You are here: Home » Lajme » Te Pergjithshme » 100 Shqiptarët e Britanisë

100 Shqiptarët e Britanisë 

Kliko ne Icone per me shume Info

Atyre që ruajtën këngën e djepit…

Petrit Kuçana

Petrit kucanaIshin vetëm valët e Radio Tiranës që përçonin fjalën shqip, ndonëse ishte e pamundur që të shkoqitej ai tingulli i mëmëdheut nga propaganda komuniste. Ishte e vetmja dritare që bashkatdhetarët e gjendur në Britani ,para pesëdhjetë e kusur vitesh, të mund të gjenin një ngjyrë mëmëdheu, duke shtrënguar diku në thellësinë e qenies së tyre “amanetin” se “Atdheut nuk mund t’i thuhet lamtumirë”. Ky kod i trashëguar prej shqiptarëve u ruajt edhe atëherë kur këta mërgimtarë kalonin ditë, jave e mbase muaj pa shqiptuar një fjalë shqip, deri pas viteve ’90 kur “u gëzuan të dëgjonin shqiptarët që flisnin, këndonin apo qoftë edhe shaheshin në shqip”.
Edhe kur mëmëdheu gjendej tërësisht i përçudnuar, edhe kur ato pak lajme që mund të merrnin nga andej, shkërmoqeshin dalëngadalë ëndrrën e tyre, edhe kur shpresa për ndryshim sa herë mundimshëm gjallohej, aq herë thyente qafën e përplasej hundë e buzë po në tingujt e Radio Tiranës, ata nuk mund të gjendeshin me shpatulla për muri, pasi brenda tyre kishte një këngë, ajo kënga e djepit që si gjiri i nënës nuk mund të harrohej.
Duket se ishte kjo këngë që gjeneronte çdo frymëmarrje të tyre edhe vite më vonë, kur edhepse bota kishte një tjetër dimension, por përsëri atdheu mbetej i largët, i paarritshëm as në ëndrrën më të çmendur.
Kjo këngë e ngujuar në genin e tyre ushtonte, edhe kur perdja e hekurt do të binte duke hapur një dritare tjetër shprese, por nga andej u hap, pabesueshëm, si një epidemi u përhap braktisja dhe në simfoni me këngën e djepit u ngjir edhe ajo e largëta, kënga e kurbetit, bashkë me dallgët e detit dhe heshtjen nëpër kalimet “e paviza”. Kënga e djepit i burrëroi këta mërgimtarë, përtej lotit të nënave, apo netëve të gjata të burgjeve sllave, e dalëngadalë, pavetëdijshëm ishte kjo këngë që i shndërroi ata në misionarë të çështjes së madhe shqiptare, në ambasadorë të atyre trojeve, ngado që shkuan, deri në ishullin e largët britanik.
Ata janë të natyrshëm, as nuk pritnin t’u drejtohesh me shkëlqesi, apo t’u bësh elozhe nëpër takime diplomatike ose jo. Ata nuk ditën dhe nuk dinë të bëhen as idhnakë dhe as ikanakë, (nuk mund ta rroknin rrugën e tëhuajsimit) edhe kur në kohërat moderne u ndien të përçmuar… nga ata që u bënë përfaqësues të shteteve amë.. Ata ishin dhe janë misionarë të kauzës kombëtare, bartës të “amanetit” mëmëdhetar, që nga parullë shkruesit që organizonin shqiptarët e Britanisë për ndërgjegjësimin e opinionit britanik, kundër masakrës së përgjakshme millosheviçjane në një truall të atdheut tonë, e deri tek takimet me parlamentarë, ministra apo lordë britanikë. Ata nuk u zmbrapsën dhe u munduan ta kapërdinin në heshtje faktin e dhimbshëm se shumë prej “të mëdhenjve” as që e kishin idenë se ku i bie Kosova, apo ata që i cilësonin si terroristë, apo kur dritëhijet e fatit luanin në shpirtin e tyre mallëshumë. Nuk u stepën, por reaguan madje denjësisht edhe kur mediat i përçudnuan, kur zhargoni i epiteteve për shqiptarët e këtushëm dukej se nuk kishte fund, dalëngadalë filluan të mbijnë lulet e farës shqiptare; diku një shoqatë, diku një gazetë, diku një shkollë shqipe, diku një biznes e dalëngadalë yjet shqiptarë po shfaqen pas mjegullës apo reve. Nuk ka fushë të jetës që nuk kemi nga një ambasador të shkëlqyer, që nga pishtarët që u kthyen në udhërrëfyes gjeneratash, e deri tek ata që u kthyen në model të brezit të ri britanik, evropian apo më gjerë; që nga ata që nuk mund të rrinin pa hupur një shkollë shqipe, e deri tek ata që me krenari prej shqiptari ligjërojnë nëpër universitetet më prestigjioze britanike. Ishte së paku detyrë për ne si media, që të paktën “të njihnim” këta misionarë, dhe të merrnim prej tyre ato konstatime dhe mesazhe, që na duhen aq shumë sot, sidomos brezit të ri që mund të ketë mësuar “pak ndryshe” këngën e djepit. Nuk ishte e lehtë për ne, pasi atyre nuk u pëlqen të duken, të shfaqen, por edhe ky ishte mision. Është një mision që do të vazhdojë dhe jemi të bindur se ka shumë e shumë ambasadorë- misionarë të tjerë gjithandej dhe që brenda tyre ushton kënga e djepit, amaneti se atdheut nuk mund t’i thuhet kurrë lamtumirë…

Drejtor i “The Albanian”

http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=KLCks28pvjY

cov

The Albanian Newspaper

www.thealbanian.co.uk
Tel/fax:02082169527
Info@thealbanian.co.uk

http://www.facebook.com/thealbanian.co.uk


Related posts:

3 Responses to 100 Shqiptarët e Britanisë

  1. Burbuqe Paqarada

    ok

  2. Atdhetar

    Mendoj se eshte me te vertete nje nisme e mire nga ana juaj per realizimin enje aktiviteti te tille. Kisha vetem nje kerkese: Nuk duhet te pranoni ne kete nisme asnje nga kryetaret/kryetaret apo drejtuesit e shoqatava shqiptare qe mundohen si e si t’ia shtrydhin edhe me shume bashkombasit e vet- si shkruante ai burri ne koment(asht Lutfi Vata qe ia shiti cunit tem librin per dy paund kur e mori falas)sepse kam mendimin se perfshirja e tyre do ta degjeneroje kete projekt fisnik tuajin.
    ka plot bisnesmene dhe drejtues te mrekullueshem ne Uk.

  3. Palok Camaj

    Suksese ne nje aksion, ne mendimin tim te qelluar Shpresoj se ketu do te jene Shqipetaret nga dhe me origjine re gjitha trojet shqipetare te Ballkanit . Barem ne diaspore jo te ndare

Add a Comment