastrukturën dhe shkatërruan tërësisht të mbjellat. Më shumë se dy të tretat e popullsisë u prekën dhe ministri i Financave të vendit e përshkroi ndikimin e stuhisë si “shkatërrimin e të gjitha viteve të zhvillimit dhe investimeve”.

Banka Botërore pohon se, urbanizimi i shpejtë dhe zhvillimi i paplanifikuar kanë vënë në rrezik më shumë njerëz se kurrë më parë. Më shumë se një milion njerëz në javë janë duke lëvizur në qytete, me 90% të rritjes urbane që është duke u zhvilluar në Afrikë dhe Azi.

Këto tendenca do të vazhdojnë të rrisin numrin dhe peshën e ngjarjeve nga fatkeqësitë. Në dekadën e fundit është parë gati dyfishi i numrit të fatkeqësive klimatike në krahasim me deri në 1980.

Për fat të mirë, është e mundur që vendet si Vanuatu të fuqizohen dhe të tjerët të bëhen më elastikë. Përmes asistencës teknike, ndërtimin e kapaciteteve, Fondi Global për Reduktimin e Katastrofave dhe Rimëkëmbjes (GFDRR) ndihmon vendet e cenueshme për të reduktuar katastrofat klimatike. Menaxhuar nga Banka Botërore, GFDRR është një partneritet botëror i financuar nga 22 partnerët donatorë me një mision për të ndihmuar vendet në zhvillim, për të kuptuar më mirë dhe për të reduktuar dobësitë e tyre ndaj rreziqeve natyrore dhe të përshtaten me ndryshimin e klimës.