100 kompanitë me fitim më të lartë në Shqipëri

Nëse do të doje të hapje një biznes të ri, apo të diversifikoje portofolin larg prej segmenteve të maturuara apo në rënie, cilin sektor do të zgjidhje?! Bizneset tradicionale të tregtimit, shitjes së naftës, ndërtimit nuk “intrigojnë” më. Shërbimet financiare kanë një kthim të kënaqshëm, por konkurrenca e fortë e vështirëson hyrjen. Bizneset e reja të “call center” kanë rezultuar fitimprurëse deri tani, por ato po mbijnë si kërkudha pas shiut dhe po japin sinjalet e para të ngadalësimit të rritjes. Bizneset e dhuruara (koncesionet) po ecin mirë, por ato po përqendrohen “me mik” në pak duar. Tregtimi i energjisë ka hapësira të rritet, teksa sektori pritet të liberalizohet në vitet në vijim.

HEC-et private, ndërsa ecën mirë dy vitet e fundit, u “goditën” nga vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për të ulur çmimin edhe me efekt prapaveprues për periudhën 2012-2014. Në mënyrë ironike, pas aksionit që synonte t’i jepte fund marrëzisë së lojërave të fatit, sipërmarrjet e kësaj të fundit po rezultojnë mjaft fitimprurëse. Ndërsa Bankers Petroleum rezulton me humbje të thella, nënkontraktorët e tij po deklarojnë norma fitimi marramendëse. Tregtia (me shumicë) dhe nafta “lodhen” shumë për pak fitime

Ekonomia dhe sipërmarrjet po kërkojnë në mënyrë të dëshpëruar të orientohen drejt një modeli të ri, më të qëndrueshëm e më pak t.ë varur nga zhvillimet ciklike. Një rrugë e vështirë kjo, duke pasur parasysh ambientin e vështirë ekonomik, mungesën e likuiditeteve dhe financimeve, pritshmëritë e dobëta të konsumit, çoroditjen fiskale, agresivitetin e administratës, ashpërsinë e masave të reja kundër informalitetit dhe evazionit, stepjen e investimeve dhe mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse që do të krijonte infrastrukturën e nevojshme mbështetëse drejt këtij modeli të ri.
Monitor, në vijim të shkrimeve të saj mbi renditjen e sipërmarrjeve (sipas xhiros dhe eksporteve, publikuar në numrat e mëparshëm), sjell këtë numër 100 kompanitë më të mëdha sipas fitimeve, duke u munduar të hedhë dritë mbi prirjet e ekonomisë shqiptare dhe pritshmërive për të ardhmen.

10 sipërmarrjet me fitime më të mëdha

Në raport me 2013-n, ka ndryshime të dukshme në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimeve. Koorporata Elektronenergjetike Shqiptare (KESH), që kryesonte në renditjen e vitit të mëparshëm është “zhdukur” nga lista, për shkak të ecurisë negative në 2014-n, ku rritja e lartë e shpenzimeve ka bërë që kompania të dalë me një humbje të lartë prej 22 miliardë lekësh (158 milionë euro) në 2014-n, nga 9.3 miliardë lekë që ishte fitimi i një viti më parë.

Sipërmarrjet e ndërtimit të infrastrukturës (Alb Star dhe Copri Actor) kanë dalë nga dhjetëshja, si rrjedhojë e rënies së vrullit të shpenzimeve kapitale pas zgjedheve të 2013-s. Bankat dhe telekomunikacionet vijojnë të jenë ndër bizneset më fitimprurëse në Shqipëri, ndonëse kompanitë celulare nuk po shohin më ato norma të larta fitimi si disa vite më parë (ndonëse është vështirë të jepet një gjykim për përfitueshmërinë e saktë të tyre, për arsye të futjes në treg këto vitet e fundit të operatorëve telefonikë, që përfitojnë një pjesë të volumit të xhiros e të fitimit të tyre)
Më poshtë jepen 10 sipërmarrjet me fitime më të larta (bruto, para tatimit), ndërsa për renditjen e 100 kompanive shiko tabelën kryesore.

1. Banka Kombëtare Tregtare (BKT) është sipërmarrja që ka arritur të sigurojë më shumë fitime në vend në vitin 2014, prej 6 miliardë lekësh. Një vit më parë ajo ishte e pesta në renditje në këtë tregues, BKT është banka më e madhe në vend sipas aseteve, kredive, depozitave dhe qarkullimit vjetor.
2. Një tjetër bankë është në vendin e dytë, Raiffeisen, me fitime prej 5.5 miliardë lekësh, 24% më të larta se një vit më parë. Edhe një vit më parë, Raiffeisen ishte po në vendin e dytë.
3. Renditjen e vijojnë telekomunikacionet, me Telekom Albania (ish-AMC), që megjithëse ka shënuar rënie të fitimeve, është e treta në këtë tregues, me diferencën mes të ardhurave e shpenzimeve që ishte 2.9 miliardë lekë në 2014-n.
4. Ndryshe nga KESH-i, që përkeqësoi rezultatet në 2014-n, Operatori i Sistem Transmetimit (OST) ka vijuar të jetë në dhjetëshen e më të mirëve, me fitime prej 2.3 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitet e mëparshme, duke qenë dhe një ndër sipërmarrjet më të qëndrueshme me kapital shtetëror në fushën e energjetikës.
5. Sërish një bankë, Intesa Sanpaolo raportoi fitime prej 2 miliardë lekësh, 68% më të larta se në 2013-n.
6. Vodafone, ndonëse është shoqëria më e madhe e telekomunikacioneve në vend, përsa i përket xhiros vjetore, është e dyta në këtë sektor në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimeve, pas Telekom Albania. Vodafone kishte fitime prej 1.8 miliardë lekësh në 2014-n.
7. Albpetrol, sipërmarrja me kapital shtetëror e prodhimit dhe tregtimit të naftës ka përmirësuar aktivitetin e saj në 2014, duke rritur të ardhurat me 44%, ndërsa fitimet janë zgjeruar me rreth 30% për të arritur në gati 1.9 miliardë lekë, duke u renditur në kompaninë e dytë shtetërore me fitime më të larta, pas OST.
8. Phoenix Technology Services Albania, renditet për herë të parë ndër 10 kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri. Kompania, sipas ekstraktit të saj ofron shërbime Horizontale dhe Direksionale për Naftën dhe Gazin Natyror në Shqipëri dhe raportoi në bilancin e saj fitime prej 1.5 miliardë lekësh, 26% më të larta se në 2013. Kompania është nënkontraktor i Bankers Petroleum, ndërsa kjo e fundit, që është sipërmarrja më e madhe në vend është i munguari i madh i kësaj tabele.
9. Kastrati sha, tregtuesi me shumicë i karburanteve, ndonëse ishte në vitin 2014 sipërmarrja e dytë më e madhe në vend, pas Bankers Petroleum, me të ardhura prej rreth 67 miliardë lekësh, renditet i nënti, me fitime prej 1.4 miliardë lekësh, me dyfishim, në krahasim me 2013-n.
10. Tirana International Airport (TIA), ndonëse ka shënuar ulje të të ardhurave me 30%, si rrjedhojë e rënies së trafikut ajror në 2014 (pas daljes nga tregu të Belle Air), ia ka dalë të rrisë fitimet me gati 10% në 1.2 miliardë lekë, duke mbajtur nën kontroll shpenzimet.
/Marrë nga Monitor.al/
TAB-1-RENDITJA1TAB-21