Nexhmije Hoxha në penxheren e Zotit

Ajo që u paralajmërua si intervista e lamtumirës,në fakt më la shijen e mollës së kalbur që veç krimbave ka dhe shumë kohë që dergjet në arkën e kalbësirave të dyqanit te viteve 80, ku radhët e gjata dhe tolloni janë të vetmit mysafirë të ditës.

Për arsyen e thjeshtë të ruajtjes së higjenës mendore vendosa mos ta shoh,por vetëm ta lexoj të zbardhur intervistën e bashkëshortes së ish diktatorit,gruaja me mendje te kthjellët dhe llogjikë te akullt,qe as familja e shkatërruar dhe nipi në burg nuk ja kishin errësuar dhe zbehur mllefin për shqiptarët.

Unë nuk prisja që Nexhmije Hoxha të shprehte as më të voglin pendim për atë që familja e saj i kanë shkaktuar këtij vendi,madje nuk prisja që dhe te pyetej per kete. E vetmja gjë që më tronditi,është fakti qe pas kaq vitesh,ajo ka ende paturpësinë te flasë per “miq” dhe “bashkëpuntorë”. Pikërisht për ata që ajo dhe burri i saj i vranë dhe torturuan në gulagun shqiptar të komunizmit.

Ndërsa tregonte mbrëmë kujtimet dhe me gjakftohtësi përmendte shoqet e saj Fiqerete Shehu dhe Drita Kosturin,jam kurioze të di si e shihte në sy gazetaren,ndërsa dokumentat në Arkivin e Shtetit,tregojnë qartë se si Nexhmije Hoxha shihte mbrëmjeve me burrin e saj seancat e torturave për marrjen në pyetje të Fiqerete Shehut dhe shijonte syrgjynosjen e Dritës në kampet e internimit.

E veja e diktatorit ka folur mbrëmë dhe për pronat e pronarët,internimet,pushkatimet,persekutimet. Por ka patur shumë ose aspak për të thënë. Sepse ndërsa ka harruar te tregojë se ka jetuar 50 vjet në shtëpinë e rrëmbyer pronareve te ligjshëm, sigurisht që nuk mund të kujtohet për shokët e saj që rrëmbyen prona në emër të regjimit për të cilin ajo përgjërohet edhe sot.

Nexhmije Hoxha vërtet nuk mund t’i mbajë mend emrat e të gjithë të pushkatuarve,internuarve dhe të vdekurve në burg nga diktatura,por sigurisht që emrat e shokëve të miqve që i çoi në tortura,edhe mund t’ja prishin ndonjëherë gjumin natën.

E sigurt në të pavertetat e saj,zonja Hoxha rrëfeu mbrëmë dhe për marrëdhënien e saj me zotin,me fenë. Por harroi të tregonte nëse tezja e saj i shpëtoi burgut (meqë falej 5 herë në ditë) kur feja në Shqipëri u ndalua me ligj. Ndoshta harroi të tregonte nëse i kujtoheshin urdhërat për vrasjen e klerikëve,mbylljen e kishave dhe të xhamive dhe perçudnimin që ajo personalisht i bëri asaj me të cilën mburren dhe ish komunistët më të betuar,Nënë Terezës.

E strukur ne vetminë dhe ligësinë e një gruaje që vdekja e ka lënë gjallë për të eksperimentuar kush e di çfarë ,Nexhmije Hoxha u shfaq mbrëmë jo si ateiste,por si besimtare e penduar që do të bashkohet me burrin e saj. Një darviniste,siç ajo u vetëdeklarua mbrëmë në intervistë,nuk beson kurrë tek jeta e përtejme ,aq më shumë tek ferri.

Me aq pak sa tha dhe aq shumë sa do rrëfejë atje ku do shkojë,Nexhmije Hoxha ja doli sërish të shndërrohet në një yll mediatik,pak a shumë si këngëtaret apo femrat e showbizit,që në kohën kur ajo mbretëronte përdhunoheshin dhe degdiseshin kush e di ku.

Me nostalgjinë tipike të një mbrëtëreshe të rënë nga vakti dhe me femijë që e kanë braktisur,ajo ja doli të mbjellë nostalgjinë e miqve që la gjallë dhe neverinë e atyre që persekutoi. A mund të kishte pyetje të tjera për t’i bërë? A mund të gjenden fakte dhe dokumenta për t’i treguar asaj se gjyqi dhe dënimi për kafe ishin nderi më i madh që i bënë? Jam e sigurt që nuk do kisha kurrë këte shans,sepse të mjerët e regjimeve totalitare,zgjedhin mëtonjësit e tyre,dishepujt dhe të ngjashmit per t’i intervistuar. Dhe unë nuk do kisha kurrë këtë shans. Ndaj nuk ndihem keq që nuk mora shumë përgjigje. Thjesht ngushëllohem me faktin që më në fund,Nexhmije Hoxha ka nisur te besojë ne Zot. Në zotin të cilit i besoj dhe unë dhe që nuk harron që në mos në këtë botë,të paktën në tjetrën shpagimi nuk do të mungojë për të gjithë.