“13 shtëpi-burgje për tortura ndaj fëmijëve e nënave”

Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit ka të regjistruara në arkivat e saj dëshmi të gjallë nga krimet e diktaturës. Ish-të përndjekurit rrëfejnë torturat, inskenimet e akuzave politike dhe jetën e tyre pas rifitimit të lirisë, që tashmë përbëjnë dosjen e gjallë, të regjistruar me kamera dhe diktofonë

Gratë që survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit

M.M pasi ishte liruar nga burgu, dhe kishte provuar torturat nga më çnjerëzore, gjatë gjithë kohës ishte e survejuar nga Sigurimi i Shtetit. Nuk e linin asnjë hap të lirë.

Në Shkodër B.M tregon se ekzistonin 13 shtëpi-burgje, ku janë përdorur torturat më të egra ndaj nënave e fëmijëve nga Sigurimi i Shtetit.

Nënës H.M iu shtyp djali 7-vjeçar nga kryetari i frontit, por askush nuk erdhi t’i kërkojë as falje, sepse ajo ishte e dënuar. Këto janë disa prej rasteve që Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit ka regjistruar në arkivat e saj, si dëshmi e gjallë nga krimet e diktaturës. Ish-të përndjekurit rrëfejnë torturat, inskenimet e akuzave politike dhe jetën e tyre pas rifitimit të lirisë që tashmë përbëjnë dosjen e gjallë të regjistruar me kamera dhe diktofonë. Emrat e persekutorëve të tyre thuhen hapur, pa drojë, por duke kujtuar gjithçka si ditën që ka ndodhur. Asgjë nga memoria e tyre nuk është fshirë. Janë të vërteta që asnjëherë nuk janë thënë dhe pohojnë se do të duheshin libra të tërë për të shkruar detajet nga më të llahtarshmet nëpër hetuesi dhe burgje.

Mbi këto dëshmi, Instituti i ish të Përndjekurve Politikë ka hartuar plot 200 dosje, të cilat kanë brenda të vërteta drithëruese, emra njerëzish që kanë sajuar vrasje e internime pa fund, për arsye nga më të ndryshmet.

Në kuadrin e mbledhjes së këtyre dëshmive për evidentimin e torturës, për të hedhur sadopak dritë mbi pasojat e persekutimit gjatë viteve të diktaturës, si dhe për të mos lënë në harresë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë sonë, u formuluan nga Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit dhe u shpërndanë një numër pyetësorësh (500). Këta pyetësorë u shpërndanë me ndihmën e Institutit të ish të Përndjekurve Politikë në gjithë territorin e vendit. Pyetësorët e shpërndarë kishin për synim të evidentonin gjendjen social-ekonomike të ish të përndjekurve politikë, të nxirrnin në pah pasojat psikologjike te viktimat e persekutimit politik.

Ish të përndjekurit politikë sot shqetësohen më tepër për situatën e tyre ekonomike dhe marrëdhëniet familjare, sesa për vuajtjet që kanë përjetuar në të kaluarën. Persekutimi i gjatë politik nga njëra anë ka lënë pasoja në nivelet e izolimit dhe vetëvlerësimit, ndërsa nga ana tjetër ka ndikuar edhe në nivelin e besueshmërisë së tyre. Kjo lidhet ngushtë me mënyrën si ata përjetojnë të tashmen dhe si e shohin të ardhmen. A ekziston një lloj stereotipi paragjykues te të përndjekurit politikë, si grup i neglizhuar dhe i lënë në harresë?

V.Murati

A.N

Unë në fakt kisha frikë nga komunistët, sidomos nga rusët, sepse kisha lexuar disa romane ku do të theksoja romanin “La fabrica degli uomini nuovi” e ku përshkruhej shumë mirë rënia e familjeve borgjeze, aristokrate të Rusisë në kohën e komunizmit.

Dhe unë pyesja veten nëse do merrte dimensione të atilla edhe tek ne dhe shpresoja që jo, por në fakt ne na shkatërruan më tepër se çdokush. Në fakt ata vendosën taksa nga më të lartat. Babai mall kishte, por jo aq sa të paguante aq shumë. Në kohën e vrasjes së nuses së xhaxhait, u hapën disa fletushka ku shkruhej se atë e kishin vrarë komunistët. Por në fakt në atë kohë komunistët gëzonin besueshmëri më të madhe edhe sesa ballistët.

Punonim shumë, motra ime sidomos do të nxirrte sytë duke bërë triko, çorape bashkë me shoqet e saja që t’jua dërgonin partizanëve.

Pas ardhjes së regjimit komunist vuajtëm shumë. Ata na vunë taksa të papërballueshme të cilat babai nuk mund ta paguante dhe ai e shumë tregtarë të tjerë u futën në burg. Mirëpo, pasi e pa që ata ishin shumë rezistentë dhe të pamëshirshëm, babai u detyrua që për një taksë të paguante një pjesë në franga dhe një pjesë në ar. Ndërsa për taksën e dytë mori masa shiti mallin më të mirë që kishte dhe bëri lekët.

Gjatë asaj kohe ai kishte myshteri babain e kryetarit të komitetit, Esat Mollas, i cili i tha se kishte nevojë për 200 napolona që të ngrinte një shtëpi dhe se do t’i thoshte të atit se do t’ia ulte taksën. Kjo u quajt mitmarrje. Për këtë babait iu bë një gjyq dhe e dënoi Nezat Haznedari me 15 vjet heqje lirie. Pra akuza ishte ‘ryshfet për të ulur taksën’.

Pasi u fut në burg aty kishte një mik Vasil Korbi dhe nuk e di se kush spiunoi që ata flisnin për politikë dhe e futën edhe për politikë dhe rrinte në fakt me të dënuarit politikë dhe jo ordinerë. Gjatë kohës së burgut drejtori i burgut ishte Tasi Marko, vëllai i Rita Markos, edhe ai kish respekt për babanë thoshte që është trim e punëtor dhe respekt për nënën. Kemi pasur një mëmë shumë serioze, e me karakter e cila nuk bënte zë dhe thoshte që kur të na vijë radha ne do e përballojmë si gjithë të tjerët. Tasi ne, na lejonte të hynim pa radhë në takim me babanë dhe kur në dëborë e akull i ngarkonin të burgosurit me koshet e bukës që t’i çonin në burg ai nuk e lejonte babain.

Me deponimet që kish dhënë Tasi, babait iu ul dënimi deri në 8 vjet burg. Burgun e bëri në Maliq dhe vuajti shumë prej punës në kënetë në vitin 1948. Kur e morën babanë ne çdo 6 muaj, ne na nxirrnin nga shtëpia dhe na shpinin në një dhomë bashkë me familje evgjitësh. Aq sa bërtiste ajo evgjitja “m’i hiqni këta reaksionarët, se do të më prishin edukatën e fëmijëve. Ishte pjesë e presionit psikologjik që na bënin. Ishte vuajtje e madhe se nëna na vuante nga diabeti, babai në burg dhe vetëm unë e motra ishim.

Vëllai ndodhej në Itali dhe u kthye për të na ndenjur pranë, punoi ca kohë në Milot dhe atje mbeti për një kohë shumë të gjatë.

Në atë kohë ndryshuam mbi 8 shtëpi, por turpi më i madh ku na shpunë ishte shkolla e xhamisë në anë të lumit. Kur u kthyen Muhaxhirët nga Greqia, i strehuan atje, ku nuk e di sa familje ishin strehuar në një dhomë. Xhamat nuk ekzistonte, me kushte skandaloze dhe gjithë dyshemetë e korridorit të shkollës qenë djegur, se atje bënte shumë ftohtë dhe ndiznin zjarre për t’u ngrohur. Që të kaloje në dhomën tonë që ishte në qoshe, duhej të kaloje nëpër trarë, po e keqja më e madhe ishte se vinin gjithë katundarët me mushka, me kuaj, i lidhnin në oborrin e shkollës, ishte edhe një xhami atje, dhe më fal, ishte nevojtore publike që ne, nuk mund të guxonim të dilnim nga dhoma merrni me mend sa e tmerrshme ishte. Aty qëndruam dy vjet dhe kur vendosën të na hiqnin nga ajo shkollë, na shpunë në një shtëpi nga Shën Thanasi, në një shtëpi shumë të keqe, të vjetër më shumë se 100-vjeçare; në dhomën tonë ishin therur viça e lopë, gjetëm lëkurë bagëtish e gjakra, e hajde ta sillje në bina. Miqtë i kishim shumë të mirë. Ne kishim një komshi të nderuar të cilin e futën në burg. Përpara se ta kapnin mëma ime bëri një heroizëm. Kur na hoqën nga shtëpia ne, kishim ende çelësat e shtëpisë dhe mamaja kish lënë ca monedha flori, gjë që s’e dinte babai, ose e dinte por e kish harruar. Shtëpia ishte e mbyllur dhe e vulosur. Ajo i thotë vëllait të madh që të shkonte të priste vulat dhe të hapte derën me çelës. Ai hyri brenda pas mesit të natës dhe nxori paratë. Po ku do t’i vendosnim këto para. Ne kishim vetëm një sobë 1000 lekëshe dhe një sustë për secilin e një dyshek ordiner dhe kjo qe jetesa jonë. Dhe e ndihmon për të ruajtur paratë komshiu, Alqinidhi Frashëri. Kur atë e morën në hetuesi dhe vajza e tij kthehej duke qarë kur shkonte ta takonte, mamaja e pyeste si ishte Alqinidhi dhe ajo i thoshte se tërë ndërresat i kishte me gjak nga torturat. Si vajza e një tregtari edhe si e arsimuar në Itali, unë nuk gjeta asnjëherë punë gjatë kohës së komunizmit dhe kjo as që diskutohej. Unë kam dhënë vetëm mësime frëngjishteje kur më krijohej mundësia fshehurazi, gjë që nuk e mori vesh njeri. Ne i përjetuam shumë keq konfiskimin e pasurive dhe traumat që kaluam në atë periudhë, por ç’mund të bënim ne? Jorgji Blushi i cili punonte në strehimin e Korçës (strukturat drejtuese të pushte ka qenë tmerri i këtij qyteti, i cili vinte pa mbushur akoma 6 muaj dhe na thoshte “boll ndenjët këtu, e ke bërë 10 me yll këtë shtëpi, hajde jashtë”.

Jam martuar 31 vjeçe, pasi doli babai nga burgu. Edhe bashkëshortit tim nuk i pëlqente ky sistem, por thoshte se këtu ka shumë të varfër, dhe po të bëjmë një krahasim midis pasanikëve dhe varfërve qe o pasanik shumë ose shumë të varfër, dhe ai kish frikë që këto sisteme nuk falimentonin, nuk përmbyseshin, dhe këtë frikë e shprehte gjithnjë.

Vajza pati probleme me arsimimin. Ajo mbaroi shkëlqyer në gjimnazin Qemal Stafa. Megjithë rezultatet e shkëlqyera asaj nuk ia dhanë të drejtën e studimit”.

E.P

“Jam e bija e Mihal Zallarit. Pasi studioi jashtë shtetit, ai u kthye në Shqipëri, ku punoi si profesor. Me çlirimin e Shqipërisë është arrestuar, dhe dënuar nga gjyqi special, me 30 vjet burg, dënim i cili u kthye pastaj në 20 vjet burg. Pjesën më të madhe e ka bërë në burgun e Burrelit dhe ne familja hoqëm pasojat e dënimit të babait tim. Unë në atë kohë kam qenë e vogël dhe bëra shkollë fillore e 7 vjeçare, pastaj kalova në Politeknikumin 7 Nëntori për shkaqe që tashmë kuptohen nga të gjithë. Më kanë përjashtuar që në moshën 15 vjeç nga shkolla, pikërisht në një kohë kur unë isha gjithë ëndrra për të ardhmen. Nuk më shkonte mendja se për shkak të babait mund të vuaja edhe unë. Pasi u përjashtova nga shkolla, u detyrova të punoja se gjendja ekonomike ishte shumë e vështirë. Kam punuar 5 vjet si punëtore në fabrikën e shqopave. Me përpjekje dhe nga dëshira e madhe që kisha për shkollën, vazhdova shkollën Teknike të Ndërtimit natën, e cila atëherë kish dalë si shkollë më vete. Aty mora diplomën e shkollës së mesme dhe u emërova gjeometre dhe punova disa kohë e më pas vazhdova Institutin 2 vjeçar. Ndërkohë babai kishte përfunduar dënimin. Pas 18 vjetësh filloi dhe paradoksi. Në një kohë kur babai im doli nga burgu, dhe u punësua, filloi një përndjekje më e fortë se më parë dhe kam qenë e para që u përndoqa nga armiku. Unë nuk kisha më asnjë të drejtë dhe as shkolla e mesme e as e larta nuk më vlejtën më. Dëshira për librin pasi kisha dalë në pension. U nisa më tepër për të njohur më tepër babain tim. Unë doja të vendosja në vend dinjitetin e babait në njëfarë mënyre, të vërtetoja me dokumente arkivore e dëshmi nga persona të tjerë me emër në kohën e tyre”.

B.K.

“Na çuan na internim për të punuar në Tërbuf e Lushnjë. Rininë time atje e kalova, duke hapur kanale. Më kanë torturuar policët dhe aty më mbajtën tre vjet dhe prej aty më çuan në Karavasta. Qëndrova tre vjet atje, në kënetë me ujë, kam jetuar për gazep për rininë time. Atje më vdiq edhe nëna, isha rrit jetime, ma vranë babën në oborr dhe kam mbetur jetime që në moshën 1 vjeçare, pastaj u fejova tek Metaliajt të cilët kishin qenë më keq se unë, të internuar e të quajtur kulakë. Më iku rinia, më iku me vuajtje”.

M.M

“U desh vetëm një sekondë që torturuesi të ngrinte çizmen e tij me hekura të ma plaste në fytyrë, të më futet me grushta, të më rrëzojë përtokë dhe më tha ty do ta bëjmë trupin çika-çika se ke dashur të rrëzosh pushtetin tonë.

Çfarë mund të them, çimentot vetëm ujë, vetëm një tas të vogël me gjellë dhe pak bukë, mezi haja duke ruajtur tulin për ta zbutur me ujë, sepse nuk kishte njeri të më sillte ushqim, sepse vëllain nuk e linin të më takonte. Punova në fermë, të Ministrinë e Brendshme, kam qenë prapë e survejuar, isha e prekur, kohët e fundit, që më futën të laja dyshemetë, më mirë të punoja në fushë se në lokal dhe më futën në Lulishten ‘1 Maji’. Më thonin “Po të kishe qenë me ne, nuk do të kishe përfunduar kështu”.

Kjo ishte puna që unë bëja. Me zor arrija të shkoja tek njerëzit e mi në Korçë e kudo isha e survejuar nga Sigurimi i Shtetit e kudo nuk më linin të bëja asnjë hap në liri”.

D.B.

“Rrjedh nga një familje e Ballit, jam martuar me S. B. Para se të internoheshim punoja në Tiranë si infermiere. Më çuan në Lushnjë, pastaj në Ndërnënas të Fierit duke na përbuzur e hequr zanatin. Punuam në fushë, në baltë, jetonim në kushte jo normale në ca shtëpi që s’ishin të mira as për bagëtitë. S’na hynte njeri në shtëpi, na ndanë për së gjalli, me motrën, vëllain e të afërmit e tjerë. Fëmijët na thoshin herë pas here “çfarë bëre o babi që fole kundër qeverisë”. Ku dinin fëmijët e shkretë se çfarë vuajtjeje kishin prindërit. Ata s’kishin asnjë faj, por faji i vetëm ishte se ishin kundër diktaturës komuniste.

Regjimi i Enver Hoxhës bëri atë që s’e ka bërë njeri në botë, ndau fëmijët nga prindërit, vëllain nga vëllai, mbetën fëmijët pa martuar. Vdiqën prindërit pa pasur gëzime”.

S.B.

“Si familje na çuan në Tepelenë. Jeta në kampin e Tepelenës ka qenë mjaft e vështirë. Aty kanë qenë 5 kazerma. Kishte njerëz nga Berati, Kuçova, Gjirokastra, të gjithë të përndjekur. Punonim nga mëngjesi në darkë në mal. Ktheheshim në kazerma dhe na priste një bollgur me krimba brenda e groshë me miza, ha po deshe.

Unë detyrohesha të shisja racionin tim për të ushqyer fëmijët. Nuk na linin të dilnim në Tepelenë. Vetëm në rastet kur u çonim dru familjeve të oficerëve. Ata na detyronin, megjithëse gra, t’i mbanim drutë deri në dhomat e tyre. 3 muaj e gjysmë nuk kishim pe për të qepur, dhe kam përdorur fijet e flokut në vend të perit për të qepur çorapet e fëmijëve se nuk na jepnin, na jepnin 1 sapun në muaj për gjithë familjen”.

H.M.

“Më kanë marrë e më kanë shti në burg. Më kanë pyet, internuar, me fëmijë të vogël, s’kam pas qumësht me i dhënë fëmijës. S’kishte as dyqan as furnizime, kemi jetuar si mos më keq. Kisha 5 vajza e një djalë. Ma ka shtyp makina 7 vjeç djalin, ai i frontit, i shkoftë shpirti atje ku s’thuhet, i thotë shoferit që shtypi  djalin “hajt mos çaj kryet, ke mbyt një kriminel, kulak, mos i shko tek dera. Një vit kam pritur që të vinte shoferi e të më kërkonte falje, por nuk e linin të vinte”.

B.M

“Jam duke punuar për veprën e dytë të librit “Dhimbje” që u kushtohet nënave të reja, e të shtypura shkodrane, motrave e grave vëllezërit e burrat e të cilave vdiqën nëpër burgje.

Kjo është dhurata e parë që i kam bërë Shkodrës se ajo ka qenë Shkodra e burgjeve, se ka pasur 13 shtëpi-burgje, ku janë përdorur torturat më të egra ndaj nënave e fëmijëve nga Sigurimi i Shtetit. Kjo histori është histori shqiptare, ma thotë mendja se një histori që nuk shkruhet, harrohet dhe një histori që harrohet, përsëritet”.