25 vjet nga rënia e komunizmit, Rama: Europa, ëndrra që na bashkon

Kryeministri Edi Rama shprehet se 25 vjet pas rënies së komunizmit, në Shqipëri politika mbetet e polarizuar dhe rivalët shpesh shihen si armiq dhe jo pjesë e saj.

Gjatë konferencës ndërkombëtare me temë ‘Shqipëria 25 vite nga rënia e komunizmit’, e organizuar nga Presidenti i Republikës, Rama tha se 25 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria ka ecur me një ritëm më të ngadaltë se shtetet e tjera të Europës që u ndanë nga sistemet diktatoriale.

“Shqipëria ka 25 vjet nga rënia e komunizmit. Është një temë që do merrte ditë të tëra e nuk do ta ezauronim dot. Është një temë që na bën të reflektojmë në lidhje me atë që ishte Shqipëria dhe Europa 20 vjet më parë dhe atë që është secila prej tyre sot. Nëse i referohemi rrugës së çlirimit të vendeve komuniste nga diktaturat dhe fakti që Shqipëria ishte e fundit që e shembi të vetën lidhet me mënyrën si vazhdoi historia e integrimit. Po të shohim shpejtësinë me të cilën vendet arritën të kapin trenin e BE-së është i njëjti grafik. Vendet që u çliruan më shpejt e patën më të lehtë, por jo se diferencën e bëri 1 vit. Por diferencën vijon ta bëjë edhe sot e shkuara. Për vende si Hungaria, Çekosllovakia etj, rrugëtimi drejt BE-së ishte një rrugëtim për të rilidhur fijen e këputur të një historie që kishte ndërtuar një rrjet besimi. Ndërkohë që për vende që patën më shumë vështirësi besoj që boshllëku i institucioneve në të shkuarën, nëse kthejmë kokën në histori dhe shohim të shkuarën tonë, në raport me sfidën e BE-së, është e qartë se kemi një disavantazh historik. Në fund të fundit, mësimi i parë për të nxjerrë nga këto 25 vite ballafaqimi me të shkuarën dhe sfidën e integrimit në BE është se dallimin e bën historia e institucioneve dhe tradita e shtetit si i tillë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se kultura e bashkëjetesës politike pas rënies së komunizmit është ndikuar shumë nga e shkuara. Ajo në të shumtën e rasteve ka përcaktuar marrëdhëniet mes palëve politike, duke u bërë edhe pengesë për avancimin e vendit.

“Besoj që mund ta ndajmë pa ndonjë vështirësi të madhe faktin se kultura e bashkëjetesës politike e demokratike e ka vuajtur shumë të shkuarën komuniste, ashtu si Shqipëria e ka vuajtur të shkuarën. Komunizmi godiste  pa mëshirë deri në marrjen e jetës së mesazherit për të fshirë mesazhin. Nuk kishte debat të mundshëm, as oponencë, as kundërshtarë, por vetëm armiq për t’u burgosur e syrgjynosur. Për fat të keq, në këto 25 vjet nuk jemi çliruar, edhe pse jetojmë në një sistem që nuk burgos e persekuton në kuptimin fizik të fjalës. Por për 25 vjet jemi marrë më shumë me mesazherin se me mesazhin. Nuk e kemi kapërcyer ende fazën kur kundërshtari të pranohet si pjesë dhe jo armiku që duhet asgjësuar”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se pavarësisht kundërshtive në gjirin e politikës, kur vjen puna për ëndrrën evropiane, të gjithë janë në një mendim.

“Europa për ne është një ëndërr që vazhdon dhe që ka forcën të na mbajë të bashkuar, megjithë ndarjen tonë qoftë edhe për çështjen e orës. Nuk kemi dy qëndrime të ndryshme për atë çka Europa përfaqëson për ne. Peshon mbi të gjithë ne detyrimi për t’u trashëguar fëmijëve tanë një vend evropian”, tha Rama.